Krimet e komunizmit, Nishani: Ne s’mund të harrojmë, por jo për t’u hakmarrë!

518
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një vizitë pune në Mirditë, ku fillimisht u ndal në Kishën e Shën Llezhdrit në Orosh (Ish-Abacinë). Kreu i shtetit u mikpritur nga Imzot Cristoforo Palmieri, Ipeshkv i Dioqezës së Rrëshenit dhe besimtarë të shumtë. Presidenti Nishani vizitoi edhe Shkollën e Mesme Profesionale “Shën Jozef Punëtori ku u takua përzemërsisht me nxënësit e mësuesit duke theksuar rëndësinë e shkollimit e të përfitimit të dijeve, ruajtjes e pasurimit të vlerave dhe traditave më të mira të Mirditës, si dhe mori pjesë në ceremoninë e dhurimit të disa fidanëve pemësh frutore mani nga bamirësja austriake Marianne Graf.
Më pas Kreu i Shtetit shqiptar përshëndeti Simpoziumin “Mirdita në mes të Katedraleve dhe Kapedanëve” në Pallatin e Kulturës të Rrëshenit, të organizuar nën kujdesin e Institucionit të Presidentit të Republikës ku ishin të pranishëm gjithashtu deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryebashkiaku i Miriditës Ndrec Dedaj, kryetari i Bashkisë Lezhë, Nënprefekti i Mirditës, autoritete dhe përfaqësues të pushtetit vendor, Imzot Palmieri dhe klerikë, historianë, akademikë, profesorë dhe banorë të shumtë të Mirditës e familje të shquara të saj.

Në fjalën e tij me të këtë rast, Nishani, pasi u shprehu falënderimet për mikpritjen dhe vlerësoi referuesit e ndryshëm për punën e tyre intelektuale, kërkimore-shkencore sepse “kështu do të mbahet gjallë trashëgimia e jashtëzakonshme e vlerave historike dhe identitare shumëshekullore”, theksoi mes të tjerash: “Gjatë këtij muaji kam pasur rastin të udhëtoj shumë treva shqiptare. Isha para disa javësh në Preshevë e Bujanoc, më pas në Gjirokastër, sot në Mirditë dhe kudo ku shkon gjen shpirtin dhe identitetin kombëtar shqiptar, zakonet, kulturën, dallimet e kësaj trashëgimie”.

Presidenti i Republikës vlerësoi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Preng Marka Prengën (pas vdekjes) dhe Frrok Melyshin (pas vdekjes); ndërsa me Dekoratën “Nderi i Kombit” Preng Bibë Dodën (pas vdekjes) si dhe me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Derën e Gjonmarkajve me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në shërbim të mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe në mënyrë të veçantë, të trevës së Mirditës, për luftën shumëshekullore kundër pushtuesve të atdheut dhe për rezistencën e tyre deri në sakrifica sublime, kundër vendosjes së diktaturës komuniste në trojet shqiptare”.
Sigal