Flet Dr. Enriko Ceko:
Kështu si është gatuar, duket si «paçe fisk(h)ale, ku paçja e fiskalitetit gatuhet në ËC-në e pushtetit dhe konsumohet në tryezën e korrupsionit
– Nuk ka asnjë orientim për emigrantët, dhe nëse borxhet falen për disa, nëse kriter bëhet afërsia me pushtetin, apo bindja politike, atëherë nuk kemi ligj, kemi përzgjedhje
– Një shtet që fal energjinë sipas votës, nuk është shtet, por klientelë politike pasi ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë
-Paqja fiskale nuk matet me sa borxhe u falën sot dhe sa u rrit vlera e aksioneve të politikanëve në tregun shqiptar të politikës, por me çfarë mesazhi u jep shteti, për të nesërmen
-Nëse do falen të gjithë, ai që respektoi rregullat u ndëshkua, ai që i shkeli u shpërblye, dhe kjo nuk është paqe fiskale
– Edhe për kontributet e papaguara dhe kolaudimin, nuk mund të ketë zgjidhje të verbra apo selektive, por të bëhen publike
– Ka të tjerë që, edhe pse jo në gjendje të mirë ekonomike, me shumë sakrifica, i kanë paguar gjithmonë dritat, edhe kur s’kanë pasur mundësi, çfarë do bëhet?
– Nuk është aspak dhe thjesht çështje borxhesh, faturash, gjobash a tjetër gjë është çështje besimi, drejtësie dhe qytetarie
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Ditët e fundit FMN ka vlerësuar se pa reforma të thella strukturore dhe pa respektim rigoroz të disiplinës fiskale, përfshirë shmangien e faljeve të përsëritura fiskale, Shqipëria rrezikon të minojë arritjet e saj ekonomike dhe të ngadalësojë rrugën drejt konvergjencës me Bashkimin Evropian. Pra, ndërsa Shqipëria vijon të shënojë rritje të qëndrueshme ekonomike, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se një sërë rreziqesh të brendshme dhe të jashtme mund të minojnë stabilitetin makroekonomik, me theks të veçantë te nisma e ashtuquajtur “Paqja Fiskale”. Për të nga specialist të fushës ka shumë rezerva dhe kritika. Në përfundim të Konsultimit të Nenit IV për vitin 2025, FMN vlerëson se rritja ekonomike prej mbi 3,5% mbështetet kryesisht nga turizmi dhe konsumi privat, por thekson se këto burime nuk mjaftojnë për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë në mungesë të disiplinës fiskale dhe reformave strukturore. Një nga shqetësimet kryesore të FMN-së lidhet me marrëveshjen e “Paqes Fiskale”, e cila parashikon falje borxhesh dhe rivlerësim preferencial të pasqyrave financiare. Sipas Bordit Ekzekutiv të FMN-së, kjo nismë rrezikon të dëmtojë seriozisht progresin e arritur ndër vite në administrimin tatimor dhe përputhshmërinë fiskale, duke krijuar precedent negativ dhe duke dobësuar besimin te sistemi i taksave. Lind pyetja si do të zabtohet Paqja Fiskale pë rata që nuk kanë paguar dritat dhe janë në emigracion? Po ata që nuk kanë paraqitur makinat për koalidim? Ja si përgjigjet eksperti Ceko…
- Ceko! “Paqja fiskale” është çështje e ditës në Shqipëri. P.sh çfarë do bëhet për ata që nuk kanë paguar asnjëherë energjinë elektrike? A mund të bëhet selektive paqja fiskale kush ka votuar PS-në “kalon në paqe” …ndërsa fansi opozitës do paguaj njëlloj si dje dhe sot? P.sh ata që kanë vite në emigracion me shtëpinë mbyllur a do falen apo do paguajnë në mënyrë selektive?
Flasim për “paqen fiskale”. Ta themi hapur, është një nga ato vendime që ose e forcon shtetin, ose e dëmton shumë rëndë atë. Nuk është aspak dhe thjesht çështje borxhesh, faturash, gjobash a tjetër gjë. Është çështje besimi, drejtësie dhe qytetarie. Ka të bëjë me ne, ne të tërë.
