Mitro Çela/ Rrota e ekonomisë dhe “Idhujt pa Krena” të FMN-së

758
Sigal

Në një debat televiziv, më pyetën:

-Çfarë sjell FMN-ja në ekonomi? -Një lajm të mirë dhe një lajm të keq. Lajmi i mirë: Shqipëria do marri rreth 500 milionë dollarë, ekonomia ka nevojë për para dhe paraja është bërë “mollë e ndaluar” në kohë krize për Evropën dhe SHBA-në. Nga ana tjetër firmosja e marrëveshjes me FMN-në, hap “dritën jeshile” për të marrë kredi nga Banka Botërore, Berzhi, Roma, Berlini a Vjena.
-Lajmi i keq është: Kreditë që jep FMN-ja, janë si puna e dardhës: Bishtin e kanë nga prapa. Shqiptarët duhet të shtrëngojnë rripat. Do kemi ngritje taksash, do rritet çmimi i energjisë elektrike, do ngrihet mosha e daljes në pension. Të gjitha masa antipopullore. Duke qenë “nxënës i mirë i FMN-së” Rama do jetë në hall. Zgjedhjet lokale janë në prag të derës. Votuesi emigron. Pa e mbaruar argumentin ma “rrëmbeu” fjalën Ervin Bushati:
-Gati gati po e shpallni armik institucionin më të fuqishëm financiar të botës. FMN-ja i jep para qeverisë, ju thoni se ajo është në hall! A dini ju se sot të gjitha shtetet e botës, duke filluar nga Franca, Anglia, Italia, Greqia e “nakatosin” ekonominë me idetë e FMN-së? A e dini ju se vetëm Sali Berisha i vuri “drynin” zyrës së FMN-së në Tiranë?! Ja ku na doli dilema. Si ta zgjidhim? Në fillim do kërkojmë ndihmë nga literatura. Ish Sekretari Amerikan i Shtetit George P. Shultz, në korrik të vitit 2000 foli në Senatin amerikan. Ai dha një dëshmi për ekonominë globale, duke “gatuar” tre epitete për FMN-në: E paaftë, e dështuar, destabilizuese! Ai kërkoi nga senatorët, të ndikojnë që ky Institucion të kthehet tek funksioni i “origjinës”, ndikim që motivohet me faktin se SHBA-ja mbulon 25 për qind të buxhetit të FMN-së. Sipas tij: “Kthimi në identitet”, do të thotë ndjekja e kurseve të shkëmbimeve valutore dhe “gardian” i bilanceve të pagesave në vendet e ndryshme të botës. Për ta kuptuar më mirë idenë e Zotit Shultz, duhet të themi dy fjalë për historinë e FMN-së. Sebep për “inaugurimin” e FMN-së u bë kriza ekonomike e viteve ‘30-të. Në korrik të vitit 1944, me iniciativën e dy ekonomistëve më të mëdhenj të kohës, anglezit John Maynard Keynes dhe amerikanit Harry Dexter Vvhite, në Bretton Vvoods, përfaqësues nga 44 vende të botës, nisën debatet për krijimin e FMN-së. Në Maj 1946-ë, FMN-ja nisi operacionin e parë financiar. Qendra e saj u bë Uashigtoni. Ja si e përshkruan ekonomisti David D. Driscoll, FMN-në deri në vitin kur u shemb Muri i Berlinit. -Ka shumë njerëz në botë që e shohin FMN-në si institucionin financiar më misterioz në botë. Disa e mendojnë si një bankë qendrore botërore që ” pret” monedha. Të tjerë i konceptojnë nëpunësit e FMN-së si misionarë për të ndërhyrë në politikat ekonomike të vendeve të ndryshme. Ka edhe nga ata që thonë se nëpunësit e FMN-së janë agjentë të shërbimeve sekrete që synojnë inaugurimin e qeverive kukulla. Të gjitha këto janë pjella të fantazisë. FMN-ja bashkëpunon dhe nuk imponon plitika ekonomike për asnjë vend. Janë qeveritë ato që vendosin për nivelin e inflacionit dhe të TVSH-së. Çdo shtet mund të shpenzoi nga buxheti më shumë për të blerë armatime se sa për arsimin, pa marrë parasysh rekomandimet e FMN-së.
