Korrupsioni dhe abuzimi me tenderat “infektojnë” Institutin e Shëndetit Publik

KLSH zbulon letrat false ku shefat e ISHP i japin tenderat vetes dhe familjarëve të tyre të punësuar tek një firmë private, e cila është përfituese e 80% të prokurimeve që bën ISHP për dezinfektimin e mjediseve në plazhe e zona urbane në vlerën e 2.5 miliard lekë. Dr.Erion Dasho, Strategjia Kombëtare e Shëndetsisë, një document qesharak.

 Shefat e ISHP i japin tenderët vetes dhe familjarëve të tyre të punësuar te firma “NRG Shpk”, KLSH zbulon letrat false

Sigal

 

Firma është përfituese e 80% të tenderëve që bën Instituti i Shëndetit Publik për dezinfektimin e mjediseve në plazhe e zona urbane, duke i dhënë deri tani 2.1 milionë Euro. SPAK duhet të hetojë këtë “rrjet merimange” korrupsioni të shefave mbasi rezulton se dhe tenderin e dezinfektimit për vitet 2022-2023 do t’ia japin firmës së tyre familjare

Drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik, janë “infektuar” aq shumë prej korrupsionit me fondet publike, sa sipas të dhënave duhet të veprojë urgjent Anti-krimi Ekonomik-Financiar dhe SPAK, mbasi ata vazhdojnë avazin. Dokumentet zyrtare që disponon faktojnë se 80% e tenderëve që janë bërë në këtë institucion shtetëror gjatë viteve 2014-2022, i kanë marrë vetë shefat e sektorëve dhe familjarë të tyre, të punësuar në firmën private “NRG Shpk”, me ortakë italianin Marco Geniço dhe zyrtaren e AKU, Flutura Nuredini. Ky pazar me “dyer të mbyllura”, u zbulua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, te procedurat e tenderit me objekt: “Shërbim dezinfektimi në zonat bregdetare dhe urbane për vitet 2019-2021”, por dhe për procedura të tjera. Tenderi në fjalë, përveç se është dhënë me abuzime e falsitete kriteresh në favor të firmës “NRG Sh.p.k”, rezulton se te kjo firmë janë të punësuar dhe 1 shef e 2 familjarë të shefave të Institutit të Shëndetit Publik, konkretisht këta:

– Dritan Bala, Përgjegjës i Sektorit të Shëndetit në Punë te Instituti i Shëndetit Publik me pagë mujore 889 mijë lekë, figuron dhe i punësuar “Mjek” me pagë mujore 30 mijë lekë te firma private “NRG Shpk”, që jo vetëm merr tenderë në Institutin e Shëndetit Publik, por kontrollohet prej tij për kushtet e punës.– Enkelejda Dikolli, Përgjegjëse e Sektorit të Kontrollit të Vektorëve e Planizim-Menaxhimin të Shërbimit të Dezinfektimit në Institutin e Shëndetit Publik, ka kunatin Adrian Meço (burrin e motrës) të punësuar te firma “NRG Sh.p.k” me pagë 30 mijë lekë.– Anisa Caka, Përgjegjëse e Sektorit të Administratës në Institutin e Shëndetit Publik, ka të punësuar bashkëshortin Lavdërim Ferhati në firmën “NRG Sh.p.k”, me detyrë inxhinier- informaticien me pagë mujore 34 mijë e 443 lekë. Pra, kemi të bëjmë me një konflikt  të hapur e të plotë interesi, mbasi shefat e Institutit të Shëndetit Publik e familjarë të tyre, punojnë te firma “NRG Shpk”, të cilës prej 7 vitesh i japin tenderë me procedura, vlera fondi limit, vlera fituese, specifikime e kritere të sajuara, por dhe i kontrollojnë zbatimin e kontratave.