Ta nisim nga energjia elektrike. Ka qytetarë dhe subjekte publike e private, që prej vitesh nuk kanë paguar asnjë faturë. Ka të tjerë që, edhe pse jo në gjendje të mirë ekonomike, me shumë sakrifica, i kanë paguar gjithmonë detyrimet, edhe kur s’kanë pasur mundësi. Nëse sot shteti vendos t’ua falë gjithçka atyre që nuk kanë paguar kurrë, mesazhi në fakt është i qartë, por i gabuar. Pra, ai që respektoi rregullat u ndëshkua, ai që i shkeli u shpërblye, dhe në këtë këndvështrim, kjo nuk është paqe fiskale. Kjo është bjerrje në batak e çdo ndjenje drejtësie. Zgjidhja e arsyeshme është balance, të falen gjobat dhe interesat, sepse shpesh janë fryrë, por detyrimi bazë të paguhet, qoftë dhe me këste dhe në përputhje me mundësitë reale të individëve e familjeve, ndërsa përsa i përket subjekteve publike dhe private, nevojitet qasje krejt tjetër. Detyrimet për to duhet të shlyhen. Se si, është çështje tjetër.
-Kështu si po trajtohet çështja, lind një pyetje që shumë njerëz e mendojnë, por pak e thonë me zë të lartë. A do të jetë kjo paqe fiskale për të gjithë njësoj?
Nëse borxhet falen për disa dhe për të tjerët jo, nëse kriteri bëhet afërsia me pushtetin, apo bindja politike, atëherë nuk kemi më ligj. Kemi përzgjedhje. Dhe një shtet që fal sipas votës, nuk është shtet, por klientelë politike. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, pa asnjë përjashtim dhe pa sjellë privilegje. Një tjetër padrejtësi e madhe lidhet me emigrantët. Ka mijëra individë e familje që jetojnë jashtë vendit prej shumë e shumë vitesh. Këtu kanë lënë shtëpitë mbyllur dhe që rezultojnë me borxhe për “mospagesë” të energjisë elektrike. Këtu qytetarët kanë të drejtë të pyesin. Si mund të krijohet borxh aty ku nuk ka pasur shpenzim (konsum)? Në këto dhjetëra, qindra e mijëra raste, shteti duhet të veprojë me logjikë, transparencë dhe ndershmëri. Nëse shtëpia ka qenë e mbyllur dhe energjia nuk është konsumuar / përdorur, atëherë faturat dhe gjobat nuk janë reale. Ato duhet të hiqen. Çdo gjë tjetër është padrejtësi, sepse nuk ka saktësi dhe realizëm.
Apo edhe për ata qe nuk kanë paguar kolaudimin si do falen gjobat për të gjithë apo ka një mekanizëm të fshehur?
Edhe për kontributet e papaguara dhe kolaudimin, nuk mund të ketë zgjidhje të verbra. Shumë biznese të vogla dhe individë janë mbytur nga gjoba dhe interesa që janë rritur më shpejt se vetë detyrimi. Këtu falja e gjobave dhe interesave është e arsyeshme, por detyrimi bazë nuk mund të zhduket, sepse lidhet drejtpërdrejt me pensionet dhe sigurinë sociale të vetë qytetarëve. Në fund të fundit, paqja fiskale nuk matet me sa borxhe u falën sot dhe sa u rrit vlera e aksioneve të politikanëve në tregun shqiptar të politikës, por me çfarë mesazhi u jep shteti, lidershipi dhe opozita për të nesërmen. Nëse qytetari bindet se ka ligj dhe se ligji është i drejtë dhe i njëjtë për të gjithë, ai paguan. Nëse qytetari bindet se ligji përdoret me selektim, për favore dhe vota, ai nuk paguan më. Kjo është arsyeja madhore, kryesore. Paqja fiskale duhet të jetë një herë. Duhet të jetë e qartë. Duhet të jetë e drejtë. Duhet të jetë për të gjithë. Në të kundërt, nuk sjell paqe. Kjo qasje, kështu si është gatuar, sjell vetëm një borxh shumë më të madh. Ky është borxhi i humbjes së besimit te shteti, borxh që kjo qeveri nuk ka përse ta krijojë, ndaj qytetarëve, kur jo pak borxhe u ka ajo qytetarëve të drejtë dhe të ndershëm të këtij vendi të varfër. Në këto kushte, kjo nuk mund të konsiderohet “paqe fiskale”. Kështu si është gatuar duket si «paçe fisk(h)ale. Ku paçja e fiskalitetit gatuhet në WC-në e pushtetit dhe konsumohet në tryezën e korrupsionit.






















