Meta: Çdo ide për ndryshim kufijsh nuk i shërben forcimit të themeleve të Evropës së bashkuar

273
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar sot se në BE, çdo ide për ndryshime kufijsh është një ide që nuk i shërben forcimit të themeleve të Evropës së bashkuar dhe është mjaft e rëndësishme të punohet për të aplikuar standarde të BE-së si në Kosovë edhe në Serbi.

I pyetur gjatë konferencës së shtypit të së hënës për deklaratat e z. Bolton, sipas të cilit, ideja e shkëmbimit të territoreve Serbi-Kosovë kishte ardhur si propozim i vetë autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit”, Meta dha gjykimin e tij pa iu referuar asnjë deklarate.

“Dua të vlerësoj edhe njëherë tjetër që, pa u bërë pjesë e deklaratave apo komenteve të diplomatëve apo të përfaqësuesve apo ish-përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, – tha Presidenti, – se e ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja e Serbisë duhet të jetë në Bashkimin Evropian.

Ky është një objektiv i shpallur në mënyrë të qartë nga të dyja vendet dhe pa asnjë diskutim, që në BE çdo ide për ndryshime kufijsh është një ide që nuk i shërben forcimit të themeleve të Evropës së bashkuar dhe është mjaft e rëndësishme të punohet për të aplikuar standarde të BE-së në të dy vendet.

Dua ta nënvizoj se nuk mund të ketë asnjë zgjidhje, as të qëndrueshme, as paqësore dhe as evropiane, duke bërë llogari jo vetëm kufijsh, por edhe qytetarësh në radhë të parë.

Pra, zgjidhja nuk është as më pak serbe në Kosovë dhe as më pak shqiptare në Serbi, zgjidhja është për të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike, të gëzojnë të gjitha të drejtat që gëzon çdo pakicë, çdo minoritet kudo në çdo vend të zhvilluar evropian. Kjo është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme, paqësore, konstruktive.

Nuk besoj se Ballkani ka nevojë për zgjidhje të vjetra ballkanike që kanë treguar se sa shumë e shkatërrojnë të ardhmen evropiane të këtij rajoni.”