Kryetari i ri i KQZ-së, është autogoli politik i PS-së

451
Sigal

Në Komisionin e Ligjeve nuk votohet për 2 kandidatët  për Kryetarin e KQZ-së, që do t’i përcillen Parlamentit

Ngjarjet e djeshme në Komisionin e Ligjeve tregoi se mbizotëron një kaos i plotë lidhur me çështjen e zgjedhjes së kryetarit të ri të KQZ-së. Për këtë mund të radhiten disa shkaqe. PS-ja ka gati 4 vjet që konteston me forcë të madhe manipulimet e zgjedhjeve nga KQZ-ja e kryesuar nga Ristani. Dhe në reformën zgjedhore, synimi i parë i PS-së ishte rikompozimi i KQZ-së. Mirëpo, këtu fillon gafa politike e PS-së. Ndonëse nguli këmbë, që nëpërmjet të ashtuquajturit “rikompozim” të KQZ-së, të hiqte nga kreu i KQZ-së, Ristanin, si përgjegjësin kryesor të manipulimeve të zgjedhjeve në 2009 e 2011, nuk i dha shumë rëndësi procedurës zgjedhore të zgjedhjes të Kryetarit të ri të KQZ-së. Dashur, padashur, PS-ja duke pranuar procedurën e përzgjedhjes të kandidatëve për Kryetarin e ri të KQZ-së, të propozuar mjeshtërisht nga PD-ja, i bëri vetvetes autogolin politik. Ndoshta, nuk e kishin të qartë produktin përfundimtar të procedurës së përzgjedhjes të kryetarit të ri të KQZ-së, ndoshta menduan se e keqja mbaron te largimi i Ristanit, ndoshta… hamendjet mund të jenë të shumta, por gjithsesi, qëndrimi politik i PS-së, dje, në Komisionin e Ligjeve, në seancën dëgjimore dhe në fund, në përzgjedhjen e dy kandidatëve për Kryetar i KQZ-së, të cilët do të kalojnë për votim në seancën parlamentare, nuk mund të justifikohet. Sado të drejtë, mund të ketë. Ngërçi politik që ndërtoi, duke bojkotuar votimin e përzgjedhjes për 2 kandidatë për Kryetarin e ri të KQZ-së, është shumë zhurmë për asgjë. PS-ja e ka të humbur luftën politike, në tërë kuptimin e fjalës dhe ngërçi politik që ngre, me bojkotimin e votimit të 2 kandidatëve, nuk e ndihmon që të përfitojë asgjë. Sipas procedurës të përzgjedhjes të kandidatëve për Kryetarin e ri të KQZ-së, anëtarët e Komisionit të Ligjeve, kishin të drejtën të votonin secili deri në 4 kandidatë.  Kandidatët për Kryetarin e KQZ-së ishin vetëpropozuar, por dihet që në prapaskenë, kishin preferencat politike. PD-ja që ka 14 anëtarë në Komisionin e Ligjeve, votoi 4 kandidatët e preferencës së saj, që janë Marsida Xhaferllari. Endrit Reka, Lefteri Lleshi, Haki Mustafa, ndërsa PS-ja votoi me 9 vota Kristaq Kumen dhe Sajmir Vishajn. 4 kandidatët që kishin marrë 14 votat e PD-së, u futën në procesin e votimit për të përzgjedhur 2 kandidatët që do të votohen në seancën parlamentare, për të zgjedhur Kryetarin e ri të KQZ-së. Mirëpo, këtu përfaqësuesi i PS-së në Komisionin e Ligjeve, Fatmir Xhafa reagoi ashpër, duke thënë, se 2 kandidatët, Haki Mustafaj dhe Endrit Reka nuk i plotësonin kriteret për anëtar e Kryetar të KQZ-së, sipas nenit 12 të Kodit Zgjedhor, pasi, siç tha Xhafa, kandidati Haki Mustafa është anëtar i PD-së, ndërsa Endrit Reka nuk ka përvojë profesionale 10- vjeçare në fushat e së drejtës, në administratën publike, në administratën e zgjedhjeve, e si drejtues i organizmave jofitimprurëse. Mirëpo, argumenti i Xhafës u kundërshtua me forcë nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli, i cili tha, se deputetët e PS-së nuk mund të vlerësojnë votën e dhënë nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve. Madje, Rusmajli u propozoi deputetëve të PS-së, që të mos votonin këto 2 kandidatura që kanë -, sipas tyre, probleme, dhe të votojnë 2 kandidatët e tjerë. Mirëpo, sërish Xhafa, reagoi negativisht, duke kërkuar që do të pranojnë të votojnë 4 kandidatë që të plotësojnë kriteret për t’u zgjedhur, ndaj duhet të sjellin për votim 2 kandidatura të tjera. Rusmajli nuk pranoi propozimin e Xhafës, por kërkoi që të kryhet votimi. Sërish, deputetët e PS-së në Komisionin e Ligjeve nuk pranuan të votonin dhe Rusmajli e shtyu votimin e kandidatëve për Kryetarin e ri të KQZ-së, deri për sa kohë PS-ja të pranojë të votojë  4 kandidatët e përzgjedhur me votim nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve. PS-ja, edhe pse kontestoi votimin e përzgjedhjes të 2 kandidatëve që do të përcillen në parlament, për të votuar, paskëtaj, për Kryetarin e ri të KQZ-së, prapëseprapë, nuk do të përfitojë asgjë. Të 4 kandidatët, do të jenë, tek e fundit, të 4 të preferuarit e PD-së. PS-ja thjesht konteston për të bërë zhurmë politike, pasi e ka ngrënë autogolin politik. PS-ja ka përgjegjësinë e madhe politike që pranoi në  reformën zgjedhore, këtë procedurë të përzgjedhjes të kandidatëve për Kryetarin e ri të KQZ-së. PS-ja kishte dy rrugë të tjera, që duhet me çdo kusht t’i kishte realizuar, si kushtin politik, për të dhënë konsensusin e saj. Ose, të ngulmonte që Kryetari i ri i KQZ-së, të zgjidhej nga institucione jashtë influencës politike, me një procedurë, jo të shoshave politike të Komisionit të Ligjeve, ose të votohej me 3/5 në Parlament, ose tek e fundit, të kërkonte me të madhe, që njëri nga kandidatët që do të votohej në parlament, të kishte preferencën e opozitës. Patjetër kjo dhe me çdo kusht. Dhe, paskëtaj, PS-ja, le të provonte në votimin e parlamentit edhe vetë forcën e maxhorancës, qoftë edhe me 71 vota.

