Kreu i shkarkuar i Postës Shqiptare, Lazimi: Vendimi i Ekonomit i paligjshëm

617
“LSI po shihet si delja e zezë nëpër të gjitha institucionet që drejtohen nga përfaqësues të saj. Urdhrin e shkarkimit do e ndjek në rrugë ligjore”
Partia Socialiste ka nisur një fushatë tepër të ashpër ndaj forcave të tjera politike, kryesisht lëvizjes Socialiste për Integrim. Një fakt ky që provohet me vendimet e ditëve të fundit për të larguar nga detyra drejtues të institucioneve të ndryshme të cilët janë në këto poste të emëruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kështu gjatë ditës së djeshme PS ka bërë lëvizjen e radhës. Ishte Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi, ajo që ka firmosur urdhrin e shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Postës Shqiptare, Majlind Lazimi. Pas këtij veprimi, i menjëhershëm ka qenë reagimi i tij. Në një dalje për mediat, Lazimi e ka konsideruar të pavlefshëm urdhrin e shkarkimit të tij, firmosur nga Ekonomi. “E vetmja gjë që kam është një urdhër me katër pika që më duhet ta them që nga baza ligjore është nul”, deklaroi Lazimi. Ai tha se Posta Shqiptare është shoqëri “SH.A” dhe si e tillë shkarkimi dhe emërimi i Administratorit të saj vendoset nga Këshilli Mbikëqyrës i Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare. “Ka një procedurë ligjore për këtë dhe deri në këto momente nuk ka një vendim të tillë të Këshillit Mbikëqyrës”, shtoi ai. Lazimi tha se rastet e 2013 dhe të 2014 tregojnë se është Këshilli Mbikëqyrës që vendos për fatin e Administratorit të Postës. “Është krijuar një amulli e panevojshme në media. Unë sot, deri në këto momente, nuk kam asnjë shkresë zyrtare për motivacionin e lirimit tim, për më tepër urdhri i dalë nga ministrja Ekonomi është i pavlefshëm”, tha ai. Lazimi e cilësoi këtë një “gjueti shtrigash dhe inskenim politik” për angazhimin e tij tek LSI dhe shprehu gatishmërinë që të përballet me të gjitha akuzat që aludohet, apo mund të ngrihen ndaj tij. “Unë do ta ndjek në rrugë ligjore këtë çështje. Unë do të hap një çështje gjyqësore për këtë urdhër të paligjshëm të ministres Ekonomi”, vijoi ai. Lazmi thotë se kontaktoi me ministren Ekonomi dhe sipas tij, nuk ka marrë asnjë motivacion për lirimin nga detyra nga ana e saj. Ai thotë se ka kontaktuar edhe me zv/kryeministren Mandija, që i tha se nuk ka asnjë rol në këtë vendim. “Për fat të keq, LSI po shihet si delja e zezë nëpër institucionet që me të drejtë i drejton”, deklaroi ai. Lazimi vjen nga radhët e LSI. Ai akuzohet se ka marrë pjesë në fushatë dhe u ka bërë presion punonjësve të bëjnë të njëjtën gjë dhe të votojnë subjektin politik ku ai militon. Kohët e fundit, pjesëmarrja në fushatë u ka kushtuar disa zyrtarëve vendin e punës. Për këtë arsye, qeveria vendosi të miratojë një vendim ku të përcaktohet qartë se kur ndëshkohet punonjësi i administratës dhe kur mund të marrë lirisht pjesë në fushatat e partive.
Sigal