Shkëlqim Bylykbashi: Pilo Lala, kapitalisti i parë në Shqipëri

752
Sigal

 

(Në kuadrin e 30 -vjetorit të biznesit )

Në vend të hyrjes

Tri dekada më parë, rikthimi i pronës private në Shqipërinë komuniste, pas një shkëputjeje 50 vjeçare, fillimisht u duk i pabesueshëm. Që të mos bënte “my”, kthimi nga socializmi në kapitalizëm, elita shtetërore përdorte më kollaj termin “ekonomia e tregut”. Qytetari ynë, z. Pilo Lala, është njeriu i parë që guxoi t’i hapte derën kapitalizmit në Shqipëri. Për të do të niste një rrugë e re, krejt e panjohur, një aventurë me “rriskun” plot enigma perëndimore. Askush nuk e dinte se çfarë fshihej mbas asaj dere. Instiktet profesionale, guximi dhe pozitiviteti i tij natyral e nxitën Pilon që të vazhdonte rrugën e nisur pa iu trembur syri nga sfidat që e prisnin. Ky ndryshim radikal, ku brenda 24 orësh ndërronte “statusin” nga shërbetor i socializmit, në kapitalist i parë në vendin më komunist të Evropës, kishte nga pas një sërë vështirësish. Në krye qendronte presioni i sistemit që po shëmbej dhe mentaliteti i njerëzve të indoktrinuar nga ideologjia komuniste. Vështirësia tjetër më e prekshme ishte mungesa e ushqimeve bazë për jetesë, kriza e bukës. Futja në lojë e sektorit privat shihej si një mundësi për shërbim alternativ dhe krijimin e një cilësie ndryshe nga ajo që ofronte socializmi i dështuar dhe strukturat  gjysmake që pavarësisht emërtimeve, furnizoheshin dhe vareshin nga shteti, por që tashmë ndryshimi nuk mund të shmangej.

Prindërit

Pilo Lala kishte një bazë nisjeje që e inkurajonin në rrugën e nisur. Në trungun e tij familjar ai kishte një lidhje të hershme me pronën private dhe konkretisht me tregtinë dhe ushqimin. Babai i tij, Pandi Lala, ka patur një aktivitet tregtar në qëndër të Divjakës.Në ato vite, z. Spiro Moisiu, i cili ishte komandant i batalionit që operonte në zonën e Divjakës, njeherësh mik i Pandi Lalës, e nxit këtë që ta linte tregtinë dhe e bëri pjesë të ushtrisë ncl. Pas çlirimit, Pandi Lalën e gjejmë funksionar në strukturat e pushtetit vendor të Lushnjës,ku merr edhe familjen në qytet.Familja e Pandit përbëhej nga bashkëshortja, katër djemë dhe dy vajza, ku Piloja ishte fëmija i dytë, lindur më 1945. “Lalët” ishin një familje e kulturuar.Kultura tregtare e familjes qe e gërshetuar me artin. Vëllai i tij, Thomai, ka qënë mbi 15 vjet drejtor i Qendrës Kultutote të rrethit, kurse vëllai tjetër, Gjergji Lala kishte mbaruar shkollën e lartë të Arteve dhe ishte artist, figurë e njohur artistike kombëtare. Këto patën ndikimin e tyre në formimin e Pilos dhe këndvështrimin e tij mbi realitetin.Njohja e disa gjuhëve, kontaktet me artistë të niveleve dhe shtresave të ndryshme, miq dhe dashamirës  kudo, bënë që në familjen “Lala” të kishte më shumë hapësirë mendimi.

