Kush po i tradhton socialistët dhe Edi Ramën…

376
Sigal

Kreu i KQZ-së/ Loja e dyfishtë e disa socialistëve në kupolën e PS-së, rikthen një stan me Ristanë

Nëse më mashtron një herë, dije se të kam lënë vetë, nëse e përsërit për herë të dytë, atëherë faji nuk është më i yti, por i imi që vazhdoj të besoj tek ty”. Është kjo një thënie e vjetër dhe që sot po troket me aktualitetin e saj,  tek kreu i kupolës socialiste Edi Rama. Është fjala për nënshtrimin total të socialistëve ndaj procedurës antiligjore të zgjedhjes së kreut të ri të KQZ-së.  Njeriu gabon, por kryesorja është të mësojë dhe të mos lejojë të përsëritet e njëjta situatë sikurse ndodhi ajo e zgjedhjeve lokale 2011, ku Kryesocialisti Rama njëherësh edhe kandidati për Bashkinë e Tiranës megjithëse fitoi nga vota popullore u detyrua të largohej pasi kryegjyqtari (Kryetari i KQZ-së, Ristani) nuk pranoi të njihte verdiktin e sovranit duke i dhënë fitoren kundërshtarit në tavolinë.  Këto ditë ne jemi në të njëjtën situatë sikurse ajo e 8 Majit 2011. Dhe Edi Rama besoi tek ekipi i vetë, madje u la hapësira të mëdha  deri në propozime të kandidaturave për poste të ndryshme në pushtetin lokal (kryetar bashkie) dhe qendror (deputetë), por në fund e gjeti veten të humbur nga mungesa e strategjive të atyre që kanë për detyrim jo vetëm partiak, por edhe ligjor në Kuvend që  mbrojnë dhe të krijojnë barazi në akteve ligjore dhe nënligjore që normojnë dhe garantojnë zgjedhje të lira në Shqipëri. Me sa duket në PS-së ka mendje të errëta dhe ogurzeza që u intereson të shohin një të majtë në opozitë dhe një Ramë të dështuar. Ndryshe nuk mund të kuptohet fakti që sot  Edi Ramës vazhdojnë t’i fshihen fakte që nesër do jetë vonë në mos e pamundur të rikuperohen. Është fakt, që përfaqësuesit e djathtë në Komisionin e  Ligjeve janë gjithmonë një hap përpara të majtës dhe kjo e fundit është e detyruar që të kujtohet për “marifetet” e Rusmajlit vetëm pasi të kenë votuar projektet e tij. Por le të analizojmë shkurtimisht situatën aktuale. Është e papranueshme që opozitës t’i hiqet e drejta e njohjes, vlerësimit dhe votimit  të kandidaturës që vjen nga shoqëria civile. Dihet që shumicën e komisioneve në Parlament e ka pozita, por kjo nuk duhet të ligjërojë  faktin që kur është e nevojshme për të pasur dy kandidatura të dyja të jenë preferencat e PD-së. Detyrimisht opozita nuk duhet të lejonte në asnjë rrethanë që  PD-ja të “pillte” një Ristan të dytë. Të paktën deri në sallën e Parlamentit duhej të vinte edhe kandidatura e opozitës dhe mund të ishin dy propozime nga një secila palë, mund të ishin tre, ku pozita të kishte dy dhe opozita një dhe në deputetët të votonin kandidaturën që mendonin. Le të fitonte kandidatura e shumicës, por kurrsesi nuk mundet që një komision të marrë atributet e 140 deputetëve të Parlamentit shqiptar. Përse nuk e vendosi  këtë kusht grupi parlamentar socialist që në hartimin e këtij Kodi? Po përfaqësuesit socialistë në Komisionin e Ligjeve ku ishin? A nuk e panë ata se çfarë ishte në gjendje të bënte Ristani  në Tiranë nën dritën e diellit, përpara kamerave dhe përfaqësuesve të huaj? Sigurisht që, e dinë dhe shumë mirë bile këtë gjë. Por ata kanë heshtur dhe heshtja e tyre shënon paturpësinë e radhës, e cila në zgjedhjet e 2013-s, do ta ketë melodinë nga pas. Po dështoi përsëri e majta, kujt do t’i faturohet humbja për këtë papërgjegjshmëri? Sigurisht Ramës. Atëherë, mos vallë brenda së majtës ka njerëz, të cilët duan të sakrifikojnë Edi Ramën për të mbijetuar nëpërmjet pritje-përcjelljeve që u kanë bërë  tradicionalisht liderëve dhe drejtuesve të Partisë Socialiste. Gjasat janë të njëjta, ndaj Rama i pari duhet të shkundet duke u