Konferenca e plotë javore për Shtyp të Presidentit Meta: Më i madh grushti i popullit, sesa i shtetit

323
Sigal

Presidenti Ilir Meta siç është bërë tashmë traditë ka mbajtur zhivulluar konferencën me gazetarët duke treguar transparencë për zhvillimet më të fundit. Nga informacionet në lidhje me Greqinë për çështjen e detit,përplasjeve të vazhdueshme  lidhur me çështjen e Gjykatës Kushtetuese e deri te çështjet e dekretimeve të ministrave, por edhe zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

 Pyetje:Kur mazhoranca ngriti komisionin hetimor për shkarkimin tuaj, ju, Zoti Presidenti u përbetuat disa herë se do dilnit nga zyra e Kreut të Shtetit vetëm në korrik të 2022?

Nëse në zgjedhjet e 2021-it, ish-partia juaj do të fitonte zgjedhjet, apo në se aleatët e kësaj partie, Partia Demokratike, do fitonin zgjedhjet do të donin të bënin koalicion do të ishit i gatshëm ju, siç po qarkullon këto ditë në media, të linit mandatin e Presidentit për një post të rëndësishëm qeveritar?

 Presidenti Meta: Ju e dini që unë prej kohësh kam qenë i gatshëm që për hir të marrëveshjeve, të cilat zgjidhin krizën e legjimitetit të institucioneve kryesore të vendit, të lija edhe postin e Presidentit, vetëm që të gjendej një zgjidhje afatgjatë për vendin pa pasur parasysh as interesat e mia personale, dhe as karrierën time.

 

Por, unë dua t’ju sigurojë pa hyrë në komente dhe në përpjekje që kërkojnë të tërheqin vëmendjen nga çështja më e madhe që ka vendi: Nga garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 25 prill t’ju them se, në të gjitha rastet unë premtimin që kam bërë, që ky Institucion, deri në 24 korrik 2022, do të jetë kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës, të lirisë, demokracisë dhe së ardhmes evropiane të vendit, këtë do ta mbaj në të gjitha mënyrat.

 

Duhet të jemi të qetë për këtë institucion deri në 24 korrik 2022, po ky nuk është problem i vetëm, sepse ky institucion gjatë këtyre viteve ka qenë institucion që e ka mbrojtur Kushtetutën, në mënyrën më të vendosur dhe ka bërë gjithçka që vendi, mos të përplaset në fund të greminës, edhe pse ka marrë tatëpjetën prej kohësh.

 

Mjafton fakti që shtohen kushtet për integrimin e Shqipërisë, kjo do të thotë që vendi ynë bën hapa pas, dhe këto nuk janë për përgjegjësinë e Presidentit, tashmë është e qartë se ku rëndon përgjegjësia.

 

Përsa i takon çështjes së zgjedhjeve, për mua ka vetëm një gjë rëndësi: Zgjedhje të lira të ndershme, sepse zgjidh kushtet e Bashkimit Evropian, por jo vetëm. Vetëdomosdoshmëria e rivendosjes se legjimitetit të plotë në vend të të gjitha institucioneve e kanë këtë një kërkesë ultimative.

 

Vetë e ardhmja e Shqipërisë, një ardhme e qetë, një e ardhme e sigurt, me prosperitet, larg kësaj çmendurie, që i ka lodhur shqiptarët kaq shumë, dhe i ka varfëruar kaq shumë, i ka përçarë kaq shumë, i ka polarizuar kaq shumë në mënyrë artificiale, sikurse e kam thënë në mënyrë të vazhdueshme dhe i ka larguar edhe kaq shumë edhe nga vendi.

 

Mjafton “Le Monde”, para pak ditësh apo jo që të hapej me një lajm dramatik, që nga Shqipëria janë larguar njerëz ose po largohen njerëz më shumë sesa në fillim të viteve 1990, pra para 30 viteve kjo është mjaft erëndë.

 

Unë, i ftoj të gjithë aktorët politik ti qëndrojnë marrëveshjes të arritur me aq vështirësi dhe mund të 5 qershorit!Të mos devijojnë asnjë milimetër nga ajo marrëveshje, të mos përdorin sebepin gjoja lista të hapura, për të prishur marrëveshjen!

 

Përshëndes opozitën, e cila ka qenë e gatshme për hapjen e listave 100% dhe mendoj që është në dinjitetin e të gjitha forcave politike që ta bëjnë këtë gjë!

Në mënyrë që qytetarët të zgjedhin edhe deputetët, brenda forcave politike, meqenëse partitë në Shqipëria kanë kohë që nuk bëjnë dot zgjedhje brenda tyre.

