Kryemadhi: Situata të menaxhohet nga specialistët, këto pezullojnë për 2 javë check upin por nuk e anulojnë. Qeveria refuzoi propozimin e Bankës së Shqipërisë

533
Sigal

Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për emisionin “Open” në Top Channel

Znj. Kryemadhi çfarë duhet të bëjmë sipas jush? Të rrimë në rrugë, të kontaktojmë?

E para unë mendoj, ajo që është shumë e rëndësishmja është që duhet t’i japim besim, forcë dhe kushte personelit mjekësor. Tani vetëm në Shqipëri ndodh që gazetarët dhe opinionistët bëhen mjekë edhe infermierë. Duhet tani t’iu japim aget juve që të bëni analizat e gjakut, për tu marrë gjak njerëzve nëpër damarë? Çdo gjë është kthyer mediatike kur unë mendoj që mungesa e informacionit të qytetarëve është shumë më e madhe dhe nuk është faji i qeverisë, po themi për mungesë informacionesh. Asnjëri nuk e ka informacionin edhe sot e kësaj dite se çfarë ndodh edhe se si vjen por ajo që unë mendoj se është shumë e rëndësishme është çdo ndjenjë paniku që i futet popullatës është shumë më e dëmshme se sa virusi.

Unë jam kundër panikut, sigurisht që rregullat janë kryesoret dhe rregullat në rradhë të parë duhet të fillojnë nga qeveria. Pra qeveria në radhë të parë të pajisë me skafandra, me maska, me veshje, me çdo gjë shërbimin kryesor, ata që janë pritësit kryesorë. Kemi një QSUT që është kthyer në karantinë kur ndërkohë duhet të kthehen disa spitale të tjera që janë apostafat për atë punë që duhet të ishin kthyer në karantinë, që merren me sëmundjet e pamundësive respiratore. Ka mjekë shumë të aftë që mund ta sqarojnë duke filluar që nga Z. Vasili bashkë me Z. Pipero që kanë manaxhuar që nga gripi i derrit, SARS-i e shumë të tjera. Që kanë qenë pothuajse në këto nivele shumë të mëdha, por kanë qenë më të mirë menaxhuara, sepse këto gjëra nuk bëhen me inat, këto gjëra bëhen me profesionalizëm. Nuk është kjo punë ‘topin e kam unë, penalltinë do ta gjuaj unë.’ Kështu thotë Rama, jam unë Kryeministër dhe do të përdor unë mjekët e mi.

Ka mjekë që janë për atë punë, ka dhe mjekë që janë edhe për gjëra të tjera. Ai mjekët që i përdor për gjëra të tjera le t’i mbajë për gjëra të tjera. Shqiptarët kanë nevojë të jenë të qetë. Boll janë në panik ekonomia shqiptare, bizneset shqiptare, familjet shqiptare për shkak të varfërisë dhe të shumë gjërave të tjera të qeverisjes. Boll vazhdon akoma trauma e tërmetit të 26 nëntorit.Dhe të gjithë ata që janë me shtëpi përjashtë vazhdojnë të jenë me shtëpi të pandërtuara se tani ndaloi dhe rindërtimi, ndaloi dhe Konferenca e Donatorëve, tani as kreditë nuk do na i japin më. Se të gjithë i kanë çuar lekët që do i jepnin kredi qeverisë tonë, për tu mbrojtur nga koronavirus për veten e tyre.

Tani sa më erdhi notification, ka dalë Ministrja e Shëndetësisë dhe ka kundërshtuar kryetarin e opozitës dhe thotë e kemi pezulluar koncensionin.Këto jo koronavirus ,po janë nëna e koronavirusit. Po e pezullojnë për dy javë ne koncensionin e shëndetësisë por nuk e kemi anuluar. E dyta Banka e Shqipërisë kërkon që të mos u merren interesa për këto kohë sa është karantina, del qeveria shqiptare dhe thotë në nuk e miratojmë këtë gjë sepse paska hallin e pronarëve të bankave që janë të lidhur me Kryeministrin. A janë në terezi këta? Tani ti më mbyll mua në shtëpi, mbyll bizneset, mbyll njerëzit në shtëpi. Vërtetë Edi Rama e paguan punëtorin e vet dhe qeveria administratën se ata edhe pa rënë virusi nuk është se bënin ndonjë punë të madhe. Po këta që kanë dyqane me qera? Po këta që kanë biznese? Po këta që kanë kredi për të paguar? Do t’i lusin dorën pronarëve të bankave që janë miq të Edi Ramës? Kështu i bie të fillojnë banka që drejtohen me borde nga familjarë etj të Edi Ramës, të fillojnë të sekuestrojnë pronat e shqiptarëve që i kanë lënë kolateral për kreditë e tyre se qeveria e Ramës nuk do që t’u falë interesat. Duhet t’i jepet pozitivitet shqiptarëve, energji pozitive. Unë po të flas në aspektin tim familjar. Çdo e keqe e ka një të mirë.

