Kryetarët e Ambasadorëve, dështimi që i ndjek hap pas hapi

312
Sigal

Nga Gjergji Koja

Historia përsëritet me pothuajse të njëjtin format, ndërsa ndryshon vetëm viti dhe disa nga protagonistët. Lulzim Basha sot po identifikohet si politikani i përkëdhelur i ambasadorëve, veçanërisht diplomates Yuri Kim, e cila muaj më parë as e kishte në agjendë apo i dha ndonjë suport përballë Kryeministrit Edi Rama.

Madje në momentin më të vështirë, atë të zgjedhjeve të 25 prillit, diplomatja nxitoi të përshëndeste procesin, duke certifikuar mandatin e 3-të të Edi Ramës, ende pa u përmbyllur procesi i numërimit, ndërsa Basha deklaronte se vullneti i popullit ishte në kuti.

Dhe afërmendsh pritej një qëndrim i tillë, duke pasur parasysh se Basha më parë kishte flakur ultimatumet amerikane për djegie mandatesh deputetësh dhe bojkot zgjedhjesh, edhe pse ishte paralajmëruar qartazi se ndaj PD-së mund të vendoseshin sanksione.

Historia ndryshoi pas 9 shtatorit, ditë kur Lulzim Basha u shfaq për të dhënë vendimin e tij: largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD me preteksin se ishte shpallur person “non grata” dhe vendimi ishte i panegociueshëm.

Gati me sy të përlotur, pasi ngriti në piedestal vlerat e Berishës, ndonëse sot flet kundër kultit të individit, Basha foli në atë konferencë për përpjekjet e paimagjinueshme që kishte bërë, por pa rezultat.

Vendimi i Bashës prodhoi një seri reagimesh në rradhët e PD-së, ish-Kryeministri nisi serinë e takimeve në kuadër të asaj që u quajt Foltorja, ndërsa nisi edhe ndryshimi i raporteve mes tij dhe ambasadores Yuri Kim. Diplomatja shtoi kontaktet jo vetëm me Bashën, por edhe me disa nga emrat e promovuar prej tij në kupolën drejtuese të PD-së dhe nuk kurseu mesazhet pro kreut të demokratëve, i cili ndodhej nën akuzat dhe sulmet e ish-Kryeministrit.

Basha befas u kthye nga një politikan i lënë në periferi përballë Kryeministrit, në një politikan që u fut në një garë me Ramën se kush gëzonte më shumë simpatinë e diplomates, aq sa u krijua idea se nuk ishte më një Kryetar i zgjedhur nga demokratët me suportin e Berishës, por i emëruar nga Yuri Kim.

Një histori e ngjashme me atë të shumë vite më parë, në një format pak a shumë të ngjashëm, dhe me situatë përplasjeje sërisht mes Berishës dhe diplomatëve amerikanë.

Në vitin 1995, të paktën deri në 5 mars, kohë kur u mbajt Konferenca e Jashtëzakonshme e PD, kjo parti drejtohej nga Eduart Selami. Pas humbjes së referendumit për Kushtetutën, Selami hodhi idenë që Kushtetuta e re të miratohej nga Kuvendi, një kërkesë kjo që në atë kohë mbështetej nga diplomatët dhe socialistët, kryetari i të cilëve, Fatos Nano, ndodhej në burg me vendim Gjykate, për korrupsion.

Propozimi i bërë nga Selami në atë kohë krijoi përplasje mes tij dhe Presidentit Sali Berisha, gjë që u pasua nga Konferenca e Jashtëzakonshme, e cila çoi në largimin e Eduart Selamit nga kreu i PD. Edhe në atë kohë, Selami pati mbështetjen e ambasadorit amerikan, por jo vetëm, edhe të një grupi diplomatësh të tjerë të akredituar në Tiranë.
Selami vijoi të ishte deputet, ndërsa në krye të PD-së u caktua Tritan Shehu, i cili mbajti funksionet deri në 1997, kohë kur “frenat” e drejtimit të partisë i mori Sali Berisha, pas humbjes në zgjedhjet e 29 qershorit të atij viti.

Vite më pas dukej se historia do të përsëritej sërisht po në selinë e PD, ku një grup diplomatësh, përfshirë edhe atë të SHBA, mbështesnin figura të ndryshme në këtë parti, që mund të rivalizonin Berishën, i cili mbajti drejtimin e partisë deri në qershor apo korrik 2013, kur zyrtarisht paraqiti dorëheqjen nga funksionet, pas humbjes së zgjedhjeve.

Por situata të tilla pati edhe në rradhët e Partisë Socialiste, kur në garën e vetme reale brenda kësaj partie, ajo mes Fatos Nanos dhe Pandeli Majkos, ky i fundit kishte suportin maksimal të ambasadorëve, por edhe shumë prej figurave të asaj kohe në PS, ndërsa Nano pasi kishte dorëzuar çdo funksion kishte nisur atë që u konsiderua si katarsisi në rradhët e socialistëve.

Në kongresin që në atë kohë u zhvillua në Pallatin e Kulturës në Tiranë, Nano arriti që të fitonte ndaj Majkos, diplomatëve, dhe shumë figurave të tjera në rradhët e socialistëve, ndërsa më pas u fol për një aleancë fluide mes tij dhe Ilir Metës, që deri në momentin e mbajtjes së Kongresit, konsiderohej si një nga mbështetësit më të fortë të Pandeli Majkos.

Pra në pothuajse çdo përballje brenda partive shqiptare, ajo që duket se ka ndodhur është se të përzgjedhurit e ambasadorëve kanë humbur, edhe pse ndoshta koha I favorizonte pikërisht ata, për shkak të moshës apo zhvillimeve politike.

Të vetmen fitore që diplomatët kanë pasur është zgjedhja mes dy politikanëve të formacioneve të ndryshme, ku më i favorizuar natyrisht që ka qenë Kryeministri i kohës. Kjo i ka ndodhur socialistëve në qeverisjen e parë të PD-së, më pas i ndodhi Berishës kur Partia Socialiste erdhi në pushtet pas revolucionit bolshevik të 1997, dhe i ndodhi edhe socialistëve kur Kryeministër ishte Sali Berisha, 2005-2013.

I ndodhi Lulzim Bashës përballë Edi Ramës, edhe pse ky i fundit theu rekordin, duke marrë edhe mandatin e 3-të përballë një Kryetari PD-je, që më shumë prodhoi konflikte me ndërkombëtarët, veçanërisht amerikanët, se sa u kujdes ti trajtonte si partner strategjik.

Sot, në përballjen e fundit në PD, Basha duket më i përkëdhelur nga diplomatja amerikane, njëlloj si dikur Selami apo Majko, por ka humbur garën e brendshme, ka humbur suportin e anëtarëve dhe militantëve.

Dhe kjo nuk është një gjë e re as për politikën shqiptare dhe as për diplomatët, që duket se i ka mbetur sërisht në dorë një trofe pa mundur të kurorëzojnë me sukses misionin./ Boldnews