KQZ: Votat të numërohen në qëndrën e votimit

24
Sigal

Propozimi i Celibashit ka gjetur mbështetje tek të gjithë shqiptarët të cilët duan që votat të numërohen në të njëjtat qëndra ku bëhet votimi. Kjo do të bëjë që rezultati të dalë brenda natës dhe të evitohet ndërrimi i kutive rrugës për në qëndër. Partitë që nuk kanë marrë asnji mandate në 3 zgjedhjet e fundit do paraqesin listat e firmosura nga e para. Dyrnjaja: Ky process s’mund të ecë pa opozitën

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve i kërkon Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore të adresojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese

… I kthehemi eksperiencës së shkuar ku numërimi do bëhet në qendrat e votimit. Secili prej varianteve ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Në situatën aktuale mendoj ka ardhur koha ta rikonsiderojmë këtë opsion.

Komisioni për Reformën Zgjedhore ashtu siç pritej u mblodh online paraditen e së martës ku ndër të ftuarit e këtij komisioni për mendime ishte edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ky i fundit kërkoi nga komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore të adresojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë të bëjnë me votimin nga jashtë dhe shfuqizimin e dispozitës të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me herësin, kufirin prej 10 mijë votash për votën preferenciale. “Do të vazhdojmë t’i lëmë pa votuar, apo do t’u krijojmë mundësi të votojnë. Janë rreth 30 mijë votues shqiptarë që për arsye objektive nuk e kanë të mundur të paraqiten në qendrat e votimit për të ushtruar të drejtën e votës”. Celibashi theksoi se ka disa mënyra se si mund të llogaritet vota e atyre që jetojnë jashtë në rezultatin zgjedhor. “Vota mund të llogaritet aty ku kanë regjistrin e gjendjes civile, mund të llogaritet në qarkun e Tiranës si qarku më i madh ose ka një ide të llogaritet në mënyrë tjetër, ku parashikohet të kenë disa mandate të posaçme si votues nga jashtë”, tha Celibashi, i cili shtoi se vendimmarrja për këtë çështje është politike dhe se “nëse nuk vendoset kjo gjë nuk ka votim nga jashtë”. “Nëse duam që ky proces të realizohet kërkesë nga KQZ është që të paktën Kuvendi i Shqipërisë duhet të përcaktojë rregullat për llogaritjen e votës të bashkatdhetarëve që banojnë jashtë”. Ai tha se duhet të përcaktohet qartë në ligj se kush do të kualifikohet si person për t’i shkuar fleta e votimit, kur jeton jashtë territorit të Shqipërisë. “Do të duhet të përcaktohet në çfarë kushtesh kualifikohet për ta marrë fletën e votimit. Të gjitha variantet qëndrojnë. Nëse do t’i japësh të drejtën atij që ka një adresë, apo atij që nuk ka një adresë e nuk figuron gjëkundi, por në këtë rast ka implikime për KQZ-në pasi nuk dimë ku do ta dërgojmë fletën e votimit nga pikëpamja teknike. Kjo përveç faktit kur votohet elektronikisht”,- tha ai. Ndërkohë sipas tij, mënyra e votimit mund t’i lihet edhe KQZ-së në dorë. Celibashi theksoi edhe domosdoshmërinë e përmirësimit të rregullave që lidhen me fushatën zgjedhore në mediet online, internet dhe rrjetet sociale si dhe me financimin e fushatës zgjedhore. Për të nevojiten ndryshime në ligjin për regjistrimin fillestar të partive politike. “Partitë që nuk kanë marrë asnjë mandat në 3 zgjedhjet e fundit duhet të riparaqesin një listë me nënshkrime mbështetëse”, tha ai. Një tjetër çështje që duhet konsideruar, sipas Celibashit është edhe përcaktimi i vendit të numërimit të votave.  “Partitë politike që nuk janë regjistruar në dy zgjedhjet e fundit të mos i nënshtrohen auditit financiar kur nuk kanë marrë as para nga buxheti i shtetit, pasi kjo i konsumon KQZ shumë kohë dhe kapacitete njerëzore. NumërimI do të vijojë në qendrat e votimit në mënyrë të përqendruar si e kemi sot apo do i kthehemi eksperiencës së shkuar ku numërimi do bëhet në qendrat e votimit. Secili prej varianteve ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Në situatën aktuale mendoj ka ardhur koha ta rikonsiderojmë këtë opsion. Kjo çështje dhe shumica e tyre ka nevojë për vullnet politik.” Nëse sygjerimi i Celibashit merret në konsideratë kjo do të thoshte një frymëmarrje më të thellë për proceset zgjedhore në Shqipëri. Vonesat e transportit nga qëndrat e votimit drejt KZAZ, vonesat e gjetjes së materialeve zgjedhore nga njëra kuti në tjetrën, vonesat në proceset numëruese në KZAZ, lodhja dhe mbingarkesat fizike të numëruesve kanë treguar se rezultatet në Shqipërinë e votimeve të dalin ditë e javë më vonë. Numërimi në qëndra votimi do të hidhte poshtë edhe dyshimet e shumat për vjedhje apo abuzime të pretenduara nga partitë se bëhen për kutitë e votimit gjatë transportit. Vite më parë ky proces ndodhte në Shqipëri por problematikat me dokumentet e identifikimit që asokohe ishin prej letre dhe nga ana tjetër problemet me furnizimin me energji elektrike ishin arsye kryesore se përse u përqëndrua votimi nëpër zona administrimi zgjedhore.

