Sigal

Qeveria ka dhënë në këto 5 vite 2500 koncesione dhe tenderë pa konkurrim në vlerën e 1.5 miliardë euro. Ja lista me 16 kontratat më fitimprurëse, nga nafta e Marinzës, minierat, aeroporti, porti, inceneratorët, pasaportat, kolaudimi, skanimi etj. Vetëm në shëndetësi 4 koncesione përfitojnë 385 milionë euro, kurse norma totale e fitimit arrin në 530 miliardë lekë

Koncesionet përfitojnë 530 miliardë lekë në 2017-n. Për 16 kontrata norma e fitimit  është 46%

Jakup B. GJOÇA

Biznesi i koncesioneve arriti në 53 miliardë lekë vitin e kaluar, duke shënuar një rekord të ri historik. Telegraf analizoi bilancet e 16 koncesioneve më të mëdha në vend, nga ato të burimeve natyrore e deri tek kontratat në fushën e shëndetësisë, transportit dhe ato të kontrollit fiskal.

Miliona euro fitime, pa bërë investime në hapjen e vendeve të reja të punës

Sipas bilanceve të dorëzuara nga vetë kompanitë, për vitin e kaluar xhiroja e koncesioneve më të mëdha në vend arriti 475 milionë euro ose sa 3.3% e prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Më shumë se gjysma e kësaj shifre vjen nga dy koncesione, të cilat shfrytëzojnë pasuritë natyrore të vendit, ai i naftës në Patos-Marinzë dhe miniera e kromit në Bulqizë. Në total, të dy këto koncesione kanë faturuar rreth 33 miliardë lekë, ndërkohë që pas tyre vijnë me radhë koncesioni i aeroportit, ai i pasaportave dhe monopoli i skanimit në dogana, inceneratorët, djegia e plehrave.

Ja koncesionet më fitimprurëse në Shqipëri

Por, cilat janë koncesionet më fitimprurëse në Shqipëri? Sipas bilanceve të dorëzuara në QKR, vendin e parë e mban koncesioni i aeroportit. Në vitin 2017, Tirana International Airport pati një fitim para tatimit prej 2.8 miliardë lekësh. Pas tij renditet koncesioni i kromit me 1.8 miliardë lekë fitim dhe më pas vijnë pasaportat, kolaudimi dhe skanimit të cilat kanë pasur një fitim vjetor nga 207 deri në 542 milionë lekë. Në total, 16 koncesionet më të mëdha të vendit vitin e kaluar fituan 7.3 miliardë lekë ose rreth 60 milionë euro, me një normë mesatare fitimi prej mbi 13% mbi xhiron. Por, brenda listës ka kompani me norma fitimi deri në 46%, siç është rasti i aeroportit të Rinasit, apo 25-30% si pasaportat dhe kolaudimet.

4 koncesione në shëndetësi, 385 milionë lekë faturë

Janë të paktën 385 milionë euro që paguhen nga taksat tona për 4 koncesione më shëndetësi. 120 mln euro për Check up, 100 mln euro për laboratorët, 92 mln euro për sterilizimim e pajisjeve mjekësore, 73 milionë për hemodializën, ndërkohë që në spitalet publike mungojnë edhe ilaçet dhe materialet më të domosdoshme mjekësore për pacientët.

Akuzat për abuzimet e koncesioneve

Deputetja e Partisë Demokratike, Vokshi, ka akuzuar kryeministrin Rama se i ka dhënë Vilma Nushit nëpërmjet koncesionit të Chek-up 6.3 milionë euro për 420 mijë analiza të pabëra kurrë. Voksi: Kryeministri Rama të publikojë tabelën për 6.3 mln EUROT paguar Vilmës për 420 mijë analiza të pabëra kurrë. Një abuzim skandaloz me buxhetin e taksapaguesve, evidentuar edhe në raportin e KLSH.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin përfundimtar për Urgjencën Mjekësore, ku konstaton: Ende numri i autoambulancave është i pamjaftueshëm; Shërbimi i urgjencës mjekësore nuk është i shtrirë në të gjithë territorin; Personeli i urgjencës mjekësore nuk është i mjaftueshëm; Autoambulancave u mungojnë pajisjet bazë për të shpëtuar jetën e pacientëve.

Buxhet elektoral i qeverisë së Rilindjes

Qeveria e Rilindjes në 5 vite të qeverisjes ende nuk ka bërë rritje rrogash dhe të pensioneve, duke u justifikuar në shlyerjen e borxheve të trashëguara. Jo vetëm kaq, por qeveria ka shkurtuar çdo vit edhe fondet e buxhetit për arsimin, shëndetësinë publike, shkurtimin e fondeve për investime publike, ka investuar pak në infrastrukturën deri tani, ndërkohë, që gjatë 5 viteve ka dhënë 2.500 koncesione dhe tenderë me faturë 1,5 miliardë euro, ndërkohë që borxhi i jashtëm publik i Shqipërisë është rritur (të paktën, me të dhënat zyrtare të INSTAT) është 74 %, nga 65 % që ishte në 2013. Kryeministri Rama para disa ditësh deklaroi se në prill 2019 do të rritë rrogat e sektorëve buxhetorë deri në 10 % në shëndetësi, arsim dhe në ushtri. Nuk u bë fjalë për rritje të pensioneve, apo të ndihmës sociale. Rritja e rrogës në prill të 2019 më shumë është një buxhet elektoral, sepse në qershor 2019 do të zhvillohen zgjedhjet vendor. Është e papranueshme për këdo qeveri, e ca më shumë për një qeveri e vetëquajtur “E Majtë” sikurse Rilindja Socialiste, që të rritë njëherë në 5 vite rrogën, të shkurtojë fondet për arsimin, shëndetësinë publike, të shkurtojë fondet e ndihmës sociale dhe ekonomike, ndërkohë, që koncesionet që ka dhënë kanë qindra miliarda lekë fitime me norma fitimi 46 %

Është e papranueshme për këdo qeveri, e ca më shumë për një qeveri e vetëquajtur “E Majtë” sikurse Rilindja Socialiste, që të rritë njëherë në 5 vite rrogën, të shkurtojë fondet për arsimin, shëndetësinë publike, të shkurtojë fondet e ndihmës sociale dhe ekonomike, ndërkohë, që koncesionet që ka dhënë kanë qindra miliarda lekë fitime me norma fitimi 46 %