Komisari i Policisë, që abuzoi me të miturën, ishte komisioner i PS-së në zgjedhje

555
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kontributorët partiakë, të cilët abuzuan me votat në zgjedhjet parlamentare dhe vendore shpërblehen me poste në shtet

Berhan Bajrakurtaj, ka qenë komisioner i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2015. Ndërsa deri dje ka qenë komisar i Policisë në Malësinë e Madhe. Deri dje, sepse dje u arrestua nga vetë policia e Shtetit, pas publikimit të videos, ku ai ka abuzuar seksualisht me një vajzë nën moshën 18 vjeç.

Deputeti Spahia: Komisar policie me rekorde kriminale

Deputeti Bardh Spahia, dje ka zbardhur edhe të kaluarën politike të komisarit të Policisë së Malësisë së Madhe, Berhan Bajrakurtaj. Deputeti Spahia shkruan se Bajrakurtaj ka qenë person i dënuar për vepra penale, dhe si i tillë ai nuk duhej kurrsesi të punonte më në shtet, në bazë të ligjit të dekriminalizimit. Mirëpo, ligji i dekriminalizimit nuk zbatohet nga pushtetarët, kur vjen puna për të shpërblyer kontributorët partiakë për vjeljen e votave në fushatat zgjedhore. Ata që e propozuan, që e emëruan Bajrakurtaj, si komisar policie, natyrisht, e njihnin edhe dënimin e tij penal, por nuk donin të zbatonin ligjin e dekriminalizimit. Bajrakurtaj, ka qenë edhe komisioner i Partisë Socialiste në zgjedhjet vendore të 2015-s, siç denoncon deputeti Spahia, prandaj edhe e emëruan komisar policie. Shpërblimi i komisionerëve të Administratës zgjedhore me poste qeveritare, bëhet vetëm për shkak se këta komisionerë kanë vjedhur, kanë deformuar votat e shqiptarëve, i kanë numëruar votat për partinë që i zgjodhi, dhe partia i shpërblen me poste në shtet, duke nëpërkëmbur ligjet.

Komisari është i pafajshëm, fajtorët janë eprorët e tij politikë

Komisari i Policisë, vërtet u arrestua për kryerjen e veprës penale të abuzimit seksual ndaj të miturës, por përgjegjësit moralë dhe, ndoshta edhe penalë, janë ata drejtues politikë, deputetë, të zgjedhurit në Qarkun e Malësisë së Madhe apo edhe në kryesinë e PS-së, që e emëruan një person me rekorde kriminale, një person pa personalitet në një post të rëndësishëm shtetëror, i cili abuzoi kundrejt një të miture. Pa deputetët, pa drejtuesit partiakë, nuk do të emërohej komisar policie një person me rekorde kriminale. Prandaj, ligjin e dekriminalizimit, ligjin e meritokracisë së emërimeve në shtet e kanë shkelur deputetët, drejtuesit partiakë që e emëruan komisar policie të arrestuarin e akuzuar për abuzim seksual dhe këta deputetë, që emërojnë kë të duan ata, duke shkelur ligjin, janë po kaq fajtorë, sa edhe i arrestuari për abuzim seksual.

Deputeti Bardh Spahia: Shefi i komisariatit Berhan Bajrakurtaj i larguar nga dekriminalizimi

Rasti i Malësisë së Madhe është rasti më flagrant se si funksionon sot shteti. Shefi i komisariatit Berhan Bajrakurtaj i larguar nga dekriminalizimi kthehet në detyrë nga personat më të rëndësishëm politik të Partisë Socialiste të Malësisë së Madhe. Sigurisht qe ish-komisioneri i PS në zgjedhjet e qershorit 2015 ishte i domosdoshëm për mazhorancën e lidhur me krimin.