Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, takim me banorët e Vorës
Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të qartë, sepse zona e Vorës quhet një zonë industriale, edhe pse është pjesë e rëndësishme për agro-turizmin dhe agro-përpunimin e prodhimeve bujqësore, kështu që ka mundësi pafundësisht.
Dhe në fakt duhet të jetë një nga bashkitë më të pasura të qarkut të Tiranës, për shkak të ofrimit të shumë shërbimeve, sepse është vetëm 10 minuta larg Aeroportit të Rinasit, 17 minuta larg Portit të Durrësit dhe ndërkohë Kodrat e Vorës që janë shumë të bukura me ullishta, që krijojnë mundësinë jo vetëm të agro-turizmit, por edhe mundësinë e një lloj lëvizshmërie, qoftë kjo që mund të shërbejë për punësimin e të rinjve, për krijimin e një lloj klime pozitive për rritjen e zhvillimit të ekonomisë së zonës.
Çdo njeri që ka humbur shtëpinë nga tërmeti, ose çdo njeri që ka humbur një pronë private, shteti duhet tu dalë për zot pa dallim flamujsh politikë, megjithatë ajo që dua të them është që ne nuk i ndihmojmë njerëzit me mashtrime siç bëjnë ata, por i ndihmojmë me vepra konkrete.
Duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë blerja e varfërisë apo e nënshtrimit të shqiptarëve ditën e zgjedhjeve, dhe unë mendoj që sot pika më e fortë nuk është më thjesht vajtja te kutia e votimit për të votuar për një parti politike. Ne sot duhet tu bëjmë thirrje qytetarëve që të shkojnë në kutinë e votimit për të ndëshkuar me votë atë që e ka gënjyer, atë që i ka grabitur pronën, atë që e ka keqtrajtuar dhe të vlerësojë me votë që i është gjendur pranë në momente të vështira, atë që ka mbajtur premtimet në marrëdhënie me ta.
Sondazhi më i mirë është takimi me njerëzit, sondazhi më i mirë është biseda me ta dhe marrja e përgjegjësive të secilit nga ne përballë qytetarëve. Qytetarët shqiptarë janë më të mençur se politikanët shqiptarë, se po të ishin këta të fundit të mençur, Shqipëria sot do të ishte anëtare e BE, ndërsa qytetarët shqiptarë janë në vetvete pjesë e Evropës, janë evropianë, e duan Evropën, por për fatin e keq ato konjukturat politike kanë bërë që ne të marrim nganjëherë drejtimin e gabuar, siç ndodh sot që duan të manipulojnë opinionin publik.
Ndaj unë jam optimiste që takimet dhe bashkëbisedimet tona jo vetëm që e ulin LSI-në me këmbë në tokë për të parë realisht se çfarë ndodh, por i japin akoma dhe më shumë mundësi, e zgjerojnë hapësirën dhe diapazonin e saj jo vetëm me intelektualë dhe profesionistë, por edhe me njerëz që kanë kontribute në shoqëri, në komunitet, për të cilat partitë politike kanë vërtet nevojë. Partitë politike nuk kanë nevojë për ideologji dhe demagogji propagande, e cila është kthyer në gangrenë të politikës shqiptare, por ato kanë nevojë për individë që jetojnë me njerëzit, punojnë me ta dhe u shërbejnë atyre. Në fund të fundit kjo është një nga motot kryesore që ne duhet të ndryshojmë këtë lloj realiteti dhe tu japim shansin dhe mundësinë njerëzve të ecin përpara.