“Për Berishën PS-ja është opozitë e gatshme të gënjehet sa herë është e nevojshme”

446
Sigal

INTERVISTA/Afrim Krasniqi, Sekretar politik i FRD-së:  “Sistemit aktual politik, funksionon si oligarki interesash politike dhe ekonomike”

Afrim Krasniqi, sekretari politik i FRD-së, në intervistën për “Telegraf” e shpjegon kështu  mosbashkëpunimin për mosarritjen e konsensusit midis  Berishës e Ramës:” PD-PS nuk kanë ndryshime në çështje interesi partiak, por kanë ndryshime dhe nuk bëhen bashkë vetëm kur vjen fjala për interesa publike e kombëtare, siç janë integrimi dhe reformat e mëdha”. Ndërsa për konsultimet e Presidentit me partitë politike për kandidatin e Kryeprokurorit, zoti Krasniqi  ka bindjen se  ato u bënë ” për të shërbyer dekor mbi cilësitë që duhet të ketë emri i tij, kur në fakt ai është paracaktuar prej javësh”.

– Zoti Krasniqi, në cilën pjesë të elektoratit e gjen vetveten FRD-ja, duke patur parasysh edhe sfondin e zgjedhjeve 2013?

– Duke qenë parti e moderuar e të djathtës, baza kryesore mbështetëse lidhet pikërisht me shtresat që përfaqësojnë këtë spektër politik: shtresa e mesme, biznesi, ish të përndjekurit, pronarët, studentët, pjesa liberale e qytetare si dhe komunitetet që vlerësojnë traditën, besimin fetar dhe kërkojnë një shtet të së drejtës. Ne do të kemi në krah në fushatë disidentët, që sakrifikuan jetën në diktaturë dhe demokraci. Në stafin drejtues të FRD-së nuk ka asnjë ish- komunist, siç ka dy ish të burgosur politikë me rreth 35 vite burgim.

– Presidenti i Shqipërisë anashkaloi FRD-në si forcë politike në konsultimet për kandidatin e Kryeprokurorit. Mendoni se ky qëndrim i Presidentit është politik?

– Ishte një veprim i pritshëm i Presidentit, i gabuar, tendencioz, jo institucional, por i pritshëm, në kushtet e një presioni ekstrem nga maxhoranca, për të përjashtuar FRD-në nga procesi vendimmarrës politik në vend. Për Berishën PS-ja nuk përbën rrezik, por një opozitë komode e gatshme të gënjehet sa herë është e nevojshme, kurse FRD-ja përfaqëson fundin e tij politik. Nga kjo pikëpamje presidenti vendosi të zgjedhë presionin e qeverisë dhe të injorojë traditën presidenciale, gjendjen faktike parlamentare dhe logjikën politike për konsultim me çdo aktor politik parlamentar, përfshirë FRD-në.

– Kanë vlerë reale politike këto konsultime të Presidentit me partitë politike për të arritur një konsensus të përbashkët për kandidatin e Kryeprokurorit?

– Jo, janë formale. Partitë nuk u thirrën për kryeprokurorin, por për të shërbyer dekor mbi cilësitë që duhet të ketë emri i tij, kur në fakt ai është paracaktuar prej javësh. Ne e kemi prokurorin dhe po e shkarkojmë me urdhër partiak, çfarë vlere ka si do të jetë tjetri, sepse kur pranojmë një akt antikushtetues në shkarkimin dhe emërimin e tij, pranohet se produkti do të jetë tradicional, një militant më shumë në zyrat e shtetit. Në këto rrethana, duket sikur të gjithë bëjnë “sikur”. Një tryezë tjetër politike, për shembull, për çështjet e integrimit, krizën politike për çështjen e tre ligjeve, apo Fierit, për reformën në drejtësi, për një kod etik dhe sjellje të përgjegjshme për zgjedhjet e ardhshme, apo për festime dinjitoze të 100- vjetorit të shtetit do të kishte qenë më e dobishme, më e pritshme dhe më rezultative për qytetarët, presidencën,  politikën, integrimin dhe imazhin institucional të shtetit.

– Zërat që vijnë nga BE-ja, pohojnë se nuk ka afat nga BE-ja dhe se raporti përfundimtar i tyre do të përgatitet kur të votohen reformat. Kjo, si mund të deshifrohet politikisht nga PD-PS?

