Kuvendi me 74 vota votoi shkarkimin e Muhos dhe me 73 vota emërimin e Zguros në KQZ

E djathta konfirmoi maxhorancën në Parlament me votat e 3 deputetëve të PS-së dhe të Dritan Priftit

Dje Kuvendi diskutoi heqjen e mandatit të Ilirjan Muhos nga KQZ-ja. Mirëpo, për shkak se, PD-ja ka 66 vota, plus edhe 3 vota nga PR dhe PDIU-ja, i duhen edhe 2 vota për të plotësuar shumicën e thjeshtë. Ndaj që në mëngjes, para Kuvendit, filluan bisedimet e kolaudimit të votave me 3 deputetët e zgjedhur nga PS-ja në 2009-n, por të larguar nga PS-ja për shkaqe të ndryshme, Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli.

NOA

Ora 09:00 Deputetët e PS-së u mblodhën në orën 09:00 dhe diskutuan se çfarë qëndrimi do të mbajnë. Pati mendime të skajshme, deri në bllokim të punimeve të Kuvendit dhe bojkot, mirëpo këto qëndrime u hodhën poshtë nga Kryetari i PS-së.

Nga ora 10:40, deputetët Dogjani dhe Kadeli erdhën së bashku në Kuvend dhe  te shkallët e Kuvendit takuan edhe Islamin. Një ndërkohë të gjatë, ata biseduan me njëri-tjetrin, ndërsa më vonë pranë tyre shkuan për të biseduar edhe ministri Halimi. Nga ora 12:20  Kadeli një moment shkon të takojë disa deputetë të PS-së te hyrja e Kuvendit, ku ishin: Fino, Bello, Çuko, Fino nga ana e tij i kërkonte Kadelit arsyet përse po bashkon votën e tij me PD-në. Deputeti Kadeli nga ana e tij, i shpjegohet sepse u pre në besë nga kryetari Rama. Fino e kundërshton me tone të larta arsyetimin e Kadelit, duke i rrëzuar argumentet e tij, e duke i thënë se nuk mund të ketë logjikë asnjë arsyetim,  pakënaqësi që mund të zgjidhej brenda përbrenda, pa qenë nevoja  që të bashkosh votën me PD-në. Mirëpo, deputeti Kadeli nguli këmbë se ishte prerë në besë nga Rama dhe u largua nga bashkëbiseduesi Fino. 120 deputetë u regjistruan për të diskutuar, në një maratonë të gjatë.

Ora 11:30 Paloka tha se  prishja e baraspeshës politike në KQZ rrezikon zgjedhjet.

Ora 11:40 Gjiknuri, sekretari për çështjet zgjedhore të PS-së, tha: “ Zgjedhjet realisht janë në rrezik, këtij i intereson mbi të gjitha grabitja e certifikatës së zgjedhjeve, që të jetë prapë njësoj si në ‘97-n, për të negociuar prapë daljen e tij në politikë. Sipas deputetit socialist, marrëveshjet nuk mund të qëndrojnë mbi ligjet dhe Kushtetutën. “Me teorinë e Berishës marrëveshjet na qëndrokan mbi ligjet. Po Lefteri Lleshi, çfarë i takon Berishës dhe Metës tek zgjedhja e Lefteri Lleshit që është zgjedhur nga PD dheLSI. Po rrezikohet realisht mbajtja e zgjedhjeve të lira”,- vijoi Gjinkuri.

Ditmir Bushati: Të ulemi e të gjejmë një zgjidhje!
“Ne duhet të hapim një kapitull të ri dhe më erdhi keq që gjerat shkuan kështu. Të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje që na nderon të gjithëve”, -tha Bushati në mbyllje të fjalës së tij.

PD-ja paraqet kërkesë për shkarkimin e Muhos për shkak të paligjshmërisë së emërimit në KQZ

Krahas kërkesës së Komisionit të Ligjeve për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho, për prishje të balancave të barazisë, PD-ja ka dorëzuar pasditen e djeshme në Kuvend, një tjetër kërkesë ku kërkon shkarkimin e Muhos nga institucioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve.  Kërkesa është e firmosur nga 33 deputetë të PD-ja, ndërsa ajo bazohet në paligjshmërinë e emërimit e tij si anëtar i KQZ. Në kërkesën për shkarkim thuhet se “Muho është emëruar në shkelje të nenit 12 germa “A” e Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, ai është shkarkuar nga funksioni Prokurorit me dekret të Presidentit të aso kohe Alfred Moisiu. Në këtë mënyrë, thuhet në kërkesën e deputeteve demokrat, Ilirjan Muho, i ka fshehur Kuvendit, gjatë procedurës së emërimit deklarimin e fakteve që pengonin emërimin në detyrë të anëtarit të KQZ”.

