Kryeministri Rama: Nuk do të zgjedhim president nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, por do ofrojmë kandidaturë bindëse

Kryeministri Edi Rama në seancën plenare foli për  zgjedhjen e presidentit të ri dhe tha se nuk do të jetë një emër nga grupi parlamentar i PS.

Rama u shpreh se nëse do e kishte bindjen për një kandidat do e kishte bërë publike e as do e pyeste opozitën fare.

Sigal

Më tej, ai iu drejtua opozitës, duke thënë se do kenë gjithë konsultimet e nevojshme me PS-në nëse do japin kandidaturë bindëse.

“Nëse do e kishim bindjen për një kandidat që do na bindte plotësisht do e kishim bërë publike e as do ju kishim pyetur ju fare, por nuk e kemi kjo është e vërteta, nuk e kemi. Doni të jepni ju kontribut? Bujrum. Çfarë do zgjidhim ne me ju? Ju keni arritur në pikën që vini këtu merreni me zarfet e një procesi konfidencial, si në proces votimit që me zarf behet. Na tregoni ju hipokrizinë ne kur nxorrët 5 mijë veta në 2 mijë karrige.

 

PS hap zarfet e deputetëve, lista mbetet sekret

Partia Socialiste hapi dje zarfet e dorëzuara nga deputetët socialistë, ku mbajnë emrat e propozuar për Presidentin e ri të vendit. Mësohet se janë 67 emra që janë dorëzuar dhe do të shqyrtohen nga tre negociatorët e mandatuar nga Rama për këtë proces: Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri.

Nga të gjithë emrat e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste për Presidentin e ri, vetëm 67 prej tyre janë seleksionuar nga grupi negociator për t’u diskutuar më tej mes vetë maxhorancës, grupeve të tjera parlamentare dhe shoqërisë civile.

Kryeministri Edi Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë që ata të dalin në raundet e para me më shumë se 1 kandidaturë. Por emrat e propozuar për President do të vazhdojnë të mbeten sekret, shkruan Panorama. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, siguroi dje se emrat nuk do të bëhen publik.

“Në asnjë moment nuk do të bëjmë publik emrat e propozuar. Janë pjesë e strukturimit të disa propozimeve që kanë ardhur nga deputetët, por ne respektojmë një element thelbësor sepse është e padrejtë që të bëjmë publik emrat e propozuar. Kemi marrë më shumë se 200 emaile propozimi që vijnë nga publiku. Sa kohë që ne duam të negociojmë me opozitën, nuk mund të vijmë me emra konkretë. Nuk dihet se sa do të arrijmë. Javën e ardhshme do të kemi takim me Alibeajn që të arrijmë të dakordësojmë kalendarin”, deklaroi z.Balla.

Ditën e hënë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Edi Rama, theksoi se socialistët kanë vetëm 2 kushte, që të jetë një figurë normale dhe jo politike, pra, sipas tij e kundërta e Ilir Metës. Këtë të fundit e quajti si Presidentin më skandaloz që ka pasur vendi në historinë e tij, që e ka bërë Shqipërinë qesharake.

Deputetët socialistë zhvilluan publikisht procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për President. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, secili nga deputetët dhe anëtarët plotësoi një fletë me tre emra dhe e futi në një zarf e më pas në një kuti.

Por 3 preferencat e çdonjërit prej 74 deputetëve do të mbeten konfidenciale dhe nga lista me 222 emra që do të përpunohet prej grupit të punës do të mësohen vetëm kandidatët që kanë marrë më shumë mbështetje.