Kompetenca kushtetuese është e Presidentit, shfaqja e mendimit është e lirë

401
Sigal

INTERVISTA/Flet konstitucionalisti Njazi Jaho, për afatin e mbarimit të mandatit të Prokurorit

Zoti Jaho, dje në njoftimin zyrtar të Presidentit të Republikës thuhet se, Prokurores së Përgjithshme Ina Rama i mbaron mandate në 22 nëntor 2012. Ju më parë jeni shprehur se mandati i mbaron në maj të vitit 2013, a vazhdoni që t’i qëndroni këtij mendim?

-Në radhë të parë e shikoj të nevojshme të përmend se sipas Kushtetutës, është Presidenti i Republikës, ai që ka kompetencë që të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm, ndërsa Kuvendi është ai që jep ose jo pëlqimin e tij. Mendimet e tjera përshi edhe timin janë individuale. Është e drejtë e secilit të shprehet ashtu siç është edhe e drejtë e të tjerëve të mos pajtohen me këtë apo atë mendim. E rëndësishme është që të paraqiten argumente ligjorë dhe kushtetues. Si jurist mbështetur në Kushtetutë dhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese, kam bindjen se mandate i Prokurores së përgjithshme mbaron në maj të vitit 2013. Nuk e shikoj me vend të përsëris ato që kam shprehur më parë në shtypin e shkruar dhe atë elektronik.

-Në njoftimin zyrtar të Presidentit të Republikës veç të tjerave thuhet se “mandate përbën periudhën kohore gjatë së cilës i emëruari ushton funksionin e tij” se, “në referim të të gjithave praktikave gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese fillimi i mandatit i referohet ditës së emërimit apo betimit (nëse kërkohet betimi) dhe përfundon në të njëjtin ditë dhe muaj të vitit të fundit të afatit të përcaktuar me ligj”. Ç’mendoni për këtë?

-Nuk preferoj të bëj komente për një çështje që mendoj se është e qartë. Unë do të mjaftohesha duke ju referuar fakteve. Zonja Ina Rama u emërua Prokurore e Përgjithshme në prill të 2007-s. Në funksionin e Prokurores së Përgjithshme në atë kohë nuk ishte parashikuar ndonjë mandate i kufizuar. Kjo do të thotë se Prokurori i Përgjithshëm mandatin e kishte deri sat ë dilte në pension, përjashtuar rastin e dorëheqjes, ose të shkarkimit në përputhje me pikën 2 të nenit 149 të Kushtetutës. Një mandate të tillë kanë edhe gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit. Në këtë vështrim ajo që thuhet në njoftimin zyrtar të Presidentit të Republikës se, “mandati përbën periudhën kohore gjatë së cilës i emëruari ushtron funksionin e tij” mendoj se, është i drejtë. Por në rastin konkret çështja është se Prokurorit të Përgjithshëm mandati ju përcaktua në prill të vitit 2008 dhe jo në kohën kur ajo u emërua dhe filloi të ushtronte këtë funksion dhe jo në nëntor të 2007. Mesa kuptohet në njoftimin zyrtar të Presidentit të Republikës, mandati pesë vjeçar për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm i jepet fuqi prapravepruese. Domethënë shtrihet edhe në periudhën kur ajo nuk ka pasur mandate të kufizuar.

-Çfarë rëndësie ose çfarë pasojash mund të kishte nëse Prokurori i ri do të  emërohet 5-6muaj më parë, ose 5-6 muaj më vonë?

– Më lejoni që të theksoj se nuk është çështja e Ina Ramës si person dhe as e ndonjë personi tjetër që mund të ishte emëruar në këtë post, mandate i kufizuar ose i pakufizuar, ka të bëjë me funksionin, me pavarësinë e institucionit gjë që duhet respektuar me rigorozitet. Precedentët e ndërprerjes para kohe të mandatit të kufizuar ose shtrirja e mandatit, kur nuk parashikohej një mandat i tillë ose  ai ishte i pakufizuar mund të ishte një precedent  me pasoja të dëmshme. Në këtë vështrim nuk pajtohem me ata që thonë se, nuk ka rëndësi mandate,  por personi që zgjidhet ose emërohet. Ky koncept lejon ose toleron cenimin e Kushtetutës dhe të ligjeve.

– Në njoftimin zyrtar të Presidentit thuhet se, “fillimi i mandatit i referohet ditës së emërimit apo betimit”. Si duhet kuptuar kjo thënie?

– Edhe kjo , mendoj se është e qartë. Për të konkretizuar po ju përmend shembujt e mëposhtëm. Anëtari i Gjykatës Kushtetuese ka mandate nëntë vjeçar, gjyqtari i  Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën, pasi bën betimin. Presidenti i Republikës ka mandate 5-vjeçar ai e fillon detyrën pasi bën betimin. Prokurori i Përgjithshëm, sipas nenit 149 i Kushtetutës emërohet nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit me një mandate 5-vjeçar. Mandati 5-vjeçar u caktua në 21 prill 2008. Nëse Prokurori i Përgjithshëm do të ishte emëruar, le të themi në prill të vitit 2003 dhe mandati 5-vjeçar përcaktohej (siç në fakt ndodhi në prill 2008). Kur do t’i mbaronte mandati? Nëse d o të merrej për bazë emërimi prill 2003 ai duhej të shkarkohej në prill ose në maj 2008!