Kryemadhi: Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për dije, kemi nevojë për të rinjtë dhe të rejat që kanë në dorë fatin e Shqipërisë.

175
Sigal

Në vazhdim të takimit për arsimin, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka ritheksuar sërish rëndësinë që LSI i jep arsimit.


Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në tryezën e arsimit në Elbasan:

Dua të theksoj edhe njëherë rëndësinë që ne si LSI i vendosim arsimit, prioritetin që kemi ne për arsimin. Pika më e rëndësishme, është që 5 prioritetet tona, të cilat janë shumë të thjeshta, shumë reale, janë të realizueshme në 5 muajt e parë, ku një nga pikat kryesore të këtyre 5 prioriteteve është arsimi. Sepse është ajo që ne e theksojmë, e rivlerësojmë, e rithemi herë pas here, që arsimi për ne nuk është shpenzim, por është investim.

Dhe nëse duhet të bëjmë planin e 100 viteve, duhet të kemi një arsim cilësor për të menduar për 100 vitet e ardhshme. I gjithë fokusi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, për hir të së vërtetës, nuk është fokusuar thjesht tek propozimet elektorale, që kanë të bëjnë vetëm me momentin, por është fokusuar sesi ne kemi mundësinë jo vetëm për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit, por sesi këto të ardhura të rriten në mënyrën e menjëhershme, pa dëmtuar xhepin e shqiptarëve, por përkundrazi për të krijuar hapësira dhe lehtësira.

Unë jam e bindur tek fuqia e mendjeve të ndritura që ka LSI-ja. Po i quaj mendje të ndritura, sepse për mua sot për një pedagog apo pedagoge, që i bëjnë ballë jo vetëm vështirësive të mësimdhënies, presionit politik, rrugaçëror, banditesk, të një shteti që ka rënë në duart e një bande kriminale, është vlerësim i jashtëzakonshëm dhe më shumë se kurrë ne si LSI duhet të krijojmë hapësira jo vetëm për depolitizimin e shkollave, jo vetëm për depolitizimin e universiteteve, por për t’i bërë ato të çlira, sepse një mësues edukon një brez të ri. Mendoni sikur mësuesit tanë në Elbasan t’i emërojnë bandat, në Fier t’i emërojnë bandat, t’i emërojnë mercenarët, mendoni se çfarë prodhimi dhe të ardhme do të ketë Shqipëria.

Koha e bandave, koha e grupeve që emërojnë dhe çemërojnë mësuesit, pedagogët tanë e këdo tjetër duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Dhe 25 prilli erdhi, 74 ditë na ndajnë nga ai. Janë ditë të cilat ikin me shpejtësi marramendëse, sado që ne të themi që janë shumë 2 muaj e gjysëm për shqiptarët. Por siç janë shumë për të kaluar në kalvarin e vuajtjeve të qeverisë në ikje, ashtu edhe janë shumë të shpejta për të ecur çdo ditë, për të biseduar me nxënësit, me mësuesit, me pedagogët. Me çdo qytetar dhe për ta bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve për të qenë vend i Bashkimit Europian.

Unë u jam mirënjohëse juve jashtëzakonisht shumë, sepse keni qenë motivimi, keni qenë forca ime, për të përballuar çdo sfidë dhe angazhim timin. Sepse sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për dije, kemi nevojë më shumë se kurrë për të rinjtë dhe të rejat dhe kemi nevojë për angazhimin e asaj shtrese që ka në dorë fati e Shqipërisë. Mendoni sikur të ngelemi në dorë të një grupi njerëzish që shkatërruan arsimin, që nuk kanë respekt për mësuesit, por përkundrazi i fyejnë ata, i intimidojnë. Sepse sot një mësues që ka frikë për të thënë fjalën e tij, i cili nuk guxon të ngrejë zërin për metodologjinë, për mungesën e hapësirave, për mungesën e infrastrukturës, nuk mund të jetë kurrë mësuesi i një brezi të ri dhe aq më shumë mësuesi i brezit të vitit 2021.

Kështu që unë ju falenderoj dhe u jam mirënjohëse. Sfida të mëdha na presin. Sepse arsimi ndikon në bujqësi, në industri, në agro përpunim, në shëndetësi dhe mbi të gjitha arsimi ndikon tek fëmijët tanë.