Kur flet numri dy i qeverisë…22 akuzat e Arben Ahmetajt

30
 Hysni Gurra 
Numri dy i qeverisë foli. Për ndonjë nuk tha asgjë, për ndonjë tjetër nuk tha asgjë me interes për publikun.
Sigal

Ja çfarë tha në intervistën për ‘Çim Peka LIVE’, ish numri dy i qeverisë:

1. Për reformën në Drejtësi

‘Në finale ne e dimë kush e bën vetingun, kush merr në telefon, ne e dimë se kush dërgon mesazhe, se kush bën koordinatorin mes x dhe y.’

Në fakt Rama ka rrahur jo pak herë gjoksin se e ka bërë ai Reformën në Drejtësi, por në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Si një insider Ahmetaj me pak fjalë hedh më shumë dritë se si është bërë reforma.

2. E kujt ishte ideja?

Idetë sot paguhen. Njerëzit sot krenohen me idetë. Por për incineratorët numri 2 i qeverisë tha se:

‘Nuk ka qenë ideja ime, sepse unë nuk i njoh mbetjet.’

E kujt pra ishte ideja? A e ka gjetur SPAK autorin e idesë së djegsave?

3. Me procedurat apo me laminatet?

Miliona lekë të taksapaguesve shkojnë për rrogat e spakistëve. Por në vend që të merren me procedurat dhe zyrtarët, spakistët marrin në pyetje zdruktharët.

‘Roberspierizmi politik ka shkuar tek laminatet e kuzhinës së familjes së Erioles në Lalz, dhe është pyetur zdrukthëtari nga Elbasani, dy herë, në mos tre, se s’po marrim më vesh. Kjo është drejtësia e re. Ndërkohë që nuk merren me procedurat.’

4. Nuk keni parë gjë akoma!

‘Po qe se do të bëhej një hetim i vërtetë për inceneratorin e Tiranës, shqiptarët nuk do të habiten, por do të llahtarisen se deri ku do të shkojë.’

E pra a do të hetohet inceneratori inekzistent i Tiranës? Rasti kur një pyetje nuk vlen 1 milionë dollarë, por 130 milionë euro.

5. Media si kobure në dorë të pushtetit

‘Po goditesha me gurë nga dritaret e Top Channel, apo nga të gjitha mediat e paguara nga inceneratorët.’

6. Kush i dha bonusin incineratorëve?

‘Procedurat i përfshijnë të gjithë. Çfarë dua të them. A ka vendime për bonuset? Ka vendime për bonuset. Unë nga personat që t’i përmende jam i vetmi që nuk kam firmosur për procedurë. Nuk kam bërë as prokurim, nuk kam qenë as autoritet kontraktor. Të gjithë në një moment apo në një tjetër …’

Kjo është pyetje retorike…për të gjithë me përjashtim të bufave në SPAK, vetëm ata ‘nuk dinë’, atë që e di e gjithë Shqipëria

7. Kërcënimi i Kryeministrit

‘Do të shkojë në të s’ëmës ai që prish unitetin e partisë. Kërcënimi i parë.’

Ja pra, kryeministri i denoncuar nga zëvendësi i tij. Nuk është hera e parë. Edhe një ish-ministër të Brendshëm e kërcënoi publikisht duke i thënë se ‘po gjuan me gurë kundër shtëpisë’. Ju kujtohet besoj? Po që kërcënoi oficerin e policisë që sot ka marrë azil në Zvicër? Po që ka kërcënuar edhe zyrtarë të tjerë ju kujtohet?

8. Shumë vonë për demokracinë

‘Kur ta kuptojnë shqiptarët se partia është gjë tjetër dhe Ed Rama është gjë tjetër, mbase mund të jetë vonë për partinë dhe demokracinë.’

Këtu ish-zëvendëskryeministri është shumë i vonuar. Rilindja dhe PS ka kohë që nuk janë e njëjta gjë dhe tashmë Edi Rama është gjithçka, është Rilindja, është partia, është  …AI

9. Kërcënime edhe nga burgu

‘Jam kërcënuar tre herë nga njerëz të panjohur. Njëherë në telefon nga burgu.’

Këto kërcënime nga burgu i kemi parë në filmat me mafie. Tani realiteti këtu ia kalon artit.

10. Pronarë të tjerë për  djegësin e Tiranës

‘Unë kam besimin të konsoliduar se Mirel Mërtiri nuk është më pronari. Ja kanë marrë, e kanë syrgjynosur për t’ia marrë. Po i pyes gazetarët që rrinë te SPAK, pse një biznesmen shqiptaro-zvicerian ka 40% të inceneratorit të Tiranës.

