Opinionet e Komisionit të Venecias, dush i ftohtë për arrogancën e kryeministrit

313
Sigal

Marko Bello, ish-ministër Shteti i PS-së

 Rilindja erdhi me bujë të madhe se do ti ndryshonte faqen Shqipërisë, por në fakt është marrë me bojatisje, betonizimin e parqeve, duke rritur taksat dhe shpenzuar pa përgjegjsi paratë e qytetarve. Miliardat e PPP-ve, shtimi brenda mandatit nga 4 në 15 kushte nga BE dhe pse mbyllja në selitë e huaja diplomatike tregoi papjekuri politike

Jakup B. GJOÇA

Marko Bello, ish ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf”, thotë se PS-ja nuk është më parti që mbron shtresat në nevojë, por në krye kanë ardhur ata që janë lidhur me oligarkët, me të cilët kontrollojnë pasuritë e Shqipërisë. Dhe Rilindja, pohon ish ministri i PS-së Bello, është marrë me bojatisje, duke rritur ndjeshëm taksat dhe shpenzuar pa kurrfarë përgjegjësie paratë e taksapaguesve. Zoti Bello, koncesionet dhe tenderat, i quan ligje klienteliste. Zoti Bello shprehet se shtimi i kushteve të BE-së ndaj Shqipërisë, do të thotë dështim total i institucioneve shtetërore dhe kushtetuese, ndërkohë që opinionet e Komisionit të Venecias, janë një dush i ftohtë për arrogancën e kryeministrit Rama.  

– Zoti Bello,  meqë u mbushën 29 -vjet, a i përfaqëson PS-ja e sotme, socialistët? Çfarë është “Rilindja Socialiste”?

– 29 -vjetori i Partisë Socialiste, më shumë se nga  selia e saj, është përkujtuar dhe përcjellë me nostalgji e emocion nga socialistët e thjeshtë, që punuan për të patur një parti moderne dhe me demokraci të brendshme, sipas modelit të partive të së Majtës europiane. Gati 30 -vjet më pas, PS-ja nuk ngjan më me atë parti që mbron shtresat në nevojë, fermerët dhe intelektualët e ndershmëm e atdhetarë, gratë dhe rininë, progresistët dhe europeistët shqiptarë. Në krye të forcës më të madhe politike  kanë ardhur ata, që fatin e tyre e kanë lidhur me një grusht oligarkësh dhe me të cilët kontrollojnë krejt pasurinë e vendit. Rilindja, që erdhi me bujë të madhe se do ia ndryshonte faqen Shqipërisë, në fakt është marrë me bojatisje dhe retushime, shëtitore e parqe të betonizuara, duke rritur ndjeshëm taksat dhe shpenzuar pa kurrfarë përgjegjësie paratë e taksapaguesve. PS-ja nuk ngjan më me atë parti që mbron shtresat në nevojë. Në krye të saj kanë ardhur ata që janë lidhur me një grusht oligarkësh dhe me të cilët kontrollojnë krejt pasurinë e vendit

– Cilat janë arritjet dhe përmbushja e premtimeve nga qeverisja 7 -vjeçare e PS-së? A jetojnë sot shqiptarët më mirë, sesa para 7 -vitesh?

– Është vështirë të bësh një bilanc në rastin e një qeverie, që ka shumë formë e fare pak substancë, ka me bollëk propagandë dhe fare pak punë e rezultate. Në vend të premtimit për 300 mijë  vende pune, kemi mbi 300 mijë shqiptarë të larguar nga vendi; nga premtimi për shëndetësi falas, kemi një sistem shëndetësor në kolaps; nga ribashkimi me Europën akoma nuk po mundemi me nisë negociatat për anëtarësim të plotë në BE. Situata politike ka qenë e tensionuar, opozita ka braktisur institucionet, zgjedhjet për pushtetin vendor ishin monopartiake, ndërsa lufta kundër krimit dhe korrupsionit ka qenë krejt anemike. Ndërkohë, bashkë me polarizimin e frikshëm të shoqërisë, është rritur pesimizmi, depresioni dhe zhgënjimi tek shumë shqiptarë, se ky vend nuk ka gjasa të bëhet si Europa.

