Kthimi i ligjit për jahtet/ Tabaku: Favorizonte oligarkët e qeverisë

281
Sigal

Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku, përshëndeti vendimin e Presidentit Ilir Meta, që i ktheu sot Kuvendit ligjin për përjashtimin e jahteve nga TVSH.

Me një shënim në Facebook, Tabaku e konsideron këtë ligj të palogjikshëm dhe kriminal, në një vend ku, sipas deputetes, një pjesë e biznesit të vogël paguan TVSH-në “ndërsa oligarkët dhe pazari i tyre jo”.

Postimi i plotë:

Në emër të PD, përshëndes vendimin e Presidentit Meta për të kthyer ligjin që i heq TVSH-në blerjes së jahteve. Ky ligj është në vetvete i palogjikshëm dhe kriminal në një vend ku një pjesë e biznesit të vogël paguan TVSH-në, ndërsa oligarkët dhe pazari i tyre jo. Por, ky projektligj bëhet edhe më i paturpshëm në kushtet e një krize të thellë që ka kapur jetën e çdo shqiptari.

Kur bizneset mbyllen masivisht, kur papunësia rritet, kur konsumi ulet, investimet e të ardhurat bien e çdo taksë rritet qeveria përsëri mendon të favorizojë klientet e saj.

Ky ligj u votua në Parlamentin kukull, disa ditë pasi qeveria i detyroi bizneset e goditura të vendit të paguanin TVSH-në edhe kur ishin të mbyllura. Një ligj që është dëshmi e radhës që mazhoranca nuk e ka mendjen tek qytetarët e vendit, por tek një pakicë, të cilën e furnizon me lehtësira fiskale si kjo që Presidenti Meta e rrëzoi.

Shqiptarët do ta tregojnë me maturinë e tyre vullnetin kundër një mazhorance që është produkt i një ortakërie mes krimit të organizuar dhe oligarkisë. Shqiptarët do të zgjedhin për të ardhmen e tyre, për familjen e tyre, për ekonominë e tyre. Një vend që pritet të goditet me një varfëri që do të shkojë në gati 50% të popullsisë, një shoqëri e cila po pëson rritjen më të madhe të papunësisë nuk ka luksin për këto eksese të turpshme.