treguar vendin këtyre njerëzve që më shumë se sa me punë merren me intriga brenda gjirit të së majtës shqiptare. E majta ka vend për të gjithë ata që duan të aspirojnë në këtë forcë, ka vend edhe për aleatët, të cilët kanë si qëllim rikthimin e socialistëve në pushtet, ka vend për të rinjtë, gratë, të papunët që kanë mbushur rrugët, për të varfrit që shohin se si po  u grabitet pasuria e tyre nga armiqtë shekullorë të kombit. Por e majta ka vite që ndihet e tradhtuar pikërisht nga një grup mentaliteti, i së cilës nuk i shkon për shtat kësaj force, e cila po gjen veten fuqishëm deri në strukturat më të larta të majtës Europiane dhe Botërore. Por le t’i kthehemi fakteve tronditëse për 6 anëtarët e kualifikuar fillimisht nga Komisioni i Ligjeve. Sipas kodit të miratuar, duhet që në Komisionin e Ligjeve duhet të paraqiteshin jo më pak se dy kandidatura dhe nëse ato ishin më shumë, atëherë  grupi socialist i Komisionit të Ligjeve duhej të skualifikonte kë mendonte ai si të papërshtatshëm dhe të pranonte vetëm dy kandidatura, të cilat ishin përfundimtare dhe këta emra do i paraqiteshin Parlamentit për votim. Në rastin konkret u votuan nga votat e maxhorancës katër kandidatura dhe nga ato socialiste dy kandidatura. Kështu, të gjashtë kandidaturat u renditën nga numri 1 deri tek numri 6 sipas votave që morën në komision. Dy të parët i plotësojnë kriteret dhe për to nuk ka asnjë  pretendim, ndërsa për dy kandidaturat e tjera grupi socialist në Komisionin e Ligjeve duhej të mos tërhiqej dhe të kërkonte skualifikimin e tyre. Njëri kishte background-in politik, pasi me letrat e vulosura nën siglën e  PD-së  ishte regjistruar në KQZ dhe po me vulën e Ristanit ishte shpallur fitues si përfaqësues i PD-së. (shiko faqen zyrtare të KQZ-së). Kaq mjafton për të larguar këtë kandidaturë  së bashku me kandidatin e katërt, i cili nuk kishte vitet e mjaftueshme.  E veçanta është që, këto dy kandidatura janë të skualifikuara dhe duhet të zëvendësohen me dy të radhës. Mbas kësaj procedure, i takonte- sipas ligjit grupit socialist në komisionin e ligjeve- që të skualifikonin dy dhe t’i dërgonin dy emrat e mbetur. Nëse do të respektohej  kjo procedurë tërësisht ligjore sot do kishim të tjerë kandidatë për kreun e KQZ-së. Dhe nëse deputetët demokratë do votonin kundër tyre në Parlament, gjë që nuk përjashtohej, atëherë kjo do të përbente një humbje të madhe në opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar për vetë PD-në.  Një gjë të tillë duhej ta menaxhonte me shumë kujdes kreu socialist i Komisionit të Ligjeve. Ai nuk duhej të pranonte votimin dhe sarkazmën e grupit demokrat pas lojës që bënë me  përjashtimin e Gjiknurit, kur thoshin se, “na ranë veshët rehat dhe qenka më mirë pa të në komision”. Nga ana tjetër, Kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi me deklaratën e tij se: “PD-ja shkeli hapur ligjin në përzgjedhjen e dy emrave që do të paraqiten në Kuvend, por kjo është punë e tyre”, as më shumë dhe as më pak përbënë dorëzimin e këtij grupi dhe ligjërimin e një “Ristani” të dytë në krye të KQZ-së. Kur mendon të gjitha këto shkelje ligjore me pasoja katastrofike për të majtën, të kujtohen fjalët e Prof.Servet Pllumbit vetëm para pak ditësh dhënë në një intervistë të gjatë për “Telegraf” se, në kupolën e PS-së ka njerëz që punojnë prej vitesh për Berishën dhe nuk duan kthimin e socialistëve në pushtet. Ndaj Edi Rama nuk duhet të lejojë askënd të  luajë me dinjitetin e socialistëve dhe fatin e tij personal me  humbjen e radhës nëpërmjet vjedhjes së votës në 2013-n. Sado i hidhur të jetë ilaçi, ai është i vetmi shpëtim për shëruar  të sëmurin që lëngon prej tetë vitesh në shtrat. Nesër do jetë vonë.