Kronologji

Në vitin 1961, Piloja, pasi kishte mbaruar edhe studimet për merceologji,  inkuadrohet në brezin e parë të specialistëve të arsimuar në sektorin e kuzhinës.Kuzhinat në këtë kohë ishin një sektor shoqërues i shërbimit social si: hotele, restorante apo menca punëtorësh, ku kishte shërbime multifunksionale e natyrisht rolin kryesor e kishte kuzhina. Piloja me përkushtimin dhe pasionin e tij për kulinarinë, dalloi mbi të tjerët që në bangat e shkollës. Nxitja për t’u futur në kuzhinë është një histori interesante. Kushëriri i tij, Perikliu, në atë kohë kuzhinier, jetonte në një familje me Pandin.Një ditë të bukur, si një adoleshent kureshtar, Piloja provoi të vishte uniformën e kuzhinierit bashkë me kapelen tipike që mbahet nga personeli gjatë gatimit. Uniforma ngjiste,  i shkonte për shtat në mënyrë origjinale me fizionominë e Pilos. Që nga ai moment, familja e tij vendosi ta dërgonte djalin për specializim në shkollën përkatëse, duke realizuar kështu edhe ëndrrën e tij  drejt prpfesionit të preferuar. Nga ky episod, nisi të  merrte formë udhëtimi në profesionin e kuzhinierit  që me përkushtim, pasion e dashuri e bëri Pilon një figurë të njohur dhe plot respekt.Shkolla e Merceologjisë në Tiranë ishte një shkollë që, sapo ishte hapur dhe pedagogët e saj ishin emra të shquar që vinin nga kultura tradicionale lindore. Nga viti 1961-1963, Piloja kreu shkollën 2 vjeçare të kuzhinierëve në Tiranë, duke marrë kështu titullin më të lartë profesional për kohën, por mbi të gjitha një eksperiencë që do t’i ngjiste për ta mplakur në këtë profesion dhe tepër i kënaqur, jo vetëm si person, por edhe familjarisht.Specializimi në arsimin përkatës, i siguroi Pilos një punë të fisme në  NTAN si ndihmëskuzhinier, tek hotel-restorant “Myzeqeja”. Pas restorant “Myzeqesë”, Piloja, për shkak edhe të kualifikimit të lartë, i besohet përgjegjësia e shefit të kuzhinës tek restorant “Shkumbini”, kur ishte vetëm një djalë i ri 18 vjeçar. Duke qënë një restorant i madh dhe me emër, aty kishte një staf personeli me 14 persona, ku Pilo Lala shpërfaqi aftësitë e tij të shkëlqyera menaxhuese dhe profesionale.

 

Mësues dhe shef kuzhine

Në moshën 19 vjeçare Piloja mobilizohet për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Detyrën ushtarake e kreu në qytetin e Përmetit, 27 muaj. Shkolla e kuzhinës që kishte kryer,  e bëri atë që të vlerësohet nga komanda dhe 3 muaj për çdo vit, me rekomandim të komandës eprore, drejtonte një kurs ku ushtroheshin 40 ushtarë të rinj për të fituar profesionin e kuzhinierit, me qëllim që të gatuanin në pikat ku do të shpërndaheshin kudo në pjesën jugore të Shqipërisë. Nëntë muajt e tjerë të vitit, Piloja gatuante rregullisht për 80 oficerë. Kështu vazhdoi për tre vite, duke u bërë shumë i njohur. Gëzohej kur merrte falenderimet nga kuadrot e të gjitha sferave për ushqimin e gatuar.Njëkohësisht, këtu ai vazhdonte edhe stërvitjen, sepse dalloi si  futbollist që luajti me ekipin e Butrintit të Sarandës, pasion që do ta shoqëronte gjithë jetën.Në vitin 1964, pas përfundimit të ushtrisë, kthehet në Lushnjë dhe paraqitet tek ndërmarrja ku kishte punuar më parë, NTAN. Për shkak të kualifikimit profesional, por edhe të detyrimit ligjor të kohës, sistemohet kuzhinier i thjeshtë, sërish tek “Myzeqeja”. Pas 4-5 muajsh shkon në ndërmarrjen shtetërore të Ndërtimit (NSHN). Këtu emërohet me detyrën shef kuzhine (1966),  ku pagesa e shërbimit ishte me lekë në dorë. Kjo mënyrë funksionimi ishte në kohën e “vetadministrimit” i cili po praktikohej suksesshëm në Jugosllavi. Me dy miq të mirë të kohës, Robi Çiflikun, dr i NSHN-së dhe Irine Banushin, magazinier  (klerik i njohur ortodoks që vinte si funksionar i lartë nga Manastiri i Ardenicës përpara se të prisheshin kishat dhe xhamitë), ndërtuan një ambjent e shërbim model duke rikonstruktuar rrënjësisht kuzhinën dhe mjediset e shërbimit. Kjo periudhë e karrierës së Pilos do të ndikonte fuqishëm në njohjen e kapitalit dhe joshjen drejt pronës private, pasi çdo gjë blihej dhe shitej me lekë në dorë.

