Kryeministri Rama: Dialog dhe KFOR-i të marrë kontrollin në Veri

14
Sigal

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat tha të enjten nga Tirana se nevojitet që të ngrihet më lart niveli i përfaqësimit euroatlantik në dialog dhe se një hap i tillë duhet marrë shpejt, duke paralajmëruar për një skenar tragjik në rast të kundërt. Sipas Ramës, KFOR-i duhet të jetë ai që të marrë në kontroll Veriun e Kosovës, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. “Minimalisht, formati i derisotëm i Brukselit, ku venë e vijnë dy burra nga këndej dhe hyjnë e dalin dy burra nga atje, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Kjo minimalisht është e qartë. Gjerat mund të shkojnë larg dhe mund të shkojnë shpejt. Prandaj, jo vetëm niveli i përfaqësimit i nivelit euroatlantik në dialog duhet ngritur lart dhe duhet ngritur shpejt, por duhet patur parasysh që kjo të bëhet se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve të pazbatuara, vonesa e këtij hapi mund të sjellë edhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur dhe për të parandaluar këtë konflikt, KFOR-i duhet të marrë në kontroll Veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë edhe në Samitin e NATO-s. Tani çdo hezitim dhe vonesë, deri me argumentin e orëve të fundit jo kemi jo s’kemi mjaftueshëm trupa, mund ta bëjë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa, por edhe në vështirësi”, -tha kryeministri Edi Rama.