Falsifikimet kanë shkuar deri në atë guxim, sa në tenderët që fiton firma “NRG Sh.p.k”, ka marrë pjesë fiktivisht dhe firma private “Akademia e Shëndetit Publik Sh.p.k” me administratore Afërdita Bala, gruaja e Dritan Balës, shef sektori në ISHP dhe punonjës te firma “NRG Shpk”.Nuk e dimë, nëse firmën “NRG sh.p.k” e kanë bërë kliente  pazaresh shefat e ISHP, apo kjo firmë ka “futur në thes” shefat e ISHP, duke i punësuar ata dhe familjarët e tyre, me goja paga minimale në bordero dhe  “çanta” ilegale. Por kemi dokumente, që tregojnë se kjo firmë është përfituese e 80% të tenderëve që bënë Instituti i Shëndetit Publik për dezinfektimin e mjediseve në plazhe e zona urbane, duke i dhënë deri tani 2.1  milionë Euro. Pazaret mes tyre, kanë nisur në vitin 2014 me 250 milionë lekë; kanë vazhduar gjatë viteve 2015-2018 me 880 milionë lekë dhe kanë shkuar gjatë viteve 2019-2021 me tenderë në vlerën 1.2 milionë Euro.Mirëpo, skandali thellohet më tej, kur sipas raportit të KLSH, megjithëse Instituti i Shëndetit Publik nuk ka aftësi për përcaktimin e kualifikimit të punonjësve, ka pranuar e certifikuar teknikë shërbimi dezinfektimi, recepsionistin, ekonomistin dhe menaxherin e firmës “NRG shpk”.SPAK duhet të hetojë këtë “rrjet merimange” korrupsioni të shefave brenda Institutit të Shëndetit Publik, mbasi sipas informacionit, rezulton se dhe tenderin e dezinfektimit për vitet 2022-2023 do t’ia japin firmës së tyre familjare “NRG Shpk”. Në vijim, fakte të tjera.Pamfleti

Një dokument qesharak që quhet ‘Strategji’

Dr. Erion Dasho

Pasi ka lexuar dhe shqyrtuar më vëmendje të ashtuquajturën Strategji Kombëtare të Shëndetësisë që është miratuar nga Qeveria “Rama” së fundmi, Dr. Erion Dasho ka dalë në përfundimin se ajo nuk është tjetër përveçse një dokument qesharak. Dhe, në njëdebat të fundit në media, e ka thënë hapur mendimin e tij dhe kritikat mbi “Strategjinë” në fjalë.Në shënimin e tij në Dr. Dasho shkruan: “Në fillim të muajit, qeveria miratoi Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë, një dokument tejet i dobët, i shkruar me porosi për të kënaqur tekat e ministrisë. Disa nga tezat e mia janë:

– Strategjia” është, në fakt, një dokument i përkthyer keq që nuk bën as një analizë reale të situatës, as vendosje të prioriteteve dhe as mobilizon burime të mjaftueshme për zbatim. Shprehje si “kanceri i trakesë së bronkeve dhe mushkërive” tregojnë se në grupin e hartimit të strategjisë, jo vetëm që nuk ka pasur asnjë ekspert shqiptar, por edhe përthyesi i dokumentit final ka qnë i paaftë. I gjithë dokumenti është shkruar në shqipe të çalë me gabime të rënda në sintaksë dhe gramatikë.

– Problemeve madhore të sistemit shëndetësor shqiptar, si mungesa e reformimit, mungesa e një modeli për organizimin e sistemit shëndetësor, mungesa e mjekëve dhe infemierëve, cilësia e dobët e shërbimit, nuk u jepet rëndësia e duhur dhe janë “fshehur midis rreshtave” të demagogjisë.

– Me më pak se 130 milionë euro investime në 10 vjet, kjo strategji është thellësisht jo-realiste dhe nuk adreson nevojat e institucioneve.

– 400 milionë euro në vit për shpenzimet korente janë shumë pak dhe nuk garantojnë funksionim të sistemit shëndetësor sipas standardeve bashkëkohore të mjekësisë moderne.

– Përgjithësisht, zgjidhjet që ofron strategjia janë artificiale dhe jo të besueshme.”

Në pjesën e dytë të ndërhyrjes, Dr. Dasho ka dhënë edhe opsionet mbi disa nga problemet që duhet të kishte adresuar ky dokument për t’u quajtur një strategji realiste dhe e drejtë për sistemin shëndetësor:

– Nevoja për një analizë të hollësishme të gjendjes për evidentimin e problemeve.

– Nevoja për të identifikuar modelin sipas të cilit do të zhvillohet sistemi shëndetësor shqiptar. Për mendimin tim, ky model duhet të jetë ai gjerman, i bazuar mbi sigurimet shëndetësore dhe jo ai anglez që u premtua nga rilindja para 10 vitesh (por që në fakt as edhe u zbatua ndonjëherë).

– Përmirësimi i arsimit mjekësor dhe pas universitar duke rritur numrin e universiteteve mjekësorë dhe duke sjellë përvojën e universiteteve mjekësorë nga bota.

– Dhjetëfishim i investimeve të parashikuara në strategji, duke garantuar të paktën 100 milionë euro investime çdo vit, fonde që lehtësisht mund të mobilizohen duke shmangur gangrenën e koncesioneve dhe vjedhjet në tenderë,” ka theksuar në përfundim eksperti i njohur.