Reforma zgjedhore/ Dyrnjaja: Ky proces s’mund të ecë pa opozitën, duhet një tryezë ku përfshihen dhe partitë e vogla

Gazetari Denis Dyrnjaja duke komentuar për debatet që janë krijuar për reformën zgjedhore u shpreh se ky proces nuk mund të ecë pa opozitën. Ai tha se duhet të jetë një tryezë e gjerë ku përfshihen dhe partitë e vogla dhe grupet e interesit për të pasur sa më shumë oferta zgjedhjesh.

Unë mendoj se ky proces nuk mund të zhvillohet dhe të ecë pa opozitën. Nuk mund të asgjësosh politikisht të gjithë elektoratin e djathtë pavarësisht nëse është non grata Berisha. Vullneti politik është e nevojshme të dëgjohet, diskutohet dhe pastaj të miratohet.

Mendoj që kjo etapë duke futur Alibeaj apo grupimin e Lul Bashës pa bërthamën e opozitës mendoj se do e paragjykoj dhe do lë hapësira për paragjykim të një rezultati nesër se do kemi zgjedhje të papranueshme për një pjesë të opozitës.

Nëse do ishte dhe opozita, madje mendoj se duhet të ishte një tryezë e gjerë sepse zgjedhjet, prandaj zhvillohen që të jetë një festival politik ofertash që ata të zgjedhin kë duan. Pse duhet ta marrë Alibeaj dhe Celibashi, kur mund të ishte tryezë e gjerë dhe të diskutohej me grupet e interesit. Më tej ai shtoi se ky stabilitet na ka dëmtuar demokracinë dhe se mungon alternativa e mendimit. Sipas tij, opozita nuk është në koherencë me interesat e qytetarëve.

Parimisht është mirë të ketë kolori ngjyrash politike, që do mbante çdo maxhorancë të dobët në presion për të qeverisur mirë. Po këtu jemi te pjesa e integritetit politik që sipas meje për momentin është asgjësuar fare, ata po anojnë nga kompromisi, i cili mban erë, anojnë nga ana e pazareve, kushteve dhe në këtë sens nuk bie dakord. Ky lloj vazhdimësie dhe stabiliteti na ka dëmtuar demokracinë, s’ka alternativë mendimi dhe madje s’ka as opozitë, e kemi pothuajse të asgjësuar. Ne sot po diskutojmë për reformën zgjedhore dhe ne sa herë që kemi zgjedhje kemi reformë zgjedhore dhe pastaj kemi zgjedhje të kontestuara. Prandaj opozita është gjithmonë jashtë orbitës së saj politike. Mendoj se përveç votimit elektronik i duhet mëshuar fortë votës së emigrantëve dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse ka presion, sepse këta që janë këtu s’kanë interes fare.