Ky ishte vetadministrimi, aftësia për të bërë ekonomi, pasi çdo gjë varej nga çfarë u ofroje klientëve dhe mënyra se si e menaxhoje aktivitetin tregëtar.Niveli i lartë profesional dhe aftësitë menaxhuese e bënin të kërkuar Pilon nga ndërmarrjet simotra, të cilat po hapnin menca apo restorante me ngarkesë dhe ku kërkohej cilësi dhe shpejtësi shërbimi. Kjo bëri që në disa periudha, Piloja të ngrinte nivelin e punës dhe të përgatiste stafin në disa ndërmarrje si: në Fabrikën  e Letrës ku sapo ishte hapur menca për punëtorët; në restorantin e Stacionit Hekurudhor, që sapo kishte filluar të  funksiononte dhe ku në çdo rast Piloja ka qënë i besuari i klientelës si shef kuzhine. Për një periudhë 12 vjeçare, Pilo Lala ka qënë shef kuzhine në restorant “Myzeqeja”, restoranti më i mirë i kohës në Lushnjë.Puna korrekte, pasioni dhe përkushtimi e vlerësuan njeriun punëtor dhe kështu Piloja përzgjidhet për t’u pranuar në parti (1969).

 

Viti 1971 është periudha që Piloja martohet me zj. Zoica Prifti, vajzë që vinte nga një familje e thjeshtë patriotike e cila do të ishte krahu i tij i djathtë dhe mbështetësja pa kushte gjatë gjithë jetës  bashkëshortore dhe profesionale. Nga kjo martesë lindën, rritën, edukuan dhe arsimuan  tre djemë, të cilët sot janë trashëgimtarë dhe menaxhues të denjë të “bizneseve bijë” në qytet.Motoja e familjes së tij ishte ’”Çdo njeri duhet të jetojë jetën e vet si model për të tjerët”.

Specializimi

Futja e elementëve të rinj të gatimit bëhej me kujdes e mjeshtëri, por baza e çdo prurjeje mbetej tradicionalja dhe kuzhina e pasur shqiptare.  Ndërkohë që bënte karrierën profesionale, Piloja kreu edhe shkollën e mesme të përgjithëshme si dhe vazhdoi trajnimet dhe kualifikimet kombëtare në shumë sektorë të tjerë, duke u profilizuar në sektorin e shërbimit.Pilo Lala ka punuar gjatë karrierës së tij përkrah kolegëve të cilët i kujton me admirim e respekt si: Perikli Lala, Latif Sadiku, Kristo Mitro, Osman Kuka, Violeta Doko, Kalije Mihali, Bardhyl Malasi etj. E përbashkëta e këtyre mjeshtrave ishte se të gjithë kishin dalë nga shkolla e kuzhinierëve në Tiranë.Vlera më e madhe e Pilos në karrieren e tij të gjatë ka qenë lufta e tij e përhershme me vesin dhe presionin e vazhdueshëm në të cilin ndodhej një kuzhinier në atë periudhë.

Motivimi

Ardhja në Shqipëri, në maj 1990, e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së,  Havier Perez de Kuelar, i ftuar nga qeveria shqiptare, i kërkonte qeverisë “Alia” respektimin e Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut, pjesë e së cilës ishte edhe ushtrimi i pronës private. Këto patën një ndikim të madh tek Piloja.

Si punonjës i ndërmarrjes së NTAN-it, hapësirën e vogël të çarjes së sistemit e shfrytëzoi duke qënë i pari person privat në Shqipëri me një aktivitet të mirëfilltë tregëtar kapitalist. Jetojmë nën të njëjtin qiell, por jo të gjithë kemi të njëjtin horizont.

Falë njohurive dhe mbështetjes familjare, Piloja hyri në histori si privati i parë në Shqipëri, ku shprehja që historinë e bëjnë njerëzit e thjeshtë, është kuptimplote në rastin konkret.Gazeta më e madhe e asaj kohe, “Zëri popullit”,  në korrik 1990 do t’i bënte jehonë hapjes së aktivitetit  privat në Shqipëri, ku në Lushnjë doli privati i parë duke e simbolizuar Pilon si “Dallëndyshja e parë”.Kjo ishte reklama e parë që shtypi komunist i kohës do t’i  bënte “me hir a me pahir” sistemit kapitalis dhe falimentit të socializmit.

