Rama: Sot depozitojmë nismën për ndryshimet ligjore, gjyqësori s’mund të paralizojë ekzekutivin
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se do të depozitojë sot nismën për ndryshimet ligjore që lidhen me kompetencat e gjyqësorit, pas vendimit për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama sqaroi lidhur me konkluzionet e mbledhjes së grupit parlamentar gjatë kësaj javë pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ballukut.
“Si zakonisht, fillon qarkullon në ajër një tymnajë interpretimesh nga më të ndryshmet. Edhe një herë tjetër, nuk është çështja tek personi, çështja është tek parimi dhe në këtë rast nuk është tek parimi abstrakt, por është tek parimi i ndarjes së panegociueshme të pushteteve kushtetuese”, u shpreh Rama.Sipas tij, “një vendim gjyqësor për pezullimin nga detyrat e një ministri, në kuadër të një mase sigurimi penal, ka nxjerrë në pah një boshllëk”.“Është një boshllëk, që ekziston sa në koka prokurorësh e gjykatësish, edhe në legjislacionin tonë, përderisa në këtë vend pa kulturë të konsoliduar demokratike, dhe me një drejtësi të pavarur, në moshë shumë të mitur, nuk mjafton fryma e Kushtetutës që është shumë e qartë, po duhet edhe gërma e ligjit, madje gërmë për gërmë për gërmë, qoftë edhe për gjëra elementare si kjo”, u shpreh Rama. Kryeministri theksoi se “Gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim”.“Këtë nuk e diskuton askush dhe askush nuk është mbi ligjin e këtu biem dakord të gjithë, të paktën të gjithë me fjalë, por unë bie dakord edhe me vepra. Por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, të cilat paralizohen nëse ministri pezullohet. Pra, faktikisht nëse ti thua që ‘unë pezulloj një minister’, ‘unë pezulloj Presidentin e Republikës’, ‘unë pezulloj Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit’ dhe ku di unë disa të tjerë që mbulojnë funksione të padelegueshme, faktikisht, ti prodhon një pasojë të menjëhershme të barabartë me shkarkimin, sepse nuk është pezulluar thjesht personi, siç mund të ndodhë me një drejtor, punën e të cilit e bën dikush tjetër, por është pezulluar funksioni”, u shpreh Rama.
Themelimi i Bordit të Paqes, Rama: Javës tjetër vizitë në Uashington me ftesë të Presidentit Trump
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se ka marrë ftesë nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për të vizituar Uashingtonin, në kuadër të themelimit zyrtar të Bordit të Paqes. Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama theksoi se Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues në këtë Bord dhe nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme.“Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar”, tha Rama.Kryeministri theksoi se “do të jetë në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi”.“Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes”, shtoi ai.



















