Kryeministri zëvendëson Fletoren Zyrtare me rrjetet private  sociale

258
Sigal

Kreu i qeverisë nuk respekton Kushtetutën e Republikës për të publikuar zyrtarisht aktet normative të qeverisë sipas nenit 117 të  ligjit themeltar të shtetit. Vetëm gjatë kohës së pandemisë u ekzekutuan nga policia mbi 7 mijë gjoba, pa asnjë bazë ligjore, duke e detyruar Ramën të amnistojë aktet normative të publikuara në facebook-un e tij, përpara se të bëheshin objekt i gjykatave.

Autokrati me Facebook. Nuk respektohet Kushtetuta e Republikës

 Kryeministri Rama zëvendëson Fletoren Zyrtare me rrjetet sociale

Facebook  është rrjeti social më popullor në Shqipëri -sipas të dhënave të vetë kompanisë, ka mbi 1,4 milionë përdorues në Shqipëri, një pjesë e madhe e të cilëve janë përdorues të përditshëm. Që nga fillimet e tij, rrjeti ka pësuar ndryshime periodike për t’u përshtatur me ecuritë e kohës, por ajo për të cilën Facebook nuk është bërë asnjëherë është për të publikuar ligje. Për këtë në Republikën e Shqipërisë është Fletorja Zyrtare, e cila botohet nga Qendra e Botimeve Zyrtare, e cila i hedh në faqen e saj në internet fletoret sapo ato botohen. Nuk ka rëndësi sa vizitorë online ka kjo qendër, numri relativisht i vogël nuk mund të jetë kurrsesi justifikim për gjendjen disa mujore në të cilën ndodhemi, ku Facebook ka zëvendësuar në të gjitha format botimin e vetëm që do duhej t’i jepte fuqi juridike akteve ligjore. Nuk do kishte asgjë të keqe, nëse një vendimmarrës i bën ditura në media, përfshirë ato sociale, qëllimet e tij për të miratuar ligje ose akte nënligjore, sa kohë është e qartë se akti në fjalë nuk ka hyrë në fuqi. Neni 117 i Kushtetutës shprehet qartë se aktet normative të Këshillit të Ministrave, të ministrave, të institucioneve të tjera qendrore marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare. Kjo mund të duket një procedurë burokratike, por pasojat mbi jetën e njerëzve nga moszbatimi i saj janë të mëdha: nëse një postim në rrjetet sociale mund të ndryshohet apo fshihet lehtësisht, një gjë e tillë është shumë e vështirë (për të mos thënë e pamundur) për një akt të botuar në Fletoren Zyrtare. Nëse dikush do dërgonte çështjen në gjykatë e do jepte si bazë ligjore statusin e Kryeministrit, nuk do merrej veçse si shaka, por këtu nuk ka asgjë për të qeshur. Deri në datën 17 prill, ishin ekzekutuar mbi 7 mijë gjoba, të gjitha të bazuara në akte të pabotuara deri më 10 prill, dhe për pasojë pa asnjë fuqi juridike. Për të kompensuar mbi këtë, u miratua një akt normativ i posaçëm për faljen e gjobave, që në fakt ishin që nga fillimi të paligjshme dhe të pavlefshme. Shtrirja e ligj-bërjes e politikë-bërjes me Facebook tek regjimi i lëvizjes së njerëzve dhe mjeteve e ka ndërlikaur edhe më tej situatën, duke krijuar situata komike ankthi pritës -njerëz që presin deri vonë para Facebook që të mësojnë nëse duhet të punojnë apo jo të nesërmen dhe nëse po, deri në çfarë ore!!! Vendimet e fundit mbi zgjatjen e orarit në të ashtuquajturat zona të kuqe nuk janë botuar ende gjëkundi, që do të thotë se nuk kanë hyrë ende në fuqi. Ndërkohë, kushdo i pranon postimet e botuara në një faqe në rrjet social si autoritetin absolut vendimmarrës në Shqipëri. Për Kryeministrin duket se deputetët, ministrat dhe nëpunësit e lartë, nuk janë gjë tjetër veçse një bezdisje. Për shumë vite, në mungesë të një hapësire komunikimi, rrjetet sociale janë përdorur gjerësisht për informim dhe organizim nga protestuesit në vendet autokratike, pasi autokratët e pamësuar me teknologjitë e reja nuk mund t’i bllokonin. Sot, janë autokratët ata që përdorin rrjetet sociale në funksion të pushtetit. Edhe ato pak procedura formale që vonojnë kthimin e vullnetit të tyre në ligj duken të tepërta për autokratin modern.