“Çdo afërsi me Ramën e zhyt poshtë PD-në”

440
Dritan Shano analizon rezultatin e 25 qershorit, efektet e marrëveshjes Rama-Basha dhe klimën brenda Partisë Demokratike
Koordinatori i Partisë Demokratike dhe një nga hartuesit e programit të saj, Dritan Shaho, shprehet se votuesi në zgjedhjet e 25 qershorit nuk i dëgjoi propozimet ekonomike të opozitës. “Votuesi ynë ende nuk konsumon politikë, ai është thjesht fanatik i saj – as nuk e dëgjoi programin”, thotë Shano në një intervistë për “Telegraf”. Ai analizon rezultatin e 25 qershorit, defektet e PD-së, marrëveshjen e Rama-Basha dhe klimën në radhët e demokratëve pas disfatës zgjedhore.

PD-ja pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet parlamentare. Si e lexoni ju rezultatin e 25 qershorit?
“Siç thoni ju, humbja është e thellë. PD-ja do ketë vetëm 43 deputetë në Kuvend, ose 70% më pak sesa Partia Socialiste e timonierit të madh. Arsyeja më e parë e kësaj humbjeje, e distancës me vota mes nesh dhe PS-së, është alterimi i votës së shqiptarëve përmes blerjes së saj. Nga bandat e drogës, oligarkët dhe presioni shtetëror i ushtruar kudo në Shqipëri. Kjo është evidentuar edhe në raportin e OSBE-ODHIR, si dhe në raportimet e mbledhura gjatë fushatës nga burimet tona të brendshme. Përveç kësaj kemi dhe një problematikë tonën të brendshme, e cila ka dimensionin e vet të humbjes. Dimensioni statistikor, që sheh vetëm nga vetja, i këtij “knock down-i” politik është se ne sot kemi 25.4% më pak vota tonat në kuti, nga ç’kishim kishim në vitin 2009, ose 13.8% më pak se në vitin 2013. Ky është problemi dhe njëherësh sfida jonë kryesore për të ardhmen. Rikuperimi i këtyre votave. Analizimi i kësaj çështjeje del përtej datës 22 korrik. Zgjedhja e kryetarit të PD-së nuk mund të shërbejë si kapak që mbyll këtë arsyetim brenda PD-së”.

Për cilat arsye, PD-ja nuk arriti dot të krijojë një frymë opozitare për të nxitur votuesit? Pse program i saj ekonomik nuk u vlerësua nga votuesit?
“Po të vesh re, të gjitha partitë shtetërore PS, LSI dhe PDIU patën rritje votash, edhe pse shkaktuan një eksod të ri të shqiptarëve në këto vjet. Kjo tregon blerjen e votës, dhe eliminimin e çdo mundësie për të krijuar një frymë dhe shpresë. Votuesi ynë ende nuk konsumon politikë, ai është thjesht fanatik i saj – as nuk e dëgjoi programin. Ne e provuam me një program mjaft solid. Duhet ta ndryshojmë këtë kulturë politike fanatike. Do e provojmë përsëri”. 

Sa u dëmtua PD nga marrëveshja e 18 majit? Cili është efekti i kësaj marrëveshjeje?
“PD hyri në zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër. Kaq mjafton për të thënë sesa u dëmtua ajo nga kjo marrëveshje. Shpresa se marrëveshja mund të realizohej, rezultoi e pavërtetë. Ministrat teknikë, drejtorët teknikë, nuk patën as mundësinë më të vogël të ndalonin në metrat e fundit një makineri presioni dhe blerje të votës të vënë në lëvizje shumë kohë më parë, edhe sesa ne si PD të fillonim protestën tonë në çadër. Marrëveshja që PD i dha PS sot, në kuptimin politik dhe publik shërben sot thjesht si një alibi se PS ka fituar zgjedhjet në mënyrë demokratike. Ajo pati dy efekte: Edi Rama ja ka arritur të qeverisë krejt i vetëm dhe kjo përbën një rrezik shumë të madh për demokracinë hibride shqiptare, dhe uljen drastike të kursit të këmbimit të Lekut me Euron në pak javë, si provë e injektimit në procesin politik të parave të marihuanës që mbuloi Shqipërinë gjatë qeverisjes së Rilindjes Rama”. 