– Imagjinoni Shqipërinë 10-15 vjet më vonë, kur fëmijëve do t’u themi se më 2012-n nuk e morëm statutin kandidat, sepse Berisha donte të mbante në mënyrë të paligjshme një militant të punësuar në Fier dhe opozita nuk votonte ligjet për të njëjtën gjë, sepse donte të emëruarin e tij në krye të Qarkut të Fierit. Brezat e ardhshëm do të qeshin me politikanët e sotëm dhe vendimet e tyre. Vetëm se brezat nuk do të na falin faktin se ca njerëz, për interesa meskine dhe personale, mbajnë prej vitesh peng integrimin e Shqipërisë. Ata kanë frikë nga integrimi sepse rruga e hyrjes në BE sjell monitorim shumë më serioz dhe përgjegjësi më të madhe qeverisëse, gjë për të cilën asnjëra palë nuk është e gatshme. Ata duan kriza dhe fushë të lirë të bëjnë çfarë të duan me institucionet, me votat, me qytetarët, me pronat private dhe publike, me median, me simbolet dhe të drejtat kombëtare.

– A mund të shërbejë modeli i Qarkut të Fierit sesi mund të deformohet vota në 2013-n?

– Nuk është Fieri etalon i cenimit të votave. Votat u morën në mes të Tiranës, para kamerave dhe para diplomatëve të huaj, siç më 2009-n u siguruan dy mandate parlamentare në Tiranë me vota të trafikuara nga partitë e mëdha. Pra, Fieri është një nga dhjetëra rastet, por jo më tipiku. Ajo që e bën Fierin të veçantë është fakti se konsiderohet bastion i majtë dhe më 2013-n do të ketë numërim elektronik. Duke e mbajtur me forcë qarkun, maxhoranca do të tregojë muskujt ndaj të pavendosurve, duke u thënë: “votoni kundër, por do të keni të njëjtin fat”. Kjo është e papranueshme. PS-ja mund ta zgjidhte këtë çështje, kur së bashku me PD-në dhe në mënyrë të fshehtë bënë negociata për Kodin Zgjedhor, KQZ-në dhe element të tjerë zgjedhor.

– Realizimi i reformave të prioritetit të integrimit, a ka plotësuar standardet e dëshiruara demokratike te ne?

–  Ka një dallim të dukshëm midis demokracisë formale dhe asaj funksionale. Formalen e bëjnë ligjet, rregullat, njerëzit që paguhen, partitë e shumta dhe zgjedhjet periodike. Funksionale e bëjnë mirëfunksionimi i secilit prej këtyre elementëve. Tek ne kemi 20 vjet që kemi parti, zgjedhje, ligje, por nuk kemi standarde demokratike zgjedhore, nuk kemi parti konkurruese dhe demokratike, siç nuk kemi nivel të kënaqshëm të zbatimit të ligjit. Kjo është pika ndarëse kryesore midis reformave, që kërkohen dhe produktit të tyre. P.sh, u fol pa fund për imunitetin, duke thënë se me heqjen e tij merr fund korrupsioni, por sot asnjë politikan e zyrtar i mesëm, apo i lartë nuk është vendosur përpara drejtësisë. I njëjti Parlament me konsensus ra dakord të bëjë amnisti për politikët e akuzuar për korrupsion, abuzime apo forma të tjera kriminale, dosjet e ministrave të filmuar me çanta me para nëpër zyra u mbyllën dhe kështu, në vendin më të korruptuar në NATO nuk ka asnjë person fajtor. Ky është bilanci simbolik midis Shqipërisë, që ofron kjo klasë politike jodemokratike dhe e korruptuar dhe Shqipërisë që duan qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

– Një status pa arritjen e standardeve demokratike, u shërben shqiptarëve dhe Shqipërisë? Apo mos është kredo politike për këtë qeveri?

– Tek ne ka një distancë midis rezultateve konkrete dhe retorikës së integrimit. P.sh, kur themi shtet të së drejtës dhe shohim një qeveri që ushtron presion mbi gjykata e prokurori, mbyll dosjet e veta dhe hedh në gjyq rivalët politikë, denigron kritikët dhe refuzon të numërojë votat, të respektojë pronën private apo të dialogojë edhe me grevistët e urisë, – kontrasti midis integrimit europian dhe sjelljes anadollake të politikës bëhet i dukshëm. Në rrethana të tjera, kur standardet e integrimit do realizohen dhe qytetarët do jenë direkt përfitues të tyre, politika do të detyrohet të sillet ndryshe, institucionet do ishin më të forta e të pavarura, demokracia do ishte funksionale, – pra do të kufizohej ndjeshëm pushteti abuzues i maxhorancave të radhës, gjë që për parinë tonë politike dhe mentalitetin e saj oriental është e papranueshme.

