Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi këtë fundjavë studimin e parë mbi institucionet e reja të drejtësisë në vitin e parë të punës së tyre. Autorët pohuan se reforma në sistemin e drejtësisë ka hyrë në vitin e 5 të zbatimit, por ende nuk ka përfunduar plotësimi i Gjykatave Speciale me gjykatës dhe as ngritja e SPAK – Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Studimi vëren se besimi i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë mbetet ende në nivele të ulëta, sepse numri i dënimeve për korrupsion dhe krim të organizuar është i papërfillshëm. Në vitin e parë të punës së tyre, deri në dhjetorin e kaluar, Prokuroria dhe Gjykatat e Posaçme regjistruan 40 çështje penale për korrupsion dhe 50 çështje penale për krimin e organizuar. Por studimi zbuloi se megjithë numrin e lartë të denoncimeve për korrupsion të shënuara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, procedimet penale të dërguara për gjykim janë në një përqindje të vogël. Studimi vëren se shumica e çështjeve për korrupsion janë akuza ndaj punonjësve publikë. Po ashtu, pjesa më e madhe e dënimeve për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë janë me masën shërbim prove në publik dhe jo me burgim. 5 dënimet me burg për korrupsion janë maksimumi 3 vjet dhe minimalja 6 muaj burgim. Sipas studimit, nga 240 dosje për korrupsion vetëm 39 u dërguan për gjykim. Gjithsej vetëm 10 % e çështjeve të hetuara nga Prokuroria e Posaçme u dërguan për gjykim në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Sipas Barometrit gjithnjë e më pak qytetarë besojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të forcohet me krijimin e SPAK dhe se efektiviteti i gjykatave do të rritet pas reformës në drejtësi
Rreth 30 për qind e të pandehurve u dërguan për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Ndërsa nga 310 hetime pasurore, vetëm 11 kërkesa për sekuestro u dërguan në gjykatë, dhe vetëm për 4 raste në gjykim nga Prokuroria e Posaçme kërkoi konfiskim të pasurisë së sekuestruar. Sipas Barometrit gjithnjë e më pak qytetarë besojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të forcohet me krijimin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe se efektiviteti i gjykatave do të rritet pas reformës në drejtësi. Perceptimi i gjerë i të anketuarve është se institucionet e drejtësisë (Prokuroria dhe Gjykatat) janë të korruptuara dhe të varura nga politika.





















