Ngjarjet në Kuvend shqetësojnë përfaqësitë e Britanisë së Madhe, SHBA dhe Gjermanisë: Riktheni dialogun! Parlamenti të plotësojë rolin kushtetues dhe kontrollin e qeverisë nga opozita

40
Sigal

Ndërsa në Shqipëri mazhoranca vazhdon normalisht të vijojë me parlamentin edhe pse opozita ka prej javësh, që proteston. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u shpreh të marten- “e shqetësuar për zhvillimet e fundit në parlamentin e Shqipërisë”. Në përgjigje të interesit të Zërit të Amerikës, për një koment mbi këto zhvillime, të cilat prej disa javësh kanë bërë të pamundur aktivitetin normal të organit ligjvënës të vendit, ambasada amerikane vë në dukje se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar”. Ambasada nënvizon më tej se “mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe reagoi e shqetësuar nga mungesa e dialogut. Në një reagim ajo tha: “Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive. U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve.” Reagimeve iu bashkëngjit edhe ambasada gjermane në Shqipëri!

Ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, ka reaguar për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Në deklaratën e ambasadorit Karl Bergner thuhet: “Po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Qytetarët/et e Shqipërisë presin me të drejtë nga parlamenti i tyre që të jetë një forum, ku anëtarët e të cilit të mund të prezantojnë dhe diskutojnë hapur propozime të ndryshme politike. Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti. Ndaj u bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve.” – thuhet në reagim.