Kryemadhi: Minishengeni, të bëhet transparencë, çfarë humbim, çfarë fitojmë

448
Sigal

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në një intervistë të dhënë për ‘faxneës’ ka komentuar çështjen e Mini Shengenit

Përmendët pak më parë Mini Shengenin, çfarë rrezikon Shqipëria nga kjo marrëveshje dhe çfarë përfitimi mund të ketë? A mund të themi që duke përdorur Serbinë si një urë lidhëse do të rritet ndikimi rus këtu, pasi shpesh mazhoranca ka akuzuar sidomos Partinë Demokratike, për një lobim rus?
Po është ajo që thotë: Ujku ujku dhe çakalli bën kërdinë, kot nuk është kjo batuta. Unë kam qenë thuajse një nga politikanet e para që ka folur për Mini Shengenin, të gjithë të tjerët e shikonin si një propagandë të Ramës. Kam bërë një status shumë të gjatë dhe në fakt e bëra në mënyrë të tillë që të perceptohej, para se të fillonte takimi i Mini Shengenit, ku kërkoja një transparencë. Çfarë do të thotë? Cilat janë humbjet dhe përfitimet që ka Shqipëria nga Mini Shengeni? Dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë lloj transparence nga qeveria shqiptare. Nuk pres që të jenë serbët dhe maqedonasit transparent me Shqipërinë, por pres që të jetë qeveria ime transparente. Kjo ishte e para. E dyta përjashtimi i Kosovës në një projekt të tillë, nuk ka se çfarë prioritetesh t’i japë Shqipërisë se në fund të fundit prioritetet tona janë shumë të qarta dhe shumë të pastra në këtë histori.
Sigurisht që duam apo s’duam, qoftë Kosova, Shqipëria, Maqedonia apo Mali i Zi, jemi të detyruar të bashkëpunojmë me njëri tjetrin, sepse jemi vende të Rajonit dhe Shqipëria gjithmonë ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit. Por qeveria aktuale për hir të së vërtetës, në 3-4 vitet e fundit ka prodhuar vetëm konflikte, nuk ka prodhuar stabilitet, por ka qenë faktor destabiliteti. Dhe unë mendoj që qarqet anti shqiptare, jo populli serb, jo institucionet e vërteta serbe, por qarqe anti-shqiptare që kërkojnë të rrisin prezencën e tyre në rajon nëpërmjet shumë projekteve të tjera ekonomike apo edhe politike, përfitojnë nga një çartisje e momentit e qeverisë shqiptare, përfitojnë nga një kapje e momentit e qeverisë shqiptare nga segmente të caktuara dhe mund ta përdorin si një karrem qeverinë shqiptare, flamurin shqiptar dhe institucionet shqiptare për të prodhuar projekte të tilla që nuk të çojnë asgjëkund.
Çështja e Mini Shengenit ka ardhur si një rezultat i procesit të Berlinit, por procesi i Berlinit nuk është Mini Shengeni. Procesi i Berlinit është përfshirje dhe integrim rajonal i të gjitha vendeve pa dallime, duke njohur njëri tjetrin me reciprocitet. Ashtu sikurse ne kemi me Kosovën, me Malin e Zi, me Serbinë, të njëjtën gjë duhet të ketë Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia me Kosovën apo anasjelltas. Ky është procesi i Berlinit, Mini Shengeni nuk është procesi i Berlinit. Mini Shengeni është po një projekt, i cili unë mendoj që klouni ynë kryeministër e përdor shumë bukur për të qeshur dhe gajasur sadopak disa qarqe anti-shqiptare, por që ne shqiptarët nuk gajasemi, por dëshpërohemi. Sepse të përdorësh institucionin e kryeministrit shqiptar, që nuk është i Edi Ramës, por kryeministri shqiptar është institucion i shqiptarëve. Është fytyra, identiteti dhe integriteti i çdo shqiptari. Ta përdorë një shtet tjetër për të krijuar benefite të tjera është dhimbje e madhe. Megjithatë koha do t’i tregojë vendin çdo njeriu dhe çdo njeri i cili ka cënuar qoftë moralin apo integritetin e vendit, sigurisht që do të përballet një ditë me shpagimin