Dhe në rast se mazhoranca nuk dëshiron t’i hapë listat për vete, le t’i bëjë të mbyllura, por nuk ka pse të pengojë forcat e tjera politike kudo qofshin ato, në mazhorancë apo në opozitën. Përndryshe, në rast se do të kemi një shkelje të njëanshme sikurse është vepruar edhe me ndryshimet kushtetuese, që u bënë në mënyrë më antikushtetuese njëkohësisht atëherë, është e qartë që kemi tentativë për grusht shteti.Dhe kuptohet që grushti i shtetit do të shtypet nga grushti i popullit. Është më i madh grushti i popullit, sesa grushti i shtetit.

 Pyetje: I nderuar zoti President, ne si gazetarë më 14 shtator pasqyruam protestën e familjarëve, të fëmijëve dhe grave që kanë mbetur në kampin “Al-Hol” në Siri.

Meqenëse ju, si Kreu i Shtetit keni burime informacioni të shumëfishta, në dijeninë tuaj, në cilën fazë janë përpjekjet për t’i riatdhesuar këto gra dhe fëmijë nga Siria?

 Presidenti Meta: Mendoj që kjo është një çështje mjaft sensitive, e cila për shkak të vetë specifikave që ka, nuk mund të trajtohet në publik. Ky është një shqetësim i madh, ka qenë shqetësim i madh për mua edhe më parë.

 

Pata kënaqësinë të prisja para pak kohës këtu, Alvin Berishën dhe babain e tij,që për fat të mirë iu rikthye djali dhe shpresojmë që të gjithëve t’iu rikthehen të afërmit e tyre, por, kuptohet kjo nuk është një punë që mund të shpjegohet në publik.

 

Pyetje: Zoti President ju i keni çuar një letër kryeministrit shqiptar Edi Rama për informacion lidhur me deklarimet që ka bërë kryeministri grek për çështjen e 12 miljeve.

 

A e keni marrë këtë informacion dhe pyetja e dytë: kryeministri Rama në Athinë hodhi idenë e dy alternativave për të pasur zgjidhje për kufirin detar me Greqinë, atë me ndërmjetësimin e një pale të tretë dhe çuarjen e çështjen në gjykatën ndërkombëtare. Mendoni se kjo është zgjidhja më e mirë?

 

Presidenti Meta: Lidhur me çështjen në fjalë që është një çështje mjaft sensitive prej të paktën 12 vitesh midis Shqipërisë dhe Greqisë, por është një problem mjaft i ndjeshëm edhe brenda vendit për vetë historinë që ju e dini.

 

Presidenti ka qenë gjithmonë koherent dhe tepër bashkëpunues me qeverinë këtu, pra me qeverinë tonë, me institucionet tona, pasi në fund të fundit ne të gjithë përfaqësojmë një palëdhe detyrat e secilës palë apo institucion i ka përcaktuar në mënyrë të qartë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe Presidenti në mënyrën më bashkëpunuese i ka plotësuar të gjitha detyrimet e tij, dhe ka qenë gjithnjë shumë bashkëpunues me qeverinë.

 

Për pyetjen e dytë që shtruat ju, prej gati 20 ditësh kemi dërguar një kërkesë zyrtare, në përmbushje të detyrimeve që ka Presidenti për një çështje të tillë siç përcakton edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe Kushtetuta e Republikës. Ende nuk kemi ndonjë përgjigje. Ne jemi të duruar ashtu sikurse nga ana institucionit të Presidentit në drejtim të kryeministrisë dhe të qeverisë kanë shkuar edhe kërkesa edhe informacione të tjera më parë për këtë çështje të cilat nuk kanë marrë një përgjigje.

 

Por , ajo që do t’ju them juve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë është se Presidenti asnjëherë nuk ka luajtur me një çështje të tillë apo me çdo lloj çështje që ka të bëjënë marrëdhënie midis Shqipërisë edhe Greqisë dhe qëndrimi i Presidentit për çdo çështje është jo vetëm koherent, por edhe i qartë dhe tepër parimor.

 

Jo vetëm në institucionet tona këtu që e kemi për detyrë, por njëkohësisht edhe në raport me të gjithë partnerët tanë. Pavarësisht nga mistrecllëqet për të provokuar Presidentin edhe për këtë çështje ju e dini që qëndrimi i Presidentit ka qenë tepër i qartë, respektimi i Kushtetutës, respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet tona. Nuk ka pasur asnjë rast ku ka pasur një mungesë vullneti për bashkëpunim nga ana e Presidentit.

Presidenti nuk mban qëndrime as të dyfishta dhe as të trefishta!

