Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit të shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë ku studiojnë 750 nxënës tashmë në mjedise të reja, u shpreh shumë i kënaqur me xhevahirin e ri që i shtohet buqetës së 40 shkollave të reja në kryeqytet. “Ndihem i bekuar sepse kemi prodhuar një histori suksesi. Kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar një sërë shkollash te ‘Don Bosko’ si, ‘Jeronim De Rada’, ‘Hasan Vogli’, ‘Qazim Turdiu’, ‘Vaçe Zela’, ‘Kristo Frashëri’, por ajo që kam kuptuar është se sa herë që mbaron një shkollë e re, aty rifillon edhe një komunitet i ri. Shumë prej këtyre shkollave kanë qenë një rifillim për gjithë jetën komunitare, pasi janë hapësira jo vetëm për nxënësit, por edhe për komunitetin që e përdorin palestrën pas mësimit, për një shoqatë që mëson fëmijët me sportin. Tirana e sotme është shumë ndryshe nga Tirana e 2015-ës. Sot ka një transformim të jashtëzakonshëm të realitetit, pasi 25% e Tiranës prodhon turizëm dhe 25% teknologji informacioni. Përtej kampusit të përkohshëm duam të kemi edhe një kampus të përhershëm për Kolegjin e Europës. Do të ndërtohet te ish parkingu i autobusëve, që shërbente si terminal provizor, pranë Qytetit Studenti. Shumë shpejt nisim punën aty. Është një kompliment për Tiranën, për Shqipërinë, për të gjithë ambicien tonë europiane, çka tregon se me miq të mirë asnjë vend nuk është i pashpresë. Nëse një vend e ndan mendjen, nëse një vend mobilizohet, nëse një qeveri, një bashki, një skuadër, sistemi jonë arsimor, e ndan mendjen që do të ecim para, ja ku jemi sot. E filluam të fundit procesin e integrimit, sot jemi numër një. Kishim Samitin e B40-ës këtë javë, pritëm të gjithë kryetarët e bashkive të rëndësishme të rajonit. Ne mund ta bëjmë këtë vend të duket si mesjetë, siç ka ndodhur në historitë tona të vështira të 97-98-ës, ose mund ta bëjmë këtë vend të jetë hapësira më europiane e Ballkanit”, -tha Veliaj. Kujtojmë se shkolla e mesme e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë tashmë do të ofrojë kapacitete të zgjeruara dhe hapësira moderne për nxënësit dhe është rindërtuar me mbështetjen e programit EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.