 Meta: “ Po i vini kazmën zgjedhjeve

Ora 21:57- Kreu iLSI-së, Ilir Meta çështjen e shkarkimit të një anëtari të KQZ-së e lidhi me interesat e vendit, me stabilitetin e tij dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, prej të cilave, siç shtoi ai varet edhe procesi i integrimit. Kjo që po ndodh, sipas tij është antiligjore. Kreu iLSI-së bëri thirrje për reflektim, me qëllim që siç tha ai të mos i vihet kazma procesit të zgjedhjeve dhe proceseve që vendi pret pas tyre. “Nëse mendoni që në mënyrë të dhunshme e antiligjore mund të ndikoni edhe rezultatin e zgjedhjeve e keni gabim, ju po i vini kazmën standardit të zgjedhjeve, do e vuajë vendi dhe perspektiva e integrimit. Ju ftoj të reflektoni, uluni përsëri për kodin, por mos merrni vendime të njëanshme. Këtu bëhet fjalë për të ardhmen e vendit nuk bëhet fjalë për fatin e një njeriu”, shtoi Meta më tej.

Shkarkohet Muho, emërohet Zguri në KQZ

Në orët e vona të mbrëmjes e djathta qeverisëse ka konfirmuar maxhorancën e saj në Parlament, duke votuar me 74 vota pro shkarkimin e Ilirian Muhos si anëtar i KQZ. Në një amendament të tretë, të ardhur pas takimit të ambasadorit Arvizu me Kryeministrin Berisha, deputetët demokrat dorëzuan në Kuvend një tjetër amendament, duke kërkuar lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ, Ilirjan Muho, bazuar në paligjshmërinë e emërimit të tij si anëtar i KQZ. Në kërkesën për shkarkim thuhet se “ Muho është emëruar në shkelje të nenit 12 germa “ë” e Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, ai është shkarkuar nga funksioni Prokurorit me dekret të Presidentit të aso kohe Alfred Moisiu më 12 mars 2003, duke i fshehur Kuvendit gjatë procedurës së emërimit deklarimin e fakteve që pengonin emërimin në detyrë të anëtarit të KQZ”, thuhet në amendament, i cili mban firmën e 33 deputetëve demokratë. Ndërkaq Kuvendi me 73 vota pro ka emëruar si anëtar në KQZ, Klement Zguri të propozuar nga Partia Republikane, i cili më pas ka bërë dhe betimin e marrjes së detyrës së re. Situata në sallë ka kaluar përmes tensioneve, kur deputeti socialist Gazmir Bizhga ka tentuar të nxjerrë jashtë deputetin Katriot Islami para nisjes së votimit, situatë për të cilën është dashur ndërhyrja e gardës. Pas kësaj deputetët e opozitës kanë lënë sallën e parlamentit. Ndërkaq Dogjani dhe Islami kanë argumentuar më pas votën e tyre pro maxhorancës, duke lëshuar akuza të ashpra ndaj kryesocialistit Rama.

 Ambasadori Arvizu pas takimit me Kryeministrin Berisha shkon në Kuvend

 Ora 20:00 Kryeministri i vendit Sali Berisha priti mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:15 kreun e prezencës së SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Takimi, i cili u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë për rreth 45 minuta. Sipas informimeve të fundit,  në qendër të takimit Berisha Arvizu janë zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë  tek lëvizjet që ka planifikuar Kryeministri në KQZ, pas largimit tëLSI-së nga maxhoranca. Burimet qeverisëse dhe diplomatike bëjnë me dije se takimi Berisha Arvizu është  kërkuar nga ambasadori amerikan Arvizu. Pas takimit me Berishën, ambasadori Arvizu mori pjesë në Kuvend.

