Kryemadhi: Formalizimi i ekonomisë në Shqipëri është i domosdoshëm

217
Sigal

KRYETARJA E LSI, MONIKA KRYEMADHI TAKIM ME GRATË E NJËSISË NR. 5 NË TIRANË

Formalizimi i ekonomisë në Shqipëri është i domosdoshëm, sepse ne hyjmë tek vendet, që këtë informalitet ekonomik e kemi para, të cilën shqiptarët e paguajnë të tërë. E paguan ai që merr ndihmë ekonomike, e paguan hallexhiu, e paguan ai që të lustron këpucët, e paguan çdokush, por nuk e paguan vetëm ai oligarku, i cili e grabit dhe nuk e dorëzon TVSH-në në shitje. E paguan në hyrje me mallrat e importit dhe nuk e paguan pastaj në TVSH, që janë me miliona e me miliarda.
Sipas statistikave të raportit të CIA-s, është shumë e thjeshtë, 5 miliard është i gjithë GDP-ja e Shqipërisë, 50 për qind e të cilës është informalitet, që do të thotë që gati 1.5 miliard euro i vidhen buxhetit të shtetit nga oligarkët, të cilët i fusin në xhepat e tyre dhe ne krijojmë polici pas policie për të gjobitur kë? Për të gjobitur atë dyqanin e lagjes, për të gjobitur atë kafen e lagjes, atë që shet speca e domate në rrugë e kështu me radhë dhe asnjë nuk e vret mendjen për ta formalizuar ekonominë shqiptare, sepse një ekonomi e formalizuar jep shanse për të rritur pagat e shqiptarëve, për të investuar, për të rritur pensionet. Pasi sot është e tmerrshme që piramida e pensioneve është kthyer kokëposhtë, për shkak të mungesës së vendeve të punës, për shkak të mungesës së punës së mirë paguar, për shkak të mungesës së kontributeve dhe sot një pensionist me pensionin që merr nuk arrin dot të paguajë jo vetëm dritat dhe ujin, apo të ushqehet, por as ilaçet me të cilat duhet të jetojë. Aq më tepër pastaj po të hyjë COVID-i, nuk bëhet më fjalë për të parë nipër e mbesa, nuk bëhet fjalë për të lëvizur, nuk bëhet më fjalë për të pushuar dhe për të jetuar të lumtur ato ditë që ia ka falur Zoti.
Kemi gjithashtu edhe programin ‘Nga bebja në bebe’, ku të gjitha ne jemi nëna dhe kemi hallin se ç’do bëhet me fëmijët tanë, të cilët duan të ikin. Pse duan të ikin? Duan të ikin sepse këtu nuk ndihen të sigurt, sepse thotë që nuk ka një punë të mirë paguar dhe mendon se si do të ndërtojë ai një familje këtu, ku nuk ka ndonjë mundësi për të jetuar.
Por, nëse ne u themi të rinjve që me programin tonë ‘Nga bebja në bebe’, në qoftë se ai do të lindë një fëmijë dhe kur ai të krijojë familje do të ketë 25 mijë dollarë nga bashkëshortja dhe 25 mijë të tjera do ti ketë të vetat, ai ka një buxhet me të cilin mund të fillojë jetën nga fillimi. Kjo është një ndihmë për rritjen e numrit të lindjeve në Shqipëri, sepse për herë të parë këtë vit ne kemi më shumë vdekje sesa lindje, gjë që nuk ka ndodhur që pas Luftës së Dytë Botërore. Pra, ne po fillojmë po plakemi me ritme shumë të shpejta dhe dëgjojmë edhe pafytyrësinë e Kryeministrit që thotë: Le të ikin shqiptarët, le të punojnë jashtë shtetit. Po pse të punojnë jashtë shtetit me paga minimale dhe të mos punojnë me paga maksimale në Shqipëri? Në këtë vend të mrekullueshëm me det, me liqen, me mal, me laguna, me histori, me trashëgimi kulturore. Pse të mos jetojnë këtu pranë familjeve të tyre? Pse? Sepse do një kryeministër të përfitojë për veten e vet, dhe do të gënjejë dhe të mashtrojë. Një njeri që nuk ka mbajtur premtimet e tij për tetë vjet, pse duhet ti mbajë tani premtimet? Një njeri i paaftë për të garantuar sigurinë, një njeri i paaftë ti japë garanci njerëzve për pronën, pse qenka i aftë tani, kur në tetë vjet s’ka bërë asgjë?