Kryeministri Rama: Indeksim vjetor i pagës së mjekëve dhe infermierëve mbi bazën e vjetërsisë në punë
Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë gjatë 2026 do të fillojë edhe indeksimi vjetor i pagës mbi bazën e vjetërsisë në punë.
Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin e sotëm me personelin shëndetësor në QSUNT u ndal edhe tek rritja e pagave për mjekët dhe infermierët, të cilët do të përfitojnë rritje të re përveç indeksimit vjetor.
“Do të vazhdojmë të rrisim pagat për mjekët, edhe patjetër do vazhdojmë të rrisim pagat edhe për infermierët. Faktikisht do të rritet 135 euro në muaj dhe në ndërkohë është vendosur edhe diçka tjetër për herë të parë, që nuk e kemi pasur mundësinë ta vendosim përpara, që do të bëjmë dhe një vlerësim në punë”, tha Rama.
Kryeministri Rama informoi se “do të bëhet faktikisht indeksimi vjetor i pagës mbi bazën e vjetërsisë në punë dhe kjo do të jetë një shtesë tjetër që do të vlejë, qoftë për mjekët, qoftë për infermierët apo për teknikët e shkencave mjekësore, gjë që shkon plus asaj rritjes për të cilën unë fola”. Gjithashtu, shtoi Rama, do të rritet digjitalizimi, për të futur sa më shumë dhe sa më shpejt edhe inteligjencën artificiale në proceset e trajtimit të pacientëve nga ana e shërbimit shëndetësor.
Shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe në rrethe
Në mbyllje të këtij viti dhe në vigjilje të festës së Krishtlindjes, siç është kthyer në traditë tashmë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala vizitoi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet, për t’u përshëndetur me mjekë, dhe infermierë, por jo vetëm.Pacientët e vegjël që trajtohen në shërbimin e Pediatrisë ishin të parët që u vizituan nga Kryeministri Rama, i cili shpërndau për ta dhurata me rastin e festave të fundvitit, duke iu uruar shërim të shpejtë dhe kthim sa më parë në shtëpi.
“Ne e bëjmë këtë çdo vit, kështu që kemi ardhur të sjellim dhuratat për ju që ta kaloni gëzuar Vitin e Ri bashkë me mamat dhe me babat, edhe që të shëroheni sa më shpejt që të ktheheni në shtëpi dhe në shkollë”, uroi Kryeministri vogëlushët që shoqëroheshin nga prindërit në mjediset spitalore. Më tej, Kryeministri Rama, vijoi vizitën në Spitalin Onkologjik, i cili në muajt e fundit ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe ka rritur kapacitetet pritëse.
Drejtuesja e QSUNT Anxhela Paparizo, e cila shoqëronte Kryeministrin në këtë vizitë, informoi se është realizuar rikonstruksioni i një sërë ambienteve, mes të cilave sallat e kemioterapisë ditore, që janë pajisur edhe me aparatura të teknologjisë moderne.





