 Kryeministri Berisha takohet me Kryetaren e Kuvendit, Topalli

Ora 21:00 Kryeministri Berisha, pas takimit që pati me ambasadorin amerikan Arvizu, menjëherë u takua me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në fokus të këtij takimi, padyshim ka qenë diskutimi midis tyre i çështjeve që trajtoi Kryeministri me Topallin, duke i përcjellë edhe  shqetësimin e ambasadorit amerikan për  debatin që ende ( deri në orën e takimit të tyre) zhvillohet në Kuvend. Ndoshta, nga takimi Berisha –Arvizu do të përcaktohej në një masë të madhe edhe fati i mëtejshëm i votimit në Kuvend. Mirëpo, në orët e mëvonshme, votimi në Kuvend dëshmoi se maxhoranca ishte e vendosur për të shkarkuar anëtarin e KQZ-së, Ilirjan Muho, edhe pse pati deri në minutën e fundit ndërhyjrje nga ndërkombëtarët, e cila u kurrorëzua me takimin e orës 20 të ambasadorit Arvizu me Berishën dhe praninë e vetë Arvizusë në sallën e Kuvendit, në orët e vona. Ajo që mbetet të provohet, deri në 23 Qershor,  është nëse zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së, për shkak të prishjes se aleancës PD-LSI, do të ketë ndikim të mëtejshëm në procesin zgjedhor dhe sa do të ndikojë në acarimin e klimës parazgjedhore.

  Topalli: Muho liroi kriminelin  

Ora 17:35 Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli teksa rilexoi dokumentin që Prokurori Dhori Sollaku kërkon shkarkimin e Ilirjan Muhos, akuzoi opozitën se, po mbron një person që ka liruar një kriminel.
“Qeshni qeshni prandaj e mbroni ju. E kuptoni pse e mbroni ju Ilirjan Muhon, ky është njeri i ligjit, ai që ka liruar personin që është dënuar për vrasje, prostitucion dhe trafik. Dëgjoni kë mbroni. Votoni kundra pasi mua më intereson që të votoni kundra. Ku është ai që mbroni ju, ai që liroi kriminelin.

 Dokumenti që Topalli paraqiti në Kuvend, ku bëhet fjalë për shkarkimin e Muhos si prokuror

Zonja Topalli paraqiti dokumentin e Prokurorisë së Përgjithshme që i drejtohet Presidentit për shkarkimin e prokurorit Muho, si edhe dekretin e Presidentit Moisiu, që shkarkon Muhon nga prokuror i Fierit. “Nga sa parashtruam më sipër, në mbështetje të nenit 149/3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 32 germa “b” dhe 33 germa “ç” të Ligjit Nr 8737 datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”; propozoj shkarkimin nga detyra të prokurorëve Aleksandër Tanku dhe Ilirian Muho, për shkeljet e konstatuara në gjykimin e zhvilluar për njohjen e vendimit penal të Gjykatës së Milanos kundër të dënuarit Aleksandër Kuqo dhe gjykimin për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të njohjes.”. Cituar nga shkresa e Drejtorisë  së Personelit dhe Inspektimit të zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, datë 27.2. 2003, me numër protokolli 527.

Kjo është dhunë kartonësh me deputët në detyrë.