Presidenti ka një qëndrim dhe vetëm një: Të zgjidhet sa më shpejt në mënyrë të tillë që kjo çështje të jetë një burim mirëbesimi midis dy vendeve dhe dy popujve tanë përgjithmonë! Jo të minojë këtë marrëdhënie përmes qëndrimeve të pasinqerta, përmes qëndrimeve që ndryshojnë në vazhdimësi sipas konjukturave të çastit këtu apo edhe më gjerë, sepse për mua miqësia me Greqinë në veçanti, por edhe me gjithë fqinjët e tjerë është mjaft e rëndësishme të mbrohet të zhvillohet, edhe të forcohet.

 Pyetje: Zoti President pas përplasjeve të vazhdueshme mes jush dhe Partisë Socialiste lidhur me çështjen e Gjykatës Kushtetuese, çështjet e dekretimeve të ministrave, por edhe zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit tashmë mazhoranca duket se do të bëj një ligj organik për të rregulluarkompetencat tuaja, cili është komenti juaj për këtë ligj?

 

Presidenti Meta: Se çfarë bën mazhoranca kjo është një zgjedhje e saj. Presidenti di vetëm të respektojë Kushtetutën dhe i përshtatet dhe do t’i përshtatet çdo situate në mbrojtje të kushtetutës dhe thelbi dhe themeli i Kushtetutës është pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Asnjë i sëmurë mendor apo i marrosur pas pushtetit të pamerituar dhe të vjedhur nuk duhet t’i shkojë mendja se Presidenti i këtij vendi mund të frikësohet mund të intimidohet dhe mund të dekurajohet për të përmbushur misionin e tij historik që të jetë Presidenti i 25 prillit.

 

Në qoftëse këtij parlamenti nuk i mjaftojnë gjithë ato rekorde negative që ka në këto 30 vite si parlamenti më me probleme, padyshim që do të ngelet si parlamenti i 1 prillit në rast se nuk reflekton në ditët që vijnë! Dhe reflektimi i parë është respektimi pikë për pikë i marrëveshjes së 5 qershorit, nga e cila e përshëndes opozitën që ka mbështetur fuqimisht hapjen e listave 100 %!

Dhe këtu derisa ka konsensus dhe duhet të ketë konsensus nuk ka asnjë shqetësim, asnjë problem përkundrazi i bëhet mirë demokracisë dhe i bëhet mirë popullit shqiptar.

 

Tani, mirë apo keq ju e keni Presidentin, edhe të jeni të sigurt që edhe sikur mos e kishit Presidentin, edhe sikur të kishin mbaruar gjithë burrat në Shqipëri, meqenëse jeni dhe shumica këtu zonja dhe vajza dhe nëna, jam i sigurt se gratë e Shqipërisë do t’iua kalonin grave të Bjellorusisë.

 

Se kur ngrihen dhe gratë e Bjellorusisë nga një regjim diktatorial që nuk e kanë provuar kurrë demokracinë, edhe shpërthejnë, gratë e Shqipërisë dhe nënat e Shqipërisë atyre që duan t’i bëjnë të zezën e fundit Shqipërisë, do t’iu bëjnë atë që t’i duket shumë e madhe edhe vrima e vrimës së miut.

 

Kështu që mos u shqetësoni! Presidenti është këtu, është në krye të detyrës, nuk fle më gjumë deri më 25 prill! Unë shpresoj që të gjithë ta kuptojnë dhe të reflektojnë që këto zgjedhje janë një domosdoshmëri!Kushdo që mendon dhe që ndjen se është rëndë, edhe që do të trembë populli shqiptar që ta fabrikojë një shumicë nga ato mënyra që i dimë të gjithë sipas dosjeve të Shijakut edhe të Dibrës edhe që i ka mësuar gjithë bota, që ka dhe një mal me kushte për zgjedhje të lira, le ta provojë!

 

Presidenti nuk i thotë askujt të mos bëjë eksperimente kur është kokëfortë, por i paralajmëron të gjithë që fati i tyre të mos cenojë fatin e popullit shqiptar, sepse e them edhe një herë vrima e vrimës së miut do t’u duket shumë e madhe!

 

Pyetje: Zoti President, për sa i përket ligjit për Institucionin tuaj, a ka nga mazhoranca një kërkesë drejtuar Presidencës për opinion apo të sjellë një variant të sajën se si mund të kornizohen kompetencat e kreut të shtetit?

 

Dhe ju do të çoni në Kuvend një variant se si do të ishte më e përshtatshme një diçka e tillë?

 

Dhe pyetja e dytë: Keni ngritur shqetësime për paketën antishpifje…?