KRITERET PËR T’U ZGJEDHUR ANËTAR I KQZ-SË:

Anëtar i KQZ-së mund të emërohet çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili përmbush këto kritere:

–              Të jetë mbi 35 vjeç.

–              Të jetë me arsim të lartë.

–              Të ketë përvojë profesionale, prej jo më pak se 10 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme:

–              Ne fushën e së drejtës

–              Ne administratën publike

–              Në administrimin e zgjedhjeve

–              Si drejtues i organizmave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike.

–              Të mos jetë dënuar penalisht

–              Të mos ketë qënë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet t fundit

–              Të mos ketë qënë deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit

–              Të mos ketë qënë pjesëtar në 5 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat e Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror.

–              Të mos jetë larguar nga administrata publike, apo çdo funksion tjetër për shkelje të detyrës.

DEKLARUAN PËR “TELEGRAF”

Bashkim Fino, deputet i PS-së

I pyetur për gazetën “Telegraf”, deputeti i PS-së , njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të Ligjeve, Bashkim Fino, tha: ” Ne Kodin Zgjedhor kështu e kemi bërë, që të zgjedhim me këtë procedurë edhe Kryetarin e ri të KQZ-së. Ç’të të them unë? E kemi bërë vetë Kodin…”. Ja pra, përse PS-ja ka bërë autogol politik me dhënien e konsensusit të saj për procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve të Kryetarit të KQZ-së.

Idajet Beqiri, Kryetar i Forumit të Avokatëve

Kjo procedurë e përzgjedhjes së kandidatëve   për Kryetarin e KQZ-së është një farsë politike, por farsa ka filluar që kur PD-PS dhanë konsensusin për reformën zgjedhore. Përzgjedhja e kandidatëve dëftoi që deformohet në përmbajtje ligji, sepse kriteret për pranimin e anëtarëve të KQZ-së janë ligj dhe nuk mund ta interpretosh si të duash. U nëpërkëmb ligji, duke zgjedhur kandidatë që nuk plotësojnë kriteret. Që në momentin që diskutohet se si i kanë përzgjedhur kandidatët që përcakton qeveria, del qartë që zgjedhjet e ardhshme janë të manipuluara e të pandershme. Kjo është goditja e rëndë që i bëhet edhe kritereve të BE-së, të cilat përcaktuan standarde, që qeveria i nëpërkëmb kur të dojë.

Sajmir Vishaj, kandidat për Kryetar i KQZ-së

Sot ne kandidatët ishim aplikantë në Komisionin e Ligjeve, nëse përmbushnim kriteret, apo jo. Por, siç u pa, shumë aplikantë ishin anëtarë partie,me funksione partie. Disa kandidatë kanë edhe mungesën e shkollës për të përmbushur kriterin. Deputetët e PD-së votuan për 2 mësues, dhe të katër kandidatët që u votuan nga PD-ja kanë teserën e PD-së në xhep. Mua, më erdhi turp që dola para deputetëve, të cilët nuk më dëgjuan fare dhe nuk guxuan që të më pyesnin. Ata e kishin bërë zgjidhjen.