Abonentët e kompanisë ONE vazhdojnë të hasin probleme të shumta me shërbimin telefonik. Pas ndërprerjes totale të shërbimit për mijëra abonentë gjatë së enjtes, situata vazhdon problematike edhe aktualisht, veçanërisht për shërbimin e internetit. Ndonëse këtë të premte kompania doli me një njoftim zyrtar duke deklaruar se problemet e hasura një ditë më parë janë tejkaluar tashmë, mijëra abonentë thonë se e kanë të pamundur të komunikojnë apo përdorin shërbimin e internetit në telefonat e tyre, pasi nuk u ofrohet.
Njoftimi zyrtar i ONE
“I nderuar partner:
Ju njoftojmë se One Albania është përballur në orët e para të mëngjesit me disa vështirësi në rrjet, të cilat mund t’ju kenë afektuar shërbimet e zërit dhe internetit në rrjetin 4G.
Duam t’ju sigurojmë se të gjithë ekipet tona kanë qenë plotësisht të angazhuara dhe të përkushtuara për zgjidhjen e problemeve, duke rikthyer shërbimin për të gjithë abonentët e prekur, në kohën më të shpejtë të mundshme. Ju kërkojmë shumë ndjesë për çdo shqetësim, që mund të ketë shkaktuar kjo situatë dhe duam të shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për durimin tuaj.
Për çdo pyetje ose sqarim, lutemi mos hezitoni të kontaktoni agjentin tuaj të dedikuar ose ekipin tonë të kujdesit ndaj biznesit në numrin 165. Faleminderit për besimin!”,- thuhet në njoftimin zyrtar të kompanisë “ONE Albania”.
Mesa duket ankesat ndaj kompanisë celulare janë të mëdha, aq sa qytetarët kanë nisur një peticion online kundrejt ONE, për mungesën e mbulimit , transparencën dhe internet që mbaron shumë shpejt.


