 

Të gjithë do kuptojmë ku jemi në shtëpitë tona njëherë. Do lajmë e do shpëlajmë ne gratë se kemi me vite të tëra pa prekur leckë më dorë. Do gatuajmë, do sorollatemi, do njohim fëmijët tanë më shumë, do njohim burrat më shumë, do njohim gratë më shumë. E dyta duhet t’i mendojmë gjërat për t’i dhënë qytetarëve shqiptarë qetësi. Shqiptarët duhet t’i luten Zotit të kthehen në besimin e tyre. Jo pa qëllim kam vendosur që të dal këtu në krah me portretin e Shenjtores Nënë Tereza. T’i lutemi që ashtu siç ka shëruar me qindra mijëra njerëz të sëmurë dhe të varfër, të vendosë dorën e saj mbi këtë popull shumë të varfër të cilin nuk e kanë gjunjëzuar asnjëherë sëmundjet. E ka gjunjëzuar thyerja e shpirtit. Dhe të jeni të bindur që asnjë gjë më të rëndë se vdekja e shpirtit nuk ka për një popull, sepse vdekja fizike nuk është asgjë. Vdekjen fizike nuk ta jep as politika, as qeveria, as televizionet, vdekjen fizike ta jep vetëm Zoti lart. Dhe vdekjen shpirtërore ta jep politika. Unë po të them diçka shumë të rëndësishme, ne e dimë që do vdesim një ditë, por kur të na vijë vdekja të paktën të jemi të gjallë shpirtërisht.

Fjala karantinë ka kuptimin që është për një periudhë 40 ditë, siç janë 40 ditët e kreshmës, 40 ditët e agjërimit. Ashtu siç duhen 3 javë për inkubacionin e virusit, do të duhen edhe 3 javë të tjera për zhbërjen e tij. Pra këtu nuk është çështje 14 ditësh, nëse qeveria thotë duhen 14 ditë atëherë është një mashtrim, sepse 14 ditë nuk janë të mjaftueshme për karantinë. Apo ndoshta është operacion financiar i qeverisë tonë që të mos përfundojmë dhe ne si Italia apo edhe shumë gjëra të tjera. E rëndësishme është që në radhë të parë të gjitha propozimet e opozitës që ua tha edhe pak më përpara zoti Basha zoti Rama të dalë në zyrë dhe t’i firmosi.

Me thënë të drejtën u trondita sepse të pashë në fytyrë që ishe shumë e shqetësuar. Ne shqiptarët në përgjithësi jemi popull pastërtor, edhe pse Lali Eri e ka lënë Tiranën pa ujë, por edhe gjithë Shqipëria është pa ujë. Vetëm fasada kanë bërë. Por prapë gratë shqiptare rrokaten, strapacohen, ngrenë ujë në krah dhe i mbajnë shtëpitë e tyre dritë. Kështu që unë dua një big up të madh për gratë shqiptare, për vajzat tona të mrekullueshme që janë të jashtëzakonshme dhe me thënë të drejtën edhe themeli i familjes shqiptare te gratë dhe vajzat tona ka qenë gjithmonë.

Në shtëpi keni qenë këto ditë? Keni ndenjur në karantinë?

Po kam ndenjur, por edhe kam dalë për të blerë ushqime. Në fakt nuk jemi të gjithë, jemi të ndarë, sepse edhe duke përsëritur atë që tha doktor Pipero, që njerëzit më të prekur janë moshat e mëdha, ne jemi të ndarë sepse unë kam qenë shumë në kontakte me njerëz, edhe Iliri po ashtu. Dhe prandaj jemi të ndarë nga fëmijët, edhe nga mamaja ime. Fëmijët janë më mamanë timë, kurse unë jam me Ilirin bashkë.

Kujdeseni për njëri tjetrin pra…

Kujdesemi për njëri tjetrin dhe me thënë të drejtën të githë kemi nevojë për të parë disa gjëra më afër njëri tjetrit. Unë jam edhe në kontakt me të gjithë miqtë e LSI-së.

Shyqyr që u takuat me Ilirin, thotë Profesori duke qenë se jeni të dy në aktivitete dhe nuk takoheni…

Shyqyr që u takuam, rroftë karantina. Të bashkojmë energjitë pozitive që të gjithë, sepse ditë më të mira do të vijnë për Shqipërinë. Zoti ynë lart kurrë nuk i ka dënuar dhe nuk i dënon fëmijët e tij, por nganjëherë ne duhet të paguajmë për gabimet tona, sepse liria e ekzagjeruar si dhe makutëria që na kap ndonjëherë, bën që ne të shkatërrojmë sistemin shëndetësor, bëjmë që të shkatërrojmë kulturën. Sa më shumë gjëra të lumtura t’u thoni shqiptarëve, aq më mirë është. Po ecet me programin e qeverisë, duke I futur shqiptarët në panik me shtetrrethim, urrejten dhe revoltën e tyre, nuk ka virus që ta ndalojë. Kështu që lërini shqiptarët të jenë të lirë, lërini shqiptarët të mendojnë të lumtur, sepse vetë kjo gjë do t’i ndihmojë ata. Mos i vrisni shqiptarët, por vrisni virusin që po shkatërron Shqipërinë.

Doktor Pipero, je doktori më i mirë pas Petrit Vasilit, dhe shumë të fala të gjithë stafit tuaj të mrekullueshëm të QSUT që janë heronj të vërtetë. Nuk na lë qeveria se do kishim ardhur t’iu ndihmonim, të ishim atje me ju. Ju dua shumë, të gjithë shqiptarët janë të jashtëzakoshëm. Ditë më të mira do të vijnë dhe beteja më të mëdha do të na ndodhin.