Po, burri njëherë vdes. Kush e ka 40%. Po 20% në parajsat fiskale kush e ka. Mirel Mërtirin e kanë zhdukur nga Shqipëria këta që të them unë për t’i marrë biznesin dhe ia kanë marrë..’

Hë pra, si është kjo punë? Taksat tona shkojnë edhe në parajsa fiskale… Alo SPAK- e dëgjuat apo është ‘komplekse’ kjo çështje?

11. Ndiqni paratë o idiotë

‘Ku janë 60 milionët. Shkohet te Taulant Tusha, gjynah, kam pasur e kam respekt. Këto janë qesharake. Ku janë 60 mln. Pse nuk ka përgjigje ku janë 60 mln??? Dakord a janë investuar aty. ku janë 60 mln, kush televizion i ka marrë, për çfarë fushate i ka përdorur. Ku janë si llogari. Ku janë? Dmth po të hetohet Tirana dilet e vërteta. Pse i bihet rrotull. Çfarë është arsyeja që i bihet rrotull?’

Në çdo leksion për gazetarinë investigative, jepet një këshillë me dy fjalë: ‘ndiq paratë’. Pyetja është pse Spakistët nuk ndjekin paratë, por shkojnë pyesin zdrukthtarët? Hë pra, pse?

12. Kur Shqipëria trajtohet si çiflig personal

‘Unë nuk kam ngrënë qofte të veranda dhe pastaj i kam dhënë tokën, detin, ajrin, lejen atje, jo një njeriu, por shumë. Gati 10-15 veta’

A ka më shqip se kaq? A ka krim më të rëndë të trajtosh pasurinë publike si mall të fituar në bixhoz? A ka mbetur njeri me dinjitet në PS, se në SPAK nuk ka më shpresë.

13. Kur SPAK-u nis mendon për paratë!!!

‘Ndiqi 60 milionë euro dhe mos dil të thuash, se ne kemi merak ta sekuestrojmë se kemi merak arbitrazhin. Ke arbitrazhin merak, ti nuk mund të flasësh si ministër, kjo është detyra e ministrit të Financave, jo e SPAK. Nëse ke merak arbitrazhin hetoje thellësisht Beketin, është refuzuar dhe një komision hetimor. Hetoje për arbitrazhin apo ti do të më varrosësh mua. Kë kërcënon mua, i bën presion gjykatës se do të kërkosh dënim maksimal se nuk të rruhet për procedurat’.

Ja pra që edhe spakistët mendojnë për paratë. Nuk e sekuestrojmë dot thonë se halli i arbitrazhit.

14. Duhet gjetur një kokë turku tjetër

‘Nuk bëhem unë kokë turku për Ed Ramën. Nuk bëhem për askënd, jo për Ed Ramën. Unë do të mbaj kryqin që më takon në kurriz. Por nuk mbaj kryqin e askujt tjetër dhe unë nuk jam krijesë që mund të kërcënohem, as nga Robenspierët, as nga kriminelët, as nga burgu, as nga jashtë burgut. Jam ndonjë trim, jo, njeri normal jam. Kam frikë, sigurisht kam frikë si çdo njeri. Kam frikë nga vdekja, sigurisht, do të vdesim një ditë, sigurisht. Por nuk jam krijesë që mund të kërcënohem. Kjo është e sigurtë.’

Pyetja është: Ahmetaj nuk pranon që të bëhet kokë turku as ‘të ketë një malore të lehtë’, siç i kishte premtuar Rama ish-ministrit Lefter Koka. Pyetja është: kush do të jetë ‘koka turkut e radhës’

15. Rama, arkitekt i kanabizimit

‘Unë kam mbledhje qeverie në Tiranë, Durrës e Gjirokastër që kam folur për erradikimin e kanabisit në 2014. Ja ngjeshën atij djalit që bëri edhe burg në kurriz. Po ja ngjeshën. Kam folur për erradikimin e kanabisit, kam thënë kjo do të fuqizojë vetëm krimin’.

Kur Berisha fliste në fillim për narko-shtet, shumë vetë thanë po e tepron. Por koha tregoi se kanabizimi i Shqipërisë ishte i mirëmenduar dhe Saimir Tahiri, kokë turku. Për kanabizimin heshtën edhe ambasadorët e huaj të perëndimit në Tiranë, madje merrnin pjesë edhe në konferenca ku tregohej suksesi kundër kanabizimit..