Mirëpo fjala e zotit Shultz në Senatin amerikan, tregon se pas viteve ’90-të këto ide të ekonomistit David, kanë filluar të zbatohen kokëposhtë. “Unë kam dëgjuar,- thotë ish Sekretari Amerikan,- njerëz nga FMN-ja që thonë: Ne ndihmuam në heqjen qafe të Suhartos, presidentit të Indonezisë. Po kështu në Argjentinë, në Kili etj.. Ky është devijimi i madh nga Karta e Themelimit të FMN-së”.
Kthehemi në Shqipëri. Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, duke hyrë në “sinoret” e ministrit të Financave, thotë: “FMN-ja nuk ndërhyn në punët e qeverisë Rama”! Zoti Ahmetaj, kur flet harron që ka “nishanin” e ministrit! Por çfarë tregon institucioni i trashëgimisë? Së pari, në vjeshtën e vitit 1995-së, FMN-ja kërkoi nga qeveria Meksi, që TVSH-ja të jetë 18 për qind. Ngritja e rrogave 10 për qind. Kur Presidenti Berisha vendosi që niveli i TVSH-së të ishte 12,5 për qind dhe ngritja e rrogave 25 për qind, FMN-ja nuk e firmosi marrëveshjen trevjeçare. Së dyti, në Qershor të vitit 1997-të socialistët fituan zgjedhjet. Një muaj më vonë Kryeministri Nano u ftua në Romë, në një samit ndërkombëtar për Shqipërinë. Violinë e parë në samit ishte FMN. Vendosi që TVSH-ja të ngrihet në 20 për qind. Kryeministrit Nano ju la vetëm e drejta e firmës. Ishte po FMN-ja që e detyroi qeverinë socialiste të ndryshonte programin e saj ekonomik të fushatës elektorale, që i solli fitoren më 29 qershor 1997-të. U premtuan taksa të ulëta dhe u vendosën taksa të larta. U premtuan pensione e rroga të larta. U vendos ngritja e rrogave dhe pensioneve me pikatore, u mbyll Banka Agrare, u bllokuan kreditë. Deri në vitin 2005 Banka e Kursimeve nuk jepte kredi?! Së treti, me “bekimin” e FMN-së, në vitin 2003, socialistët vendosën që burrat nga 60 vjeç të dalin 65 vjeç në pension. Gratë nga 55 vjeçe në 60. FMN-në bëri lëshim vetëm për deputetët. Ata dalin në pension 55 vjeç! Së katërti, në vitin 2006 Shqipëria “notonte” në errësirë. Qeveria Berisha, i kërkoi FMN-së, që ta lejonte të importonte energji elektrike. Përgjigja e FMN-së ishte: “JO”. Argumenti: Duke marrë kredi, rritet borxhi publik! Marrëveshja e re e Ramës me FMN-në, ngjan si “dy pika uji” me marrëveshjet e vjetra. FMN-ja i ka vënë ”sinorin tek thana” ende pa filluar lëvrimi i kredisë. Po përmend tre fakte: Së pari, një javë para se të votohej Buxheti i Shtetit 20014, Zoti Meta deklaroi se do të ulin tatimin mbi fitimin tek kompanitë e fasoneve nga 15 për qind në 10 për qind. Por ndalu Beg se ka hendek, dhe hendeku është marrëveshja me FMN-në? Ilir Meta u tërhoq… Së dyti, në fund të Shkurtit qeveria vendosi të rishikonte skemën e pensioneve. Asnjë fjalë për ngritjen e moshës së pensioneve, por para një jave, duke qenë qeveri e pavarur, nuk ja prishi FMN-së për ti nxjerrë burrat në pension në moshën 67 vjeç ndërsa gratë 60 vjeçe! Shyqyr që nuk lëvizi mosha 55 për deputetët!