Kreu i PD-së, Lulzim Basha mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktorit Muhamet Liko

520
Sigal

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka shprehur dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të aktorit të humorit Muhamet Liko.

“Humori i parodive të Vlorës kaloi çdo censurë e çdo barrierë, për të mbijetuar zezonën e diktaturës, por edhe sfidën e të bërit humor në liri.”, shkruan Basha i cili ka ngushëlluar familjarët dhe miqtë e aktorit.

Ja mesazhi i z. Basha

Mësova me hidhërim ndarjen e papritur nga jeta të artistit të madh të humorit Muhamet Liko. Vetëm para pak ditësh, Liko ishte në skenën e Teatrit “Petro Marko”, si dëshmitar i stafetës që brezat e ndryshëm të humorit vlonjat po i kalojnë njëri-tjetrit, një kumbar i shkëlqyer i asaj tradite që ai e vijoi me dinjitet për 40 vjet me radhë, qëkur mori stafetën nga Leka Kruta i famshëm dhe iu bashku parodistëve Agron Hamo, Afrim Agalliu dhe Mane Lumanin në mesin e viteve ’70 dhe krijuan kuartetin që dominoi parodinë kombëtare.

Humori i parodive të Vlorës kaloi çdo censurë e çdo barrierë, për të mbijetuar zezonën e diktaturës, por edhe sfidën e të bërit humor në liri. Paroditë e Muhamet Likës dhe 3 kolegëve të tij ishin nga ngjarjet kryesore të fundviteve të zymta të diktaturës, kokëçarje për censorët e regjimit dhe gëzim e shpresë për secilin prej nesh.

Largimi u papritur i Muhamet Likos e shënon atë përjetësisht në një gur kilometrik për historinë e humorit vlonjat dhe atij kombëtar. Asgjë nuk e lehtëson dhimbjen e familjarëve për humbjen kaq të papritur të njeriut të tyre më të dashur. Për ta është një humbje e pakthyeshme, por dashamirësit e artit, kudo në trojet shqiptare, sa herë ti kthehen repertorit me sprovat e jashtëzakonshme artistike në dy kohë të Muhamet Likos, do kujtojnë një humor që s’harrohet, një art që do ta kemi përgjithmonë.

U prehtë në paqen e amëshuar!