Kryebashkiaku Mziu i përgjigjet Kryeministrit: Kamza është një kantier ndërtimi. Deputetja plagjiaturë, ngatërron rrugët nacionale me ato të bashkisë

646
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kamza është kantier ndërtimi, 70 % e fondeve bashkiake për infrastrukturën

Kryebashkiaku Xhelal Mziu i përgjigjet Kryeministrit: Ja pse Rama shpif, shpif, shpif për rrugët

Kryeministri Rama organizoi një llogaridhënie partie në Kamëz, për pranime të reja në PS. Mirëpo, gjëja e parë që i bëri përshtypje ishte rruga nacionale Tiranë – Krujë, e cila kalon përmes Kamzës. Kryeministri, meqë ka shumë punë e kohë pa, qoftë edhe për të pyetur, akoma nuk e di, që rrugët nacionale janë në juridiksionin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe jo të bashkive, megjithatë, si udhëheqës që ka monopolin e të të diturit për gjithçka dhe monopolin se “Udhëheqësi ka gjithmonë të drejtë”, tha: “Duke ardhur këtu më bëri përshtypje rruga, ishte si ato rrugët e zonave të Tiranës kur unë u bëra kryetar Bashkie shumë vite më parë. Në pamje të parë mund të duket sikur ajo s’ka lidhje me ty, por, në fakt, ajo ka lidhje me ata që votojnë dhe ata që nuk votojnë, me ata që angazhohen dhe ata që nuk angazhohen, sepse sa më shumë njerëz të angazhohen, aq më shumë politika ndikohet prej tyre. Sa më pak njerëz të angazhohen, aq më shumë pjesa tjetër vuan vendimet e gabuara, apo mospërfillje e politikës.”

Reagim i kryetarit te Bashkisë Kamëz Xhelal Mziu: Rama shpif, shpif, shpif…

Edi Rama, i shoqëruar nga deputetja që ka mbrojtur doktoraturën me plagjiaturë dhe që në takimin paraardhës nuk dinte ku ishte në takim dhe nga Kamza u drejtohej banorëve të Vorës, duket se të njëjtën sëmundje i infektoi edhe shefit të saj. Kryeministri në ikje, Edi Rama, sot ankohej “live” për gjendjen e rrugës në të cilën kishte kaluar, por harroi se ai aks rruge është rrugë nacionale dhe është në inventarin e ARRSH-së dhe se financimi për përmirësimin e gjendjes së saj është në dorë të qeverisë, pra vetë atij. Pra, Rama shpif, shpif, shpif…

Mziu: Bashkia e Kamzës prej vitit 2007 ka investuar në qindra e qindra kilometra rrugë

Duam t’i kujtojmë Kryeministrit që Rama shpif, shpif, shpif… Bashkia e Kamzës prej vitit 2007 ka investuar në qindra e qindra kilometra rrugë në territorin e saj, duke përmirësuar rrënjësisht gjendjen e infrastrukturës rrugore. Të gjitha këto investime janë kryer me fondet e saj, duke u ndeshur me veton qeveritare e cila prej vitit 2013 ka zero financim të projekteve të Bashkisë. Janë mbi 150 projekte që flenë në sirtarët e qeverisë, mes tyre edhe rrugë për të cilat Rama as ka marrë mundimin të kthejë përgjigje dhe jo më t’i financojë.

Mziu: Qeveria nuk ka investuar në rrugën nacionale

I kujtojmë Ramës se as për rrugën nacionale të cilën u ankua, e vetmja që lidh Kamzën dhe Veriun e Shqipërisë, nuk e ka financuar ARRSH-ja, madje as në pjesën që kalon përmes Bashkisë së Tiranës nga Kthesa e Kamzës deri te Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe që kalon përmes territorit të Bashkisë së Veliajt. Të jetë ky vallë një diskriminim krahinor?!
I kujtojmë Kryeministrit mashtrues që Bashkia e Kamzës është bashki rekord për sa u përket investimeve, sidomos në rrugë, ku 60% e buxhetit të saj shkon çdo vit për investime, si në asnjë bashki tjetër. Duke parë indiferencën dhe diskriminimin e Kryeministrit mashtrues dhe të qeverisë së tij, Bashkia e Kamzës ka financuar edhe ndërtimin e rrugëve rajonale, siç është ajo që kalon në Paskuqan, 7 km e gjatë. Bashkia e Kamzës ka shfrytëzuar çdo burim të ardhurash për të financuar projektet e investimeve publike e megjithatë për shkak të mirëmenaxhimit të të ardhurave ajo është shpallur bashkia e parë për sa i përket këtij menaxhimi. Rama vetëm shpif, shpif, shpif, sikurse ka bërë deri më tani në Kamëz, me legalizimet falas apo çdo premtim tjetër të dhënë.