Kryebashkiakja Valbona Sako uron nxënësit, në ditën e parë të mësimit, nga shkolla artistike Jan Kukuzeli

1668
Sigal

Në ditën e parë të shkollës kryetarja e bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka vizituar shkollën artistike “Jan Kukuzeli” për të përshëndetur nxënësit në fillimin e vitit të ri shkollor. Kjo shkollë është kthyer tashmë në një hapësirë mësimi të standarteve europiane falë investimit të qeverisë në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit. Kryebashkiakja Sako në fjalën e saj pasi ka uruar të gjithë nxënësit për një vit të mbarë shkollor u shpreh se Bashkia e Durrësit e ka si prioritet përkujdesjen ndaj nxënësve: “Një vit i mbarë për të gjitha ciklet e shkollës, dhe për të gjithë nxënësit, në radhë të parë për klasat e para, që nisin një udhëtim sa të bukur po aq dhe të vështirë. Shpresoj ta realizojnë me sukses. E filluam me shkollën “Jan Kukuzeli” për shkak të veçorisë që ka si shkollë, që na krijon artistët e së ardhmes. Dua ti siguroj nxënësit, prindërit e tyre dhe të gjithë qytetarët e Durrësit që Bashkia e ka prioritet të punës së saj kujdesin maksimal ndaj fëmijëve duke u krijuar atyre kushte sa më bashkëkohore në institucionet parashkollore dhe shkollore.” Nxënësit e shkollës artistike Jan Kukuzeli kishin përgatitur edhe një koncert instrumental me këtë rast. Më pas kryebashkiakja Sako ka vijuar vizitën edhe në shkolla të tjera të qytetit të Durrësit.