Nasip Naço, deputet i LSI-së

 Kodi Zgjedhor i miratuar me shumicë gati absolute në Parlament, parashikon që KQZ-ja është organ i pavarur.  Në vlerësimin tim, koncepti i pavarur do të thotë që KQZ-ja ka vetëm një varësi, varësinë ndaj ligjit dhe Kushtetutës dhe në këtë vlerësim politika duhet të rrijë sa më larg KQZ-së.  Është pikërisht ajo që po kërkohet edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë që monitorojnë nga afër procesin parazgjedhor, që KQZ-ja të funksionojë i pavarur dhe larg ndikimeve politike në vendimmarrjen e tij. Në asnjë nen të Kodit Zgjedhor nuk parashikohet që KQZ-ja është një institucion partiak, ku partitë, duhet të kenë përfaqësuesit e tyre, në asnjë nen të Kodit Zgjedhor nuk parashikohet që KQZ-ja është një organ, i cili siguron balancimin e përfaqësimit politik. Çfarë balance prishet në KQZ, sipas jush, kur llogarisni që votimi në KQZ ndahet 4 me 3 në favor të opozitës? Këtu ka vetëm panik në radhët tuaja dhe nuk bëhet fjalë për balancim të KQZ-së. Në një kohë kur me votën tuaj keni miratuar nenin 17 të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon që “Anëtari i KQZ-së ushtron funksionin në mënyrë të pavarur. Ai voton vetëm në përputhje me ligjin” dhe para fillimit të detyrës së tij ai betohet para Kuvendit se do të ruajë paanësinë në kryerjen e detyrës, do të tregojë profesionalizëm në kryerjes e saj për të garantuar zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike. Ju kërkoni të justifikoni këtë nismë kryekëput antiligjore, me argumentet se në komisionet e nivelit të dytë dhe të tretë balanca shkon në gjysmat e tyre 4 me 3 dhe në gjysmat e tjera 5 me 2. Ju e dini mirë këtë gjë, por me veprimet tuaja tregoni se keni vetëm një qëllim. Manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve, ndaj tregoni vetëm panik. Ju kërkoni t’i jepni vetes të drejtën për të patur rol drejtues dhe kontrollues  në procesin zgjedhor, në një kohë kur Kodi Zgjedhor parashikon se, është KQZ-ja organi më i lartë administrativ, i cili është përgjegjës për organizimin, drejtimin dhe kontrollin e procesit para, gjatë dhe paszgjedhor. Veprimi që po tentoni të kryeni sot është një shkelje flagrante e ligjit zgjedhor, është një shkelje flagrante e standardeve zgjedhore, është një ogur i keq  dhe një kambanë alarmi për shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Përgjegjësia juaj do të jetë morale, juridike dhe historike. Edhe pse e kam lexuar disa herë kërkesën e paraqitur nga grupi parlamentar i PD-së për lirimin nga detyra të një anëtari të KQZ-së nuk kam gjetur të shprehur në asnjë rresht të saj shkakun ligjor se përse kërkohet ky  zëvendësim. Të paktën kërkesa të bëhej nga të interesuarit dhe të keqpërdorurit që është PR-ja dhe jo nga PD-ja. Edhe kjo procedurë e parashikuar në Kodin Zgjedhor nuk është zbatuar nga ana juaj, duke përbërë në vetvete një shkelje tjetër të rëndë të Kodit Zgjedhor. Ju po luani jo vetëm me shqiptarët, me zgjedhjet, me partitë politike, por edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë BE dhe  SHBA.  Ky është shembulli që u tregojmë ne atyre se zgjedhjet do të jenë të ndershme dhe lira?!  Ky është premtimi që ne japim çdo ditë me gojën e Kryeministrit nga çdo foltore se, 23 Qershori do të jetë dita më e ndritur për shqiptarët!  Ky është krim zgjedhor, dhe tregon më së paku panikun që tashmë po e shprehni hapur  për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Veprime të tilla antiligjore e largojnë edhe më shumë Shqipërinë nga familja europiane, pasi realizimi zgjedhjeve të lira e të ndershme është një kusht i panegociushëm mosplotësimi i të cilave do ta bëjë të pamundur realizimin e ëndrrës së shqiptarëve  edhe për shumë vite të tjera. Ju sot  po i bëni nderin më të madh të majtës shqiptare. Ju sot  po e unifikoni përfundimisht të majtën shqiptare  përballë rrezikut që po i kanosni demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Ju sot po shuani ëndrrat e shqiptarëve për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme, pasi sot KQZ-ja  nuk drejtohet më nga kryetarja e saj e zgjedhur, por nga shkresa e Astrit Patozit. Me apo pa anëtarin e KQZ-së rezultati i LSI-së dhe i PS-së në këto në zgjedhje do të jetë spektakolar dhe opozita e bashkuar shkon si uragan e sigurt drejt fitores së 23 Qershorit.

  Anëtari i KQZ-së, BE: “Të shqetësuar për pasojat e votimit në Parlament”

 Teksa Kuvendi  shqyrtonte dje  kërkesën e PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar nga LSI-ja, si dhe zëvendësimin e tij me një nga dy kandidaturat e paraqitura nga Partia Republikane, Klement Zguri ose Patriot Çoba, Bashkimi Europian shpreh shqetësimin për situatën e krijuar dhe pasojat e votimit. Në një deklaratë për mediat, BE i bashkëngjitet qëndrimit të partnerëve të tjerë, duke i bërë apel klasës politike që të sigurojë paanshmërinë e administratës zgjedhore.  “Bashkimi Europian, shpreh shqetësimin dhe ndan shqetësimet e partnerëve të tjerë, lidhur me pasojat e mundshme të një votimi në Parlament, tek besimi i njerëzve tek procesi elektoral. Të gjithë krahët politik kanë përgjegjësi, për të siguruar natyrën e paanshme të administratës elektorale”, thuhet në deklaratën e BE-së.