OSBE/ODIHR: Zgjedhje në Shqipëri janë në rrezik nëse nuk zgjidhet kriza politike

411
E ftuar nga qeveria shqiptare për të vëzhguar zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit, OSBE/ODIHR ka kryer një mision vlerësimi në Shqipëri nga 6 deri më 9 mars. Misioni është kryesuar nga Dr. Richard Lappin, zëvendëskryetar i Departamentit të Zgjedhjeve në OSCE/ODIHR.

Qëllimi i misionit ishte vlerësimi i mjedisit parazgjedhor dhe përgatitjet për zgjedhje. Bazuar në këtë vlerësim, detyra e misionit ishte të rekomandonte nëse do të zhvillohej ndonjë aktivitet i OSBE/ODIHR në lidhje me zgjedhjet e ardhshme dhe çfarë aktiviteti u përshtatet më mirë nevojave të identifikuara.

Në përmbledhjen e misionit të OSBE/ODIHR shkruhet se zgjedhjet për 140 vendet në parlament po përgatiten në një klimë përçarjeje të thellë midis pozitës dhe opozitës, e cila ka bojkotuar kuvendin që në muajin shkurt dhe po drejton protesta publike, të cilat kërkojnë krijimin e një qeverie teknike për sigurimin e kushteve për zgjedhje të besueshme.

Qeveria nuk ka lëshuar pe para kërkesave të opozitës, të cilën e kritikon për bllokim të reformave të domosdoshme për vendin. Shumë ndërmjetës të OSCE/ODIHR kanë shprehur shqetësimin se nëse nuk zgjidhet situata politike aktuale, mund të çojë në rrezik dhe deri në minimin e zhvillimit të zgjedhjeve.

Kuadri ligjor për zgjedhjet u përmirësua në mënyrë sinjifikative më 2012, para zgjedhjeve të fundit parlamentare. Më 2015 nisi procesi për një reformë të re zgjedhore, por partitë politike nuk kanë arritur konsensusin dhe për këtë arsye nuk janë bërë ndryshime. Për pasojë, shumica e rekomandimeve të fundit të OSCE/ODIHR kanë mbetur pa u shqyrtuar.

Raporti i misionit saktëson se deri më 5 mars, numri total i zgjedhësve të regjistruar ishte 3.455.775.

Një nga shqetësimet e ngritura nga misioni është për aftësinë e KQZ për të verifikuar rekordet kriminale të deputetëve në kohën e duhur, siç kërkohet nga Ligji i Dekriminalizimit. Deri tani janë regjistruar 30 parti, ndërsa 23 parti opozitare nuk janë regjistruar.
Gratë janë pak të përfaqësuara, me vetëm 32 deputete nga 140 që ka parlamenti. Të paktën 30 për qind e çdo liste kandidatësh dhe një nga tre emrat e parë në to duhet të jenë nga të dy gjinitë. Në rast moszbatimi të këtij rregulli, KQZ mund të vendosë gjoba financiare, por nuk mund të mohojë regjistrimin.

Misioni i OSCE/ODIHR theksoi rëndësinë e zgjedhjeve dhe nënvizoi nevojën për një mision të madh vëzhgimi gjatë tyre, duke vënë në dukje mungesën e zbatimit të rekomandimeve të mëparshme dhe shkallën e lartë të polarizimit që mund të ndikojë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Një numër aspektesh mund të kërkojnë vëmendje të veçantë nga vëzhguesit e OSCE/ODIHR, përfshirë regjistrimin e zgjedhësve dhe kandidatëve.
Sigal