 

Presidenti Meta: Nuk ka ligj antikushtetues nga një parlament antikushtetues si ky që është aktualisht që e pengon Presidentin të përmbushë misionin e tij kryesor në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të pluralizmit politik, në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme!

 

Mazhoranca e ka provuar me Presidentin: 3 me 0! Sa herë ka shkuar në Komisionin e Venecias apo jo, pavarësisht nga lobimi që ka bërë, pavarësisht nga miliardat që janë shpenzuar lart e poshtë e nga gjithçka tjetër, e ka provuar.

 

Mos e ktheni betejën me Presidentin, sepse ky është Presidenti i popullit të 2 marsit! Nuk është Presidenti as i LSI-së dhe as i opozitës!

 

Edhe populli i 2 marsit është aty, është shtuar dhe prapë kërkon që të shpërndahen! Unë them që këtë punë ta zgjidhim më 25 prill në mënyrë të qetë, në mënyrë qytetare, në mënyrë demokratike.

 

Duan që të shpërndahen përpara 25 prillit në mënyrë që të mos dinë se ku të futen?! Ta provojnë! Është çështje e tyre, unë këtu jam! Kur të duan!

 

Duan të më shkarkojnë?! Le të më shkarkojnë! Le të vinë këtu dhe të shohim se kush do ta shkarkojë njëri-tjetrin! Kush i pengoi këta të më shkarkonin mua?! Presidenti ka respektuar, do të respektojë Kushtetutën jo grushtin e shtetit!

 

Nuk trembet më njeri në këtë vend! Tremben vetëm të tremburit!

 

Pyetje: Pra ligjin e shihni si tentativë shkarkimi?

 

Presidenti Meta:Kë të shkarkojnë ata?! Patjetër… Të shohim se kush e shkarkon më parë njëri-tjetrin!

 

Pyetje: Dhe një pyetje të fundit Zoti President, në qoftë se mundemi: Keni ngritur shqetësimin se po punohet për paketën anti-shpifje nëmënyrë antikushtetuese dhe në kundërshtim me opinionin e Komisionit të Venecias. A keni parë një draft të tillë? A jeni në dijeni se çfarë po punohet nga mazhoranca që ngrini një shqetësim të tillë?

 

Presidenti Meta:Unë qëndrimet e mia i kam mbajtur publike, i kam mbajtur institucionale. Ju i keni parë dhe i keni vënë re. Të gjitha qëndrimet e Presidenti kanë qenë koherente. Të gjitha qëndrimet e Presidentit kanë qenë të qarta. Se çfarë do të bëjë mazhoranca kjo është çështje e saj.

 

Unënuk i pengoj dot që të bëjnë veprime të marra, por që vendi të merret peng dhe që e ardhmja evropiane e Shqipërisë të merret peng për fatin e pushtetit të një njeriut e të një bande oligarkësh, banditësh e diplomatësh të korruptuar, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë!

 

Unë kam qenë edhe kryeministër dhe jam ndeshur me situata të vështira dhe ju e dini për shembull se kur një person merr peng një autobus, është një situatë që përpiqesh të vendosësh me të një kontakt, një gjë që të shpëtojnë të gjithë, edhe qytetarët, por edhe pengu të mos të ketë fat të keq. Por ju e dini që kur rrezikohen të gjithë qytetarët, pastaj merren vendime të forta dhe askush nuk do t’ia ketë fajin askujt, nëqoftë se do të ketë zgjedhur që për fatin e tij të sakrifikojë fatin e një populli të tërë.

 

Nuk do të sakrifikohet e ardhmja evropiane e Shqipërisë as për kokën e Ilir Metës, as të Edi Ramës, as të Lulzim Bashës dhe as të askujt tjetër!

 

Shqipëria ka qenë para nesh, ka mbijetuar, dhe do të jetë edhe më e fortë pa të gjithë ne!

 

Por të gjithë duhet të kuptojmë se tani kupa është derdhur me kohë! Nuk do të ketë lojëra! Nuk do të ketë më as marrëveshje kundër zgjedhjeve! Është vetëm marrëveshja e 5 qershorit dhe e vetmja gjë që i shtohet: Listat e hapura për të gjithë!

 

Kaq! Faleminderit! Tani do të iki se bëhem vonë, në Dibër!

 

Do të ikim në vendlindjen e Elez Isufit, i cili gjithë jetën e tij luftoi kundër të gjithë pushtuesve.

 

Dhe ta dinë të gjithë që ky është një vend që pas 25 prillit do të jetë një vend që do t’u takojë të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe kurrsesi një kaste të papërgjegjshme dhe secili le të përmirësojë raportin e tij me historinë e re të Shqipërisë pas 25 prillit, sa të ketë mundësi!