Aksioni dhe guximi

Në datën 28 korrik të 1990 hapet lokali i parë me lekë në dorë sipas rregullave të vendosura nga vetë Piloja dhe tregu. Në fillimet e aktivitetit  privat, mungesa e informacionit, frika dhe smira, krijojnë situata presioni tepër tensionuese për t’u tërhequr nga vendimi i marrë apo rruga e nisur. Këto realitete nuk bënin asgjë tjetër veçse forconin bindjen e Pilos për të parë më qartë rrugën drejt së cilës ishte nisur. Çdo veprim e kishte mbyllur, pra e kishte bërë fakt të kryer me koshiencë dhe të kopsitur juridikisht e financiarisht, prandaj Piloja nuk pranoi kurrsesi të kthehej mbrapsht. Ai  i shpërfilli zërat keqdashës të “teoricienëve të socializmit” dhe i bindur në zgjedhjen e tij, vazhdoi me këmbëngulje rrugën në profesionin e tij si kapitalisti i parë në Shqipëri. Edhe pse i shumëpërfolur nga një kategori njerëzish dhe kuadrosh që i hyri kësaj rruge kapitaliste.Ai për asnjë çast nuk e kufizoi apo ta ndërpriste biznesin për shkak të imagjinatës së kufizuar të të tjerëve që thashethemnonin bulevardeve të qytetit.

Diferenca e profesionit, e krijuar nga shkolla e kuzhinierëve si dhe eksperienca ndër vite, qëndronte tek duart e arta të specialistit ku mjeshtëria e gatimit dhe elementët e përdorur në liri të plotë fantazie krijonin një listë shumë të pasur dhe të arsyeshme për fukarallëkun që e rrethonte. Kjo e bënte akoma dhe më të kërkuar gatimin mjeshtëror të profesorit duke u kthyer në një shkollë për qindra nxënës të cilët iu futën rrugës së bukur të gatimit.  Veprimi i Pilos dhe kurajoja e tij, u shndërruan në një model nxitjeje dhe veprimi konkret për shumë persona të tjerë, miq dhe shokë, të cilët kishin dyshime e ishin të lëkundur për t’iu futur ekonomisë së tregut. Orientimi dhe dhënia e këshillave nga Pilo Lala për të gjithë këta persona, u kthye në një stil që askush nuk niste punë pa u konsultuar me Pilon apo pa parë me sytë e tyre se si vepronte ai në aktivitetin e tij të përditshëm. Pilo Lala u kthye kështu në model suksesi, një idhull dhe nxitje për të gjithë ata që u treguan të guximshëm. Kënaqësia e punës private vjen nga qarkullimi në dorë i parasë dhe i fitimit të realizuar nga një aktivitet privat, ku bashkëjetojnë sfidat dhe kënaqësitë.

“Unë këtë kënaqësi e kisha provuar edhe më parë, shprehet Piloja,  por ishte një klimë tjetër dhe kushte krej ndryshe, kurse tani, diferenca ishte e madhe. Ndjehej në ajër era e kapitalit dhe e lirisë së njerëzve edhe pse akoma nuk dukej qartë. Ajo çfarë më bënte optimist ishte që njerëzit, të gjithë pa përjashtim, dilnin të kënaqur nga lokali im dhe kjo, jo vetëm për shkak të sasisë së ushqimit, por edhe të cilesisë së gatimit e shërbimit që e bënte akoma më të dukshëm ndryshimin”.

Vazhdimësia

Në korrik të vitit 1994 Pilo Lala filloi punën për ndërtimin e restorantit në Konjat të Dushkut, që sot njihet me emrin e tij  “PILO LALA nr 2”.

Kjo sipërmarrje ishte e para e këtij lloji në Shqipërinë e Jugut, ku çdo fazë e ndërtimit ishte e ideuar dhe e ndërtuar nga arkitektët me koncepte perëndimore deri në detaje, që nga pozicioni karshi rrugës nacionale, e deri tek mënyra e funksionimit me hotel të përfshirë në objekt. Nga ky moment, Piloja do të bëhej i njohur jo vetëm kombëtarisht, por dhe ndërkombëtarisht. Lokali i Konjatit bëri që Pilo Lala të njihej nga shumë personalitete të kohës dhe ambasadorë shtetesh që ndiqnin me admirim ngritjen e biznesit dhe profesionalizmin e tij admirues. Interesant ështe fakti se në çdo investim e zhvillim të tij, Pilo Lala i qëndronte besnik dy rregullave: Respektimin në maksimum të ligjit dhe korrektësinë në pagesa të çdo individi me të cilin kishte marrëdhënie pune.

