Kryebashkiaku Veliaj /Pret homologun e Kukësit, marrëveshje mes dy qyteteve për trajnimin e punonjësve në zhvillimin e projekteve

31
Sigal

Bashkia e Tiranës do të mbështesë dhe ndihmojë në trajnimin e punonjësve të administratës së Bashkisë së Kukësit, lidhur me projektet për grante nga organizatat e huaja. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mes dy qyteteve. “Më vjen mirë që lidhim këtë marrëveshje mes dy qyteteve tona. Jemi mësuar ta shohim Bashkinë e Tiranës të ndihmojë me të drejtë Tuzin, Preshevën e Bujanocin, sepse kanë nevojë për mbështetje, por ndërkohë kemi edhe motrat e vëllezërit tanë brenda trojeve shqiptare. Jam i bindur se me pak ndihmë nga ne, pak ndihmë nga Shoqata e Bashkive, do të mundemi ta çojmë Kukësin aty ku e ka vendin. Ne do të japim një kontribut maksimal, jo vetëm për të trajnuar stafet, por sidomos për të parë se si aftësia jonë për të thithur fonde, sidomos nga fondet IPA, fondet e BE, fondet rajonale, të transmetohet edhe në Kukës. Shumë bashki të tjera, më të vogla, të Shqipërisë, e kanë kapur ritmin dhe kanë mësuar si aplikohet, duke shtuar buxhetet”,- tha Veliaj. Ai ftoi Bashkinë e Kukësit që të bëhet pjesë e Paradës shqiptare në 28 Nëntor, në 111 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. “Presim që data 28 Nëntor të jetë bashkëpunimi ynë i parë, duke pritur këtu Ansamblin e Kukësit, me kostumet e tyre tradicionale. Sa më shumë ingranohemi në aktivitete të përbashkëta dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin për t’u rritur së bashku, aq më mirë do të jetë. Nuk besoj se ka një histori suksesi që të jetë i ndarë nga realitete të tjera. Suksesi yt është edhe suksesi ynë. I yni, gjithashtu edhe i yti. Kështu që, nëse i lidhim fatet tona, do të bëjmë punë të mrekullueshëm”, -shtoi Veliaj. Qëllimi i marrëveshjes është bashkëpunimi administrativ midis Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Kukësit, për nxitjen e organizimeve, aktiviteteve të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, për mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm dhe forcimin e marrëdhënieve administrative, trajnimin e administratës dhe angazhimin në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e artit, kulturës, sportit.