Kryemadhi: Në Devoll LSI do të dalë forcë parë por gara jonë është për të rikthyer shpresën dhe normalitetin ekonomik

335
Sigal

 

Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në Devoll (pjesa e parë)

Klodi faleminderit, mirë se ju gjeta, faleminderit Endrit, faleminderit Paris, faleminderit të gjithë djemve dhe vajzave, burrave dhe grave të Devollit që na bënë të mundur këtë takim mikpritës, por mesa duket edhe Zoti e ka pëlqyer shumë sepse na ka dhënë një diell të ngrohtë dhe siç na ngroh trupin po na ngroh dhe zemrat me gjithë këtë pjesëmarrje kaq të madhe. Klodi dua të falënderoj për iniciativën , guximin, kurajën por mbi të gjitha dhe për vendosmërinë për të krijuar hapësirën për anëtarët e LSI, për të rinjtë dhe të rejat, për t’u ndier jo vetëm të qëndrueshëm dhe të fortë në Devoll por për të qenë prezent me dinjitet dhe me integritet, atë për të cilën sot shqiptarët kanë nevojë, për forca politike  për parti politike, për përfaqësues politikë, të cilët i përfaqësojnë ata me dinjitet dhe integritet. Klodi është një shembull shumë i mirë për LSI, jo se është Klodi që është këtu, por Klodi është një djalë Devolli  i cili është shkolluar jashtë shtetit, është kthyer, punon dhe jeton në Devoll. Kur ndërkohë mund të bënte si shumë të tjerë, të mos kthehej më dhe të ndërtonte jetën e tij dhe familjen e tij jashtë Shqipërisë. Kjo është një arsye më shumë për LSI për Monikën, për Endritin, për gjithë strukturat tona që nuk është thjesht meritokracia sesa është  përgjegjësia dhe angazhimi ynë maksimal për të gjithë ata të rinj dhe të reja që kanë vendosur të jetojnë në Shqipëri. Për gjithë ata të rinj dhe  të reja që janë kthyer në Shqipëri. Dhe për të gjithë ata të rinj dhe të reja, burra dhe gra që duan të kthehen në Shqipëri sepse në fund të fundit Shqipëria është shtëpia jonë, Shqipëria është ai vend ku prindërit tanë kanë ndërtuar familjet, ku ne jemi rritur, jemi shkolluar dhe duam të ndërtojmë, të ardhmen e fëmijëve tanë e kështu me radhë. Prandaj Klodi te jam mirënjohëse dhe jo vetëm për këtë gjë por edhe për flamurin e LSI që nuk e le asnjë sekondë të bjerë në tokë në qytetin e Devollit. Dhe duke pasur kurajën, forcën , angazhimin, jo vetëm të Klodit por dhe të gjithë grupit mbështetës së Klodit, unë jam e bindur që atë që thotë Endriti LSI, do të jetë forcë e parë, as nuk e diskutoj fare dhe do të jetë një nga strukturat politike, më të angazhuara. Megjithatë unë nuk do të thoja që gara jonë është për të bërë LSI forcë të parë në Devoll, në Korçë apo në gjithë Shqipërinë. Gara jonë është për të kthyer shpresën të familjet shqiptare, gara jonë është për të rikthyer normalitetin ekonomik te bizneset shqiptare. Gara jonë është për të rikthyer normalitetin në arsimin shqiptar. Gara jonë është për të kthyer bujqësinë, që është një nga profesionet më të vështira.   Se sot nuk ka asnjë djalë apo vajzë të re që të shkojë të punojë në fushë sepse shpërblimi është jo qesharak, por është fyes ndaj tyre, kur ndërkohë është një nga profesionet më të vështira. Në çdo vend të BE qoftë edhe te fqinjët tanë, profesioni i bujqësisë është një nga profesionet  më të subvencionuara. Dhe konkurrenca tashmë bëhet e pandershme për produktet shqiptare, me produktet  që vijnë nga vendet e rajonit apo dhe nga vendet e tjera. E përmendi pak Endriti më përpara kur tha që kalben produktet shqiptare dhe hidhen në kanal. Në fakt është e vërtetë sepse nëse ne do t’i japim prioritet produkteve të importit, nëse ne do të marrim qepën e Kinës, nëse ne do të marrim mollën e  një vendi tjetër. Nëse ne do të marrim produkte bujqësore të vendeve të tjera që vijnë me muaj të tëra larg nga Shqipëria, normale që produktet shqiptare do të jenë të pamundura sepse TVSH-ja është ajo që “i thyen ne mes” fermerët dhe blegtorët tanë. Mungesa e subvencioneve, nafta që është më e shtrenjtë se në çdo vend të Europës. Për të vazhduar më pas me mungesën e infrastrukturën, Sistemi i vaditjes, sistemi i kullimit e kështu me radhë, të cilat janë kthyer në një gangrenë për bujqësinë.