“PILO LALA NR 3”, pranë rrethrrotullimit të Çermës, (kthesa për në Divjakë),  ka një histori shumë interesante. Gjatë studimit në terren të aksit rrugor, autostrada Rrogozhinë-Fier, në restorantin e tij,  në Konjat, ishin akomoduar përfaqësues të firmës që do të kryenin punimet rrugore. Të kënaqur nga shërbimi dhe komunikimi korrekt, kjo firmë i besoi Pilos gatimin për të gjithë punonjësit e kompanisë  të cilët u instaluan në kapanone në kthesën e Çermës, ku Piloja ngriti fillimisht një mencë. Ky fakt nxiti Pilon që në të njëjtin vend, të ngrinte hotel-restorantin e tij të tretë që sot nijhet si “PILO LALA NR 3”

Trashëgimia profesionale

Pilo Lala ka marrë vlerësime maksimale nga të gjithë partnerët me të cilët ka bashkëpunuar gjatë 30 viteve të aktivitetit të tij privat. Gërshetimi i eksperiencave profesionale nga karriera si dhe atyre të fituara nga perëndimi, e kthyen Pilon në një shkollë të kompletuar dijesh, çka e nxiti që këtë bagazh njohurish t’ua përcillte brezave të rinj si një dëshirë dhe sfidë për të investuar në ruajtjen e traditës dhe të depërtonte në “sekretet” e profesionit tek brezat e rinj. Kjo praktikë e tij me kurset profesionale vazhdon edhe sot e kësaj dite, çka e bën Pilon të ndihet i mbushur dhe i motivuar në karrierën e tij profesionale. Numri i specialistëve që kanë dalë nga mjeshtri i gatimit Pilo Lala, i ka kaluar kufijtë gjeografikë të Shqipërisë.

Nderimet

Për këto kontribute dhe merita të veçanta në karrierën e tij profesionale, Pilo Lala është vlerësuar me disa çmime, medalje e diploma:Me medalien e “Punës “ në vitin 1968  ku është dalluar në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier, dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor;

“Qytetar nderi i Lushnjës”, 2006,  si biznesmeni i parë shqiptar që garantoi sukses të vazhdueshëm në konkurencën e madhe të ekonomisë së tregut, dalluar si kuzhinier i talentuar, sponsor i pa kursyer ku ka dhenë ndihmesë të çmuar për mikpritjen e popullit kosovar gjatë luftës për çlirimin e Kosovës;

me vlerësimin “Nderi i Myzeqesë” nga Shoqata Atdhetare-Kulturore “Myzeqeja”;

anëtar nderi dhe sponsor i Shoqatës Shqiptare për Personat në Vështirësi, etj.

Nuk ka aktivitet kulturor, artistik, futbollistik apo edhe të karakterit human që të mos ketë kontribuar Pilo Lala.  Kjo është bërë aq e zakonshme, sa çdo organizator, kur niste të bënte listën e sponsorëve, të parin vendoste emrin e Pilo Lalës.

Vijimësia dhe mbyllja

Pilo Lala është krenar dhe i plotësuar familjarisht, pasi të tre djemtë i ka arsimuar në shkollat më të mira duke i ushqyer njëherazi edhe me dashurinë për punën si dhe ndjeshmërinë njerëzore për këtë botë që po përballet çdo ditë me sfida të reja.Piloja e di mirë, se biznesi mbetet i sigurt, kur trashëgohet nga pinjollë të suksesshëm, punëtorë të përkushtuar edhe qytetarë të ndershëm.Të tillë janë djemtë e tij.

Njeriu ideal i punës e sakrificës, z. Pilo Lala,  sot, në 30-vjetorin e kapitalizmit shqiptar, shprehet se me mëndje të hapur, me mund e sakrifica, realizohet çdo gjë.Slogan i punës në çdo lokal që administrohet nga Pilo Lala  ka qënë dhe mbetet shprehja: “Mirë se erdhët!” Kjo fjalë e dalë nga goja e mjeshtrit në profesion, por edhe tepër i thjeshtë në komunikim, ishte një ftesë e sinqertë në të gjitha kuptimet. Fytyra e tij e qeshur mikpritëse e shpreh qartë në çdo tipar etikën me klientin, prandaj ky portret rrezaton ngrohtësi dhe përcjell kurdoherë siguri e ndjesi familjare. Te Pilo Lala, jeni kurdoherë të mirëpritur. -0-0-0-