Kryeministri Rama: Nuk kishim kërkesë për vëllanë e Xhafës. BE të mbajë premtimin, ne të gatshëm të presim emigrantët

537
Sigal

BE-ja të mbajë premtimet, ne të gatshëm të presim emigrantët

Kryeministri Rama në intervistë me gazetë austriake, për negociatat: Nuk kishim kërkesë për vëllanë e Xhafës

Shqipëria është e gatshme të sakrifikojë negociatat për të shpëtuar BE nga vala populiste, përndryshe deklaron kryeministri Rama, vendi jonë ka plotësuar të gjitha detyrat e lëna. Në një intervistë për median austriake profil.at, Rama thotë se çelja e bisedimeve me 28 qershor nga Këshilli Evropian do të ndihmonte Shqipërinë për të çuar më tej reformat. I pyetur nga gazetari austriak, Otmar Lahodynsky, lidhur me çështjen e vëllait të Ministrit Xhafaj, ai tha se nuk ka kërkesë ekstradimi nga Italia. Rama është ndalur edhe tek çështja e azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE-së, si një problem i ngritur nga vendet skeptike dhe ka thënë se Shqipëria është gati t’i kthejë të gjithë shqiptarët në atdhe, nëse BE e vendos si kusht për hapjen e negociatave.

– Në fund të qershorit, Këshilli Evropian në Bruksel do të vendosë për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Për momentin kjo gjë nuk duket shumë mirë.

– Nëse vonesa e hapjes së negociatave për Shqipërinë, do ta ndihmonte Bashkimin Evropian të frenonte rritjen e populizmit në BE atëherë unë jam gati. Por ne kemi bërë gjithçka që BE na ka kërkuar të bëjmë. Ne e ndryshuam kushtetutën në kompromis me opozitën, e cila nuk pajtohet me pothuajse asnjë çështje. Tani po vendosim në punë një sistem të ri emërimi për gjykatësit dhe prokurorët. Natyrisht, Shqipëria ka nevojë ende për shumë kohë për t’u bërë anëtare e BE-së, por ne nuk jemi aktualisht të interesuar për anëtarësim. Nisja e negociatave për pranimin do na ndihmonte për zbatimin e reformave.

– Disa shtete si Franca, Holanda dhe Danimarka kanë ende rezerva për hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

– Është e vështirë për mua të kuptoj se pse vendimi i Komisionit të BE për të filluar bisedimet me ne nuk duhet të jetë detyrues për shtetet anëtare. Ne jemi gjithashtu të gatshëm t’i kthejmë bashkatdhetarët që banojnë ilegalisht në Francë ose në vende të tjera të BE. Por besimi i shqiptarëve në BE dhe gjendja e mirë këtu do të dëmtohen. Nëse numri i refugjatëve rritet, ne presim ndihmë nga BE. Kjo është ajo që i thashë kancelarit federal Kurz në Vjenë.

Sipas kancelarit austriak Sebastian Kurz ekziston një rrugë e re kalimi në Ballkan për refugjatët nga Shqipëria dhe Bosnja.

– Ne kemi të regjistruar rreth 2200 refugjatë nga Siria dhe Pakistani që nga fillimi i vitit. Ka rritje, por ende është një numër i vogël. Ne nuk duam të ndërtojmë barriera kufitare. Megjithatë, nëse rritet numri i refugjatëve, ne do presim ndihmë nga BE.

– Ka akuza kundër ministrit të Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, se ai ka mbrojtur të vëllain e tij, të dënuar për trafik droge.

-Italia nuk ka kërkuar kurrë ekstradimin e tij. Çfarë duhet të bëjmë?

– E ndaluat dot ju kultivimin në shkallë të gjerë të kanabisit në Shqipëri gjatë vitit 2016?

– Ne e luftuam në mënyrë efektive. Por kush flet për problemet e drogës në Holandë apo në Francë? Gjithmonë të akuzuar jemi ne shqiptarët.