KQZ, Zguri: Procedim numëruesve që ndërpresin procesin

346
Ka përfunduar pak çaste më parë mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila ka trajtuar problematikat e verifikuara gjatë procesit të numërimit të votave.
Kryetari Klement Zguri por edhe përfaqësues të subjekteve politike e kanë cilësuar si të papranueshëm ndërprerjen disaorëshe të numërimit në disa KZAZ. 
Në fund të mbledhjes, Zguri ka bërë  një pasqyrim të situatës. 
“KQZ po monitoron hap pas hapi procesin në të gjitha KZAZ-të. Dimë që në 13 KZAZ ka përfunduar numërimi, në 44 vijon, në 34 KZAZ të tjera është ndërprerë. Më alarmante janë disa vendimmarrje të KZAZ-ve që kanë vendosur ta ndërpresin për disa orë, që është një vendimmarrje e papranueshme për ne. KQZ do t’u bëjë thirrje KZAZ-ve që kanë marrë këto vendime që t’i kthehen numërimit”, ka deklaruar Zguri. 
 Zoti Zguri, mund të jeni pak më i saktë për llojet e shkeljeve?
Klement Zguri: Gjatë mbledhjes KQZ i bëri thirrje administratës që të hetojë rastet e shkeljes së ligjit dhe do të fillojmë një hetim administrativ për këtë. KQZ-së do t’i duhet të marrë në një kohë të shkurtër vendime ndëshkuese për shkelësit e ligjit. 
 Cilat janë masat e ndëshkimit për këto raste?
Klement Zguri: Ligji për ta parashikon nivele të ndryshme procedimi. Është procedimi administrativ, që do të thotë se mund të shkarkohen dhe në vartësi të veprës që kanë kryer veç shkarkimeve e procedimeve ka edhe gjoba. 
: Në këndvështrimin tuaj, cilat janë arsyet e këtyre shkeljeve?
Klement Zguri: Subjekte zgjedhore që kanë anëtarë në grupet e numërimit mundohen ta shtyjnë procesin për arsye të ndryshme. Ne do të kërkojmë që këto raste të evidentohen dhe kur të kryhet reforma zgjedhore duhet të ketë parasysh edhe ngjarje të tilla, që kanë në sfond arsye politike. Është koha që Shqipëria të ketë një administratë zgjedhore efikase. 
 Zoti Zguri, kur mund të mbyllet procesi i numërimit?
Klement Zguri: Do të dëshiroja shumë që të kapej koha ligjore. Gjithësesi, sot në orën 10 duhet të dalin rezultatet e para në KZAZ. Nuk mund të jap opinione të tjera.
Sigal