Kryetari Lulzim Basha mbajti homazhe në Varrezat “Dëshmorët e Kombit”

774
Sigal

Në Ditën e nderimit të dëshmorëve të atdheut, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, si dhe përfaqësues të tjerë politikë të PD-së bënë homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Kryetari Basha nderoi me homazhe të veçanta edhe intelektualët që humbën jetën gjatë diktaturës komuniste. Ai vendosi një kurorë me lule në memorialin ku prehen 22 intelektualët e pushkatuar në regjimin komunist, të akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike.

Kryetari Lulzim Basha si dhe ish-Kryeministri Sali Berisha bënë homazhe edhe në vendin ku prehet Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari.

“Sot është dita kur kombi shqiptar nderon të rënët, të rënët për lirinë kombëtare, të rënët në luftë kundër pushtuesve, të rënët për liri dhe demokraci. Është një ditë nderimi, respekti, mirënjohjeje e thellë kombëtare, patriotike dhe individuale, ndaj qindra, mijëra burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që flijuan jetët e tyre në altarin e lirisë kombëtare.

Është po kështu një ditë reflektimi, për t’u bashkuar të gjithë sërish për të mbrojtur lirinë dhe vlerat e saj, të vetëdijshëm se për lirinë shkohet në betejë çdo ditë.

Përkulem sot me respekt dhe mirënjohje të thellë para dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimitare, duke nisur me dëshmorin e parë, Mujo Ulqinakun, e dhjetëra mijëra të tjerë, të cilët luftuan me flamurin kuqezi për lirinë e Shqipërisë, për liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Kujtojmë sot me dhimbje në zemër të gjithë ata që pasi flijuan kaq shumë për lirinë kombëtare ranë fli nën kthetrat e diktaturës gjakatare, që shkatërroi, përdhunoi, vrau dhe burgosi liritë e qindra, mijëra familjeve shqiptare.

Përkulemi sot me nderim të thellë para bijve të Shqipërisë, të Kosovës, para bijve të shqiptarëve të Maqedonisë e të Preshevës, të cilët luftuan së bashku luftërat e fundit çlirimtare për lirinë e Kosovës,për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut.

Sot është po kështu një ditë që secili prej nesh të ndjejë në shpirt dhe mbi supe peshën e rëndë të sakrificës që ky komb ka paguar për liri e bashkë me të edhe bekimin e Zotit për të bërë gjithçka për ta mbrojtur atë me çdo kusht, para çdo tiranie, para çdo tirani.

Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti e bekoftë kombin shqiptar!

Lavdi të përjetshme dëshmorëve të kombit”!- shprehet Basha.