Brenda PD-së ka nisur një debat, shpeshherë edhe i ndezur, për zgjedhjen e kryetarit të ri. Si e vlerësoni këtë proces? A po i kalon ky debat kufijtë e normalitetit në një garë brenda partisë?
“E para, mendoj se serioziteti i një partie politike verifikohet tek respektimi i statutit të saj. Nëse statuti thotë se duhet zgjedhur Kryetari në këtë datë, atëherë kjo duhet të respektohet. Jam kategorik për respektimin e rregullave të lojës. Është imorale që kushdo qoftë ky të përfitojë nga mosrespektimi i tyre, në çdo rast, në çdo rrethanë dhe në lidhje me çdo nen të statutit. Nuk kam parë asnjë debat deri tani. Kam parë thjesht shumë nervozizëm dhe rreshtime apriori pro dhe kundër. Që ca janë burra të mirë dhe ca janë burra të këqij. Edhe njeriu më i zi, e ka të drejtën e fjalës dhe ajo, fjala, argumenti duhet dëgjuar. Por ajo që kam parë është aplikimi i metodës më primitive të krijimit të avantazhit mbi kundërshtarin, brenda dhe jashtë partisë. Linçimin. Linçimi biografiko-politik është një metodë gjerësisht e përdorur në politikën shqiptare. PD nuk është e huaj ndaj kësaj metode. Kjo metodë përdoret kudo, në Parlament, në rrugë, në media, në Facebook. Linçimi politik është një metodë që përdoret për të avancuar agjenda personale në mungesë të çfarëdo argumenti. E përdorin këtë metodë tërësisht nazisto- komuniste edhe ata që kanë lindur pas viteve 1990, sepse është krijuar ideja se kështu provohet besnikëria. Çfarë kemi parë javën që shkoi nuk ishte debat, por një rreshtim palësh që nuk pëlqehen, që urrehen. Një rreshtim linçues, por pa argument. Debati dhe gara, me shpresë të Zotit, fillon tani. Në të tilla raste thuhet: fitoftë më i miri”.

A rrezikon PD-ja të shkojë drejt ndarjes apo krijimit të grupeve të ndryshme?
“Nuk e di a po shkon PD-ja drejt ndarjes apo jo. Mund të ndodhë që të kemi një ndarje. Të gjitha ndarjet që nga viti 1992 në PD kanë qenë të lidhura me aksesin dhe menaxhimin e pushtetit. Nëse kjo ndodh, edhe kjo e reja kështu do të jetë. Ndarjet në PD nuk kanë ndonjë fund të bukur. E them këtë edhe për eksperiencë personale. Këto ndarje nuk ndodhin kurrsesi për shkak të një leximi të ndryshëm të nenit 2 të statutit të Partisë Demokratike, nen i cili nuk ndryshuar në këto 27 vjet dhe përbën arsyen e ekzistencës së kësaj force politike. Është ky nen që bashkon qindra mijëra demokratë, por në rast të një ndarje të re, ky nen nuk do jetë i mjaftueshëm të mbajë bashkë ata që e mendojnë veten nalt-demokratë. Grupe të ndryshme? Gjithnjë ka parur grupe të ndryshme në PD. Gjithnjë ato kanë pasur bekimin e kryetarit, dhe në fund gjithnjë janë menaxhuar nga kryetari. Shpresoj që kjo të ndryshojë”. 

Cila është rruga e ringritjes së PD-së pas 22 korrikut? 
“Sot në PD nuk ka transparencë, nuk ka qartësi, nuk ka meritokraci, nuk ka rregulla të qarta për avancimin në karrierën politike dhe mesazhi politik është konfuz. E gjithë anëtarësia është konfuze për proceset që vijuan daljen nga çadra. Besimi dhe besueshmëria e përfaqësimit dhe proceseve të ndërtimit të këtij përfaqësimi politik të Partisë Demokratike është cenuar rëndë. Gjetja e sigurisë në vetëm një person, brenda apo jashtë partisë sipas konjukturës, natyrisht që e bën krejt të pamoralshme marrëdhënien me bashkëpunëtorët dhe pretendimin për hipotekimin e kontributeve të tyre, një mashtrim të mirëfilltë. Korrigjimi i menjëhershëm i këtyre fenomeneve dhe debati i hapur është rruga e vetme për ringritjen e PD-së. Që këto të bëhen të besueshme mjafton që këto procese të jenë politike, statutore dhe jo apolitike apo ekstrapolitike. Çdo kompromis me transparencën, rregullat, kontributet vetëm sa do ta zvogëlojë dhe do ta bëjë PD-në aq mikroskopike, sa ç’mund të jetë një agjendë personale. Mendoj se PD duhet të ri-krijojë identitetin e vet. Dallueshmërinë e vet, politike, programore. Basha duhet të punojë fort dhe me sinqeritet për t’i realizuar të gjitha këto”. 

Ka një ofertë publike nga kryeministri Rama për të vazhduar bashkëpunimin në kuadër të paktit të 18 majit. Si duhet ta trajtojë PD një ftesë të tillë?
“Çdo çështje e përparimit kombëtar do ketë bashkëpunimin e PD-së. Jo vetëm reforma në drejtësi, por çdo bashkëpunim tjetër jo i kësaj rëndësie apo i këtij niveli duhet parë me lupë. Çdo afërsi me Ramën favorizon këtë të fundit dhe zhyt poshtë PD-në. Çdo imitim i rrugës së Ramës drejt pushtetit, do ishte fatal për PD. Njerëzit presin prej shumë kohësh që ne, Partia Demokratike, të jemi të ndryshëm në çdo gjë që bëjmë dhe që propozojmë”.

Bisedoi: Elton Metaj
Sigal