Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare

527
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë plenare nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta dhe miratoi disa projektligje të rëndësishme në fushën e transportit, tatimeve dhe të sigurisë.

Kryetari i Kuvendit njoftoi deputetët se kryetari i Grupit Socialist z. Ruçi ka depozituar propozimin për ndryshimin e vendimit të Parlamentit për ngritjen e Komisionit për Reformën Administrative dhe Territoriale që zhbllokon punën e këtij komisioni për të cilin do të planifikohet një mbledhje e Konferencës së Kryetarëve javën që vjen që të futet në planin punës për seancën e javës së ardhshme për t’u miratuar.

Deputetët e Partisë Demokratike, znj. Jozefina Topalli,znj. Mesila Doda, Z. Sali Berisha morën fjalën njëri pas tjetrit për çështje të ndryshme.

Deputeti Sali Berisha akuzoi qeverinë lidhur me çështjen e trafikimit të drogës duke pretenduar se është vënë në shërbim dhe infrastruktura shtetërore. Z. Berisha kërkoi sqarime dhe nga Ministrja e Mbrojtjes, znj . Kodheli.

“Lidhur me avionin në Gjadër dua t’iu informoj, se SHIU dhe SHIK sipas burimeve të pakundërshtueshme të FA, kanë informuar me kohë të përbetuarën këtu se kjo po ndodh dhe përveç kësaj ka prova, pra ky përbetim është një njeri i papërgjegjshëm i Edi Ramës i cili ka filluar të gllabërojë pronat e ushtrisë. Ju garantoj se këtu do vijnë dosjet e zgjedhjeve tuaja por tani kemi tjetër problem. Sa u përket të tjerëve këtu do vijnë. Nëse zonja është kaq e sigurt le të pranojë të paraqitet në komision ku do i paraqiten të gjitha të dhënat. Le të pranojë të konfrontohet me dokumente të pakundërshtueshme. Pra do të faktojmë se çfarë po bëhet me ju. Merrni paratë e komandove dhe shkoni fshihni plehrat e i lini pa rrogë, kthehen këtu dhe askush nuk i pret. Detyra dhe ju, jeni si nata me ditën”, u shpreh deputeti, Sali Berisha.

Lidhur me këto akuza, Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli hodhi poshtë akuzat duke deklaruar se opozita nuk ka asnjë fakt. “Ju thjesht akuzoni pa dhënë asnjë provë pa thënë asgjë më pak sesa infrastruktura e FA-së është vënë në shërbim të drogës. Nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt. Nga gjysma e shtatorit të 2013 dhe deri më sot, nuk ka rezultuar në asnjë rast dhe në asnjë zonë ushtarake të Republikës së Shqipërisë të ketë një të dhënë të vetme ku kanë lindur zanafilla e gjithë kësaj patologjie opozitare me FA-në”, tha Ministrja, znj. Kodheli.

Deputeti z. Sali Berisha u shpreh se opozita ka të gjithë provat dhe do të faktojë pretendimet lidhur me trafikimin drogës. “Ju garantoj se këtu do vijnë dosjet tuaja, se këtu kemi problem tjetër, problemin e drogës që ka kaluar bazat e ushtrisë. Do u faktojmë çfarë mohoni ju!”, tha z. Berisha.

Në përgjigje të akuzave të opozitës, Kryeministri z. Edi Rama, u shpreh se: “Doktorit i shkojnë SMS çdo natë se janë avionë që ulen në Divjakë, nuk janë avionë. Janë mushkonja që nuk i gjëmon më njeri prej 20 vitesh. Dhe kështu do mbarojë dhe historia e drogës dhe e bazës ushtarake dhe historia e avionëve që u bënë mushkonjë, dhe historia e pickimeve që pastaj vini këtu në Kuvend e pickoni opinionin publik”, tha z. Rama. Kryeministri shprehu vullnetin e Qeverisë për të nxitur hetimin lidhur me këtë akuzë dhe shprehu gatishmërinë e mazhorancës për të qenë pjesë e hetimit.

Duke u kërkuar respektimin e rendit të ditës të përcaktuar për seancën plenare, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta kërkoi prej deputetëve që në rast se kanë fakte dhe pretendime, t’i drejtohen organit të akuzës. “Ne jemi vend anëtar të NATO-s. I ftoj të gjithë politikanët që të shkojnë në Prokurori për çështje të tilla”, tha z. Meta.

Pas këtyre diskutimeve, seanca miratoi procesverbalin dhe vijoi punimet me diskutimet e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës me shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve të përcaktuara në rendin e ditës. Më pas, deputetët e opozitës u larguan nga salla.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8663, datë 18.9.2000 “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor me tonazh nën 20 NT”, Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shprehu mbështetjen për nismën ligjore.

“Deputetë në të tre komisionet ngritën shqetësimet lidhur me aktet nënligjore. Ajo që duhet të ndodhë në Shqipëri, që nuk ka ndodhur këto vite, është që ngjarjet tragjike nuk janë pasqyruar me një reflektim të thellë. Sot po vendoset rregull mbi atë kaos të krijuar”, theksoi z. Eduard Shalsi.