– Qëllimi politik i FRD-së është të largohet me çdo kusht nga qeverisja kjo maxhorancë e Berishës, apo të forcohet dhe të gjejë politikisht vetveten, pa qëllime pushteti?

– FRD-ja nuk e ka synim kryesor pushtetin, por ka mirëqeverisjen. Vendi ka nevojë për një koncept të ri qeverisjeje, për dhënien fund të praktikave të sundimit me 71 vota, të pazareve politike me poste e pasuri publike apo të shantazhimit të jetës publike e qytetare. FRD-ja tenton të sjellë një vizion të ri, një platformë të re, në të cilën nuk ka vend as për modele të vjetra si kryeministri aktual dhe as për modele të njëjta të palës tjetër. Nuk është retorikë, por personalisht e shoh si sfidë, si rrugën e vetme për të fituar respektin dhe identitetin afatgjatë politik. Duke vepruar kështu i bëjnë një shërbim të madh vendin, e bëjmë politikën më reale, më të prekshme, më qytetare dhe e ndajmë pushtetin nga shteti.

– Si ka mundësi që forcat politike opozitare, që janë për të larguar nga pushteti qeverisjen Berisha, nuk mund të bashkohen dhe të formojnë shumatoren qeverisëse?

–  Askush nuk ka të drejtë morale dhe as ligjore tu thotë miliona shqiptarëve që mendojnë ndryshe nga qeveria, të futen në rresht në çadrën e opozitës. Vetë kjo kërkesë është antidemokratike, dhe tenton të bëjë të njëjtën gjë që bën modeli aktual qeverisës, aleanca jonatyrale interesash dhe personash me kosto të madhe për reformat dhe vendin. Nga ana tjetër, FRD-ja nuk është opozita kryesore në parlament, ndaj mekanizmat e saj të luftës politike ndryshojë nga ato parti që kanë përfaqësim më të madh dhe që kanë përgjegjësinë të sillen si opozitë, jo si oksigjen i pushtetit sa herë që ai ka nevojë. Shikoni KQZ-në, bashkë e zgjodhën. Shikoni TVSH-në bashkë me konsensus e mbajnë prej një viti pa mandat. Shikoni Bankën Qendrore, bashkë e zgjodhën strukturën drejtuese. Shikoni privatizimet bashkë ndajnë prona, tendera e pasuri midis tyre. Shikoni amnistinë, bashkë e bëjnë me konsensus. Ata nuk kanë ndryshime në çështje interesi partiak, por kanë ndryshime dhe nuk bëhen bashkë vetëm kur vjen fjala për interesa publike e kombëtare, siç janë integrimi dhe reformat e mëdha.

– Forcat politike opozitare, duke qenë të ndara nga njëra -tjetra, mos vallë, dashur pa dashur, ia bëjnë më të lehtë maxhorancës së Berishës, luftën për të qëndruar në pushtet?

– Në raste të tilla ka vetëm një mekanizëm ndryshimi, – vota kundër dhe masive e qytetarëve. FRD-ja dhe çdo parti politike e grup qytetar që mendon njësoj me këtë arsyetim ka përgjegjësinë dhe rastin të ndërgjegjësojë qytetarët dhe të bëjë më të mirën për ta kanalizuar shumicën antiqeveritare në votë elektorale. Sa për frymën opozitare, unë nuk e besoj se shqiptarët kritikë me qeverinë janë mbështetës me të majtët në opozitë. FRD-ja është një shembull sesi ekziston një pjesë tjetër solide elektorale që nuk gjen dallime thelbësore midis dy partive të vjetra dhe që me votën e vet synon të ndëshkojë jo vetëm një palë politike e një politikan, por bashkë me të edhe çdo model simetrik në anën tjetër. PS-ja ka pasur rastin të ndihmojë që vota antiqeveritare të kthehet në votë popullore me ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor, por ajo si gjithnjë, për interesa klienteliste me pushtetin, vendosi bashkë me PD-në të përjashtojë emigrantët nga votimi, të mos lejojë sistemin me korrektim kombëtar të votës, si dhe të mos pranojë depolitizimin e administratës zgjedhore. Janë tre pika që e bëjnë më të vështirë garën tonë politike, por që edhe na motivojnë me të njëjtin përkushtim e angazhim të ngremë zërin dhe të punojmë çdo orë me çdo qytetar për të ndëshkuar me votë këtë sistem dypartiak abuzues dhe për të krijuar një perspektivë të re për qytetarët dhe shtetin.

– Faleminderit!