Nishani: “Shqipëria dikur fanatike, sot meriton statusin për BE”

529
Sigal

Presidenti Bujar Nishani në Asamblenë Parlamentare para Këshillit të Evropës në Strasburg

Dikur, një vend tërësisht i izoluar, tashmë pret me besim marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, bazuar në meritë”. Kështu u shpreh dje në një fjalim Presidenti Bujar Nishani në Asamblenë Parlamentare para Këshillit të Evropës në Strasburg. Kreu i shtetit shqiptar theksoi se Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht krahasuar me shtetin e prapambetur 22 vjet më parë. “Shqipëria, e njohur për armiqësinë e saj fanatike ndaj Perëndimit, është sot anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe, aktualisht, ndihmon me trupa për paqen në Afganistan e gjetkë. Ajo, nga konsumatore e dikurshme është shndërruar kështu në kontributore për sigurinë e këtyre vendeve, të rajonit e vendeve demokratike”.  Nishani tha se shteti shqiptar është është kandidat potencial për anëtarësim në BE dhe në këtë kontekst, Këshilli i Evropës luan një rol të rëndësishëm. I ndalur në Rajon, Nishani vlerësoi angazhimin e Këshillit të Evropës në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit, në zbatimin e projekteve specifike dhe atyre tematike. Ndërsa i ndalur tek Kosova, Presidenti i Shqipërisë tha se: “Kosova duhet të jetë një zonë e sigurt për të gjithë qytetarët e saj, ku standardet e Këshillit të Evropës të forcohen në mënyrë të vazhdueshme, ku instrumentet kryesorë evropianë të aplikohen plotësisht, së bashku me mekanizmat e tyre të kontrollit”. Kreu i shtetit shqiptar sqaroi dhe pozicionin e Shqipërisë karshi Kosovës. “Pozicioni ynë është fare i qartë. Republika e Kosovës është tashmë një realitet dhe një faktor stabiliteti në rajon, i cili ka hedhur poshtë çdo skepticizëm. Çështja e statusit dhe integritetit territorial janë kapituj të mbyllur”, duke shtuar se Shqipëria mbështet një anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës. “Sepse vetëm në një rast të tillë qytetarët kosovarë do përfitonin maksimalisht nga standardet e Këshillit të Evropës dhe do të kishin akses në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.