Ministri i Brendshëm, z. Sajmir Tahiri u shpreh se nisma vjen si përgjigje e fenomeneve të reja, duke sqaruar se ligji aktual që daton që nga viti 2000, nuk i përgjigjet kërkesave të kohës për shfrytëzimin e detit.

“Ky ligj është një vijë ndarëse, jo vetëm në vizion, por dhe në sjellje midis qeverisë dje dhe qeverisë sot. Nëse deri dje qeveria e kaluar mendonte se zgjidhja ishte moratoriumi, ne mendojmë se kjo nuk është zgjidhje, por disiplinimi, sanksionimi, sjellin më shumë siguri për qytetarët dhe për zhvillimin e turizmit. Është një vijë ndarëse në vizion, për sa kohë që deri ata që ishin deri dje, mendonin t’i jepnin një zgjidhje të shpejtë duke ndaluar tërësisht trafikun, ne nuk mendojmë kështu. Ne mendojmë që t’i vijmë në ndihmë qytetarëve, qoftë atyre që e përdorin për biznes, qoftë për zhvillim turistik. Është kjo arsyeja që ky ligj adreson të gjithë interesat e qytetarëve se sjell më shumë siguri për qytetarët”, tha z. Tahiri.

Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Bujar Derveni deklaroi se ndryshimet në këtë ligj do të sjellin një zhvillim më të madh ekonomik, ndërsa shtoi se projektligji jep më shumë garanci edhe për sigurinë e qytetarëve në shfrytëzimin e detit. “Në cilësinë e deputetit të zgjedhur konstatoj se problemi ka hyrë drejt zgjidhjes. Sa i përket vullnetit që qeveria e re e mandatar në shtator ka, zhvillimi i turizmit zë një vend të rëndësishëm duke e kthyer në vëmendje dhe në përparësi. Për këtë arsye u soll dhe ligji i ri. Ligji ekzistues nuk përcaktonte rregullat dhe normat për kontrollin e lëvizjeve të mjeteve lundruese. I parë në tërësi, ligji duket i kompletuar dhe siguron qëndrueshmëri dhe zbatueshmëri. Jemi para një fakti që bëhet e mundur rritja dhe ndërhyrja për të shpëtuar jetën njerëzore. Investitorët në sektorin turizmit do të kenë të gjithë hapësirën për të investuar. Si deputet i LSI-së dhe i Qarkut të Durrësit, e mbështes këtë ligj pa mëdyshje dhe i ftoj kolegët deputetë që ta votojnë”, tha z. Derveni.

Në emër të grupit të Partisë Socialiste, z. Erjon Braçe prezantoi përfitimet që do të kenë qytetarët dhe bizneset nga ndryshimet në këtë ligj. “ Për 6-7 vite me radhë ndodhi që qeveria e Sali Berishës e bllokoi detin si mundësi ekonomike, si mundësi turistike apo si mundësi për qytetarët që të shëtisnin. Nuk ndodhi për të gjithë. Ndodhi vetëm për qytetarët, ndërkohë që qeveritarët ishin të lirë. Kësaj radhe projektligji, jo vetëm që u kthen detin qytetarëve, por u mbron dhe jetën qytetarëve. Ajo që është më e rëndësishmja, është se deti kthehet për t’u shndërruar në një hapësirë ekonomike që prodhon të ardhura për ekonominë kombëtare. Turizmi është ai që përfiton më së shumti, jo vetëm në vijën detare, por dhe në liqenet”, theksoi z. Erjon Braçe.

Deputetët diskutuan dhe për projektligjin “Për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të kryera për periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013”.

Deputeti z. Përparim Spahiu u shpreh se përmes faljes së këtyre gjobave, vendoset në punë motori i ekonomisë. “Ne po përpiqemi që fjala borxh të përdoret sa më pak. Falja e gjobave për periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013, do të sjellë një impakt mjaft pozitiv për klimën ekonomike. Edhe shoqatat e bizneseve kanë ngritur shqetësimin. Kjo falje do të jetë plotësim dhe i paketës fiskale që po përgatitet për ta. Nga falja do të përfitojnë ato biznese të rregullta që pavarësisht shqetësimit, kanë paguar. Qoftë pagesat e shtetit,qoftë falja e gjobave janë për të nxitur investimin. Ju ftoj të gjithëve që ta votojmë këtë projektligj”, tha z. Spahiu

Deputetja Socialiste, znj. Evis Kushi, deklaroi se ky ligj i jep zgjidhje dhe rikthen drejtësinë për të gjithë ato biznese që kanë marrë gjoba në mënyrë të padrejtë vetëm për qëllime politike.