16. Koncesionet si grabitje spektakolare

‘Në 4 letra rresht. Edhe për sterilizimin, që duhej t’i vihej tavan, janë letrat atje në 2018, mund dhe t’i kenë hequr, nuk e di. Debati për fondin e rimbursimeve, kam kërkuar që t’i vihet tavan se duhet transparencë e vazhdueshme se ku shkojnë paratë. Që te koncensioni i TVSH, pse nuk u bë. E mban mend kur më akuzonte Sala se do ta bëjë, pse nuk u bë.’

Më shkoqur se kaq nuk ka folur ndonjëherë Ahmetaj. Por për disa nuk ka folur në emër të ‘interesit publik’. Nuk di të qeshësh apo të qash.

17. Në tavë, familja e Kryeministrit

‘Pse një privat ka bërë përpara se të shpallej nga kryeministri, këtë projekt. Pse në këtë projekt është një nga njerëzit e afërt të kryeministrit. Pse nuk e ka bërë institucioni publik, pse u shpall më pas, në fillim u bë si projekt privat dhe pastaj u shpall publikisht dhe e morën njerëz të lidhur me atë që kishin bërë projektin.

Pse plehrat dhe ekoparku duheshin bërë pa tender. Pse budalla ka qenë Alqi Bllako që nuk e firmosi.’

Doni më për Ramën? Dëshmi të gjalla, por prokurorë të vdekur.

18. SPAK shti fall

‘Një dosje ku thotë se nuk ka marrë pjesë në procedurë, nuk ka firmosur, dyshohet se është një nga njerëzit kryesorë të inceneratorevë’

Vetëm me këtë fjali ka të ngjarë që Ahmetaj të ketë fituar azilin. Kështu është kur nuk ke prokuror, por militantë partie.

19. Rama dhe Veliaj si Ponc Pilati

‘Kryeministria dhe Bashkia. Njëri thotë se më ka zhgënjyer, se do të krijojë idenë se ky është personi, se nuk është kokën e turkut. Tjetri së bashku me tjetrën thonë se ideja e atij ka qenë, shiko se nuk është kot fajtor ky’.

20. Të huajt e dinë kush kërcënon

‘Unë po bëj investigimet e mia, nëse do të ngelem gjallë në të treja shërbimet e duhura unë e kam ndarë rrezikun që më vjen, nga kush më vjen me emra konkretë siç edhe juve ju ndikova. Unë do të vazhdoj të investigoj dot nëse do të arrij se ku kanë shkuar ato para. Unë kam bindjen sot se Mireli Mërtiri nuk është pronar i tiranës. Të nvestigohet se ku kanë shkuar, Mirel Mërtiri është i syrgjynosur me të pavërteta e të vërteta nuk i gjykoj unë vetëm për t’i marrë Tiranën.’

21. Kush ha qofte dhe kush paguan faturën?

‘Përdor dronin Çim Peka dhe do ta gjesh se ku haheshin qoftet e jepej gjithë Shqipëria ose ku hahen se nuk hahen në një vend hahen në disa vende dhe të nesërmen meqë akuzohem unë se megjithëse nuk kam firmosur kam ngrënë një darkë dhe kam fjetur te dhomat e hotelit dhe ndërkohë 60-70 milionë euro nuk gjendet dhe ndërkohë nuk investigon SPAK dhe vjen vërdallë SPAK-u. Dhe pastaj në dosje Robenspieri thotë shiko ky nuk ka bërë mjaft. Ej keni parë ju që prokurori të thotë ky nuk ka bërë mjaft për të stopuar Erion Velinë. Ku në çfarë ligji e bazon? Sepse nuk më pyete për bukën sepse buka është gallatë, pjesa tjetër e bukës.’

22. Mcgonigal

‘Nëse ato janë të vërteta, kemi të bëjmë me cënimin e 4 shtyllave: Siguri Kombëtare, korrupsion, demokraci, korrupsion i një përfaqësuesi të një isntitucioni elitë amerikan. Nuk e di nëse janë të vërteta. Nuk kam ditur se ka ekzistuar një McGonigal.’

Këto janë dëshmitë të renditura sipas kohës së intervistës. Më shkoqur, më qartë dhe më drejtpërdrejt nuk mund të bëhet, por sërish ka njerëz që presin më shumë. Me sa duket kanë pritur që Arben Ahmetaj si një 007 të arrestonte Edi Ramën dhe Erion Veliajn.