“Për këtë periudhë ka pasur një fluks të madh shqetësimesh dhe denoncimesh për shkak të situatës alarmante të krijuar nga gjobat selektive të një administrate krejtësisht të politizuar të vënë në dispozicion të interesave të qeverisë së kaluar. Edhe statistikat fiskale tregojnë se gjatë asaj periudhe, numri i gjobave është rritur në mënyrë të konsiderueshme në krahasim me mesataren vjetore. Kjo administratë në mënyrë të padrejtë kërcënonte haptazi bizneset që kishin bindje apo mbështesnin opozitën”, tha znj. Kushi. Deputetja e PS-së theksoi se miratimi i kësaj nisme do të krijojë një partneritet të ri midis qeverisë dhe biznesit duke ndikuar në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit

 Deputetët diskutuan dhe për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve” të ndryshuar”. Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Silva Caka deklaroi se ky projektligj vjen me një sërë ndryshimesh që garantojnë perfeksionim dhe zbatimin tij si pjesë e reformës në sistemin penitenciar.

“Projektligji sanksion në një kapitull të veçantë ku garantohen liritë e të miturve dhe të grave. Projektligji parashikon që çdo vendim i marrë për fëmijët duhet të jenë në interesin më të lartë të tij. Së treti garanton liritë dhe të drejtat e të burgosurve duke ndaluar dhunën dhe keqtrajtimin e tyre. Në kuadër të ngjarjeve të ndodhura në burgun e Nigritas, LSI-ja vlerëson qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë. Grupi Parlamentar i LSI-së do të vendoset gjithmonë në kah të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha znj. Caka.

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço bëri dhe prezantimin disa prej risive të ndryshimeve në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve” të ndryshuar”.

“Tashmë është e qartë që misioni i ekzekutimit të vendimeve është rehabilitimi i të dënuarve dhe të paraburgosurve në shoqëri. Për këtë kategori personash garanton mbrojtjen nga diskriminimi, liria e besimit dhe lirisë së shprehjes, mundësinë e pjesëmarrjes në aktivitete rehabilituese, projektimin dhe zgjidhjen e ankesave, përmirësimin e trajtimit të të dënuarve. Ekzekutimi i dënimit të të dënuarve do të bëhet në çdo rast duke respektuar dinjitetin e të dënuarve”, tha z. Naço.

Në emër të Partisë Socialiste, znj. Vasilika Hysi deklaroi se përmes këtij ndryshimi garantohen të drejtat e të dënuarve dhe të paraburgosurve. “Me interes është parashikimi i parimeve themelore të trajtimit të të dënuarve, një mbrojtje më të mirë të shtetasve shqiptarë, të huajve apo dhe të atyre pa shtetësi. Për herë të parë mbështet dhe ngritjen e burgjeve private për të trajtuar personave që janë dënuar në maksimum me 5 vjet burgim. Unë do t’ju ftoja ta miratoni këtë ligj duke i kërkuar Ministrit të Drejtësisë që brenda afateve të përgatisë sa më shpejt aktet nënligjore për ta bërë këtë pjesë të ndryshimeve të ligjit të zbatueshëm në praktikë dhe do të ftoja të gjithë aktorët e shoqërisë për ta monitoruar”, tha znj. Hysi.

Kuvendi diskutoi dhe për projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 8668, datë 23.11.2000 “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit” të ndryshuar”.

Pas diskutimit të projektligjeve, Kuvendi kaloi në votim. Me 78 vota pro u miratua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8663, datë 18.9.2000 “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor me tonazh nën 20 NT”.

Me 75 vota pro u miratua dhe projektligji “Për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të kryera për periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013”.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve” të ndryshuar” u miratua me 78 vota pro.

Para se të hidhej në votim projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 8668, datë 23.11.2000 “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit” të ndryshuar”, Kryetari i Kuvendit sqaroi se është marrë miratimi dhe nga Presidenti për hyrjen e menjëhershme në fuqi të projektligjit. Nisma u votua me 79 vota pro.

Kuvendi miratoi edhe projektvendimin për disa ndryshime në përbërjen e Komisioneve të Përhershme Parlamentare.

Deputeti z. Gledjon Rehovica emërohet në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ndërsa deputetët, z. Gergji Papa, znj. Voltana Ademi, znj. Liljana Elmazi dhe z. Gerti Bogdani janë emëruar dhe në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Deputeti i PS-së, z. Bashkim Fino deklaroi se çdo deputet duhet të marrë pjesë vetëm në një komision. Duke marrë shkas nga diskutimet në fillim të seancës plenare nga deputetët e opozitës, deputeti z. Fino propozoi dhe kalimin e debatit politik në pjesën e parë. “Disa kolegë marrin pjesë në 1 apo 2 komisione. Tani që ky Parlament është në shumicë të theksuar, nuk ka pse të jenë në dy komisione”, tha z. Fino.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta sqaroi: “Vërejtjet tuaja do t’i kemi parasysh në Konferencën e Kryetarëve do të ftoja dhe Kryetarët e Grupeve Parlamentare se sa i përket anëtarësimit të deputetëve në komisione të ndryshme, që përpara se të bëjnë propozime, të kenë parasysh këto shqetësime të z. Fino”.

Më pas, Kuvendi vijoi me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Seanca i mbylli punimet në orën 14: 46.