– Dhënia e më shumë se 2.500 PPP-ve nga qeveria e Rilindjes, a ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik, në hapjen e vendeve të reja të punës?

– Nuk kam të dhëna të mjaftueshme, por nga sa konstatohet, zhvillimi i vendit përmes  PPP-ve është një iluzion.  Këto janë forma të maskuara të grabitjes së pronës publike dhe kanalizimit të fondeve nëpër llogaritë e klientëve të pushtetit ekzekutiv. Nuk ka garë, as konkurrencë, as transparencë. Ligjet, në rastin më të mirë janë klienteliste, ose më keq akoma, ato shkelen hapur nga qeveria. Ky është një model që do ta thellojë borxhin publik, dhe do të varfërojë shumicën e shqiptarëve. Kryeministri  harron se këtë vend ne ia kemi borxh brezave, që do të vijnë. Kryeministri  nuk duhet të rrisë në mënyrë të papërgjegjshme faturën e borxhit për ata që do të vijnë e marrin stafetën e drejtimit të shtetit.

-Zoti Bello, çfarë domethënie kishte zhvillimi i negociatave për Reformën Zgjedhore në rezidencën e Ambasadores Kim?

– Negociatat për Reformën Zgjedhore kanë rëndësi, jo vetem për realizimin e zgjedhjeve me të vërtetë demokratike, por janë edhe një nga kushtet e BE-së. Për pasojë, është dashur që ato të jenë serioze dhe të adresojnë gjithë problematikën e vërejtur në zgjedhjet e kaluara, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së. Fakti, që palët u detyruan të mbyllen në selitë e huaja diplomatike, dëshmon për papjekurinë e klasës sonë politike, mungesën e besimit reciprok dhe  se politikanët shqiptare preferojnë politikën e kulimave, dhe jo dialogun parimor. Fakti, që palët u detyruan të mbyllen në selitë e huaja diplomatike, dëshmon për papjekurinë e klasës sonë politike, mungesën e besimit reciprok dhe  se politikanët shqiptarë preferojnë politikën e kulimave, dhe jo dialogun parimor

– Mendoni se marrëveshja e arritur, do garantojë zgjedhje të lira?

– Të shpresojmë se palët që arritën konsensusin me ndihmën e partnerëve strategjikë, do të punojnë bashkërisht në realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Më shumë se faji i kodit zgjedhor, apo sistemit, arsyeja kryesore që ne nuk ia kemi dalë të zhvillojmë zgjedhje me standarde demokratike, ka qenë mungesa e vullnetit, kryesisht e forcës politike, që ka qenë në pushtet dhe ka bërë çmos të qëndrojë në pushtet, edhe duke cënuar rregullat e garës elektorale. Vetëm  në 2005 dhe 2013, kemi patur alternim të pushtetit, pasiqë partia në pushtet ka humbur. Shtimi i kushteve për hapjen e negociatave është pasqyra më e mirë për të kuptuar dështimet e institucioneve shtetërore në përgjithësi dhe politikës  në veçanti, gjithë këta vite

– Zoti Bello, BE-ja fillimisht, para 2 viteve,  i kërkoi Shqipërisë plotësimin e 4 kushteve, para 1 viti u shtua edhe një kusht, ndërsa tani janë 15 kushte. Mendoni se BE-ja është skeptike, është tkurrur, apo problemi është i Shqipërisë? (Kryeministri  Rama thotë që Shqipëria i ka plotësuar kushtet, por BE-ja nuk na do…).

– Shtimi i kushteve për hapjen e negociatave është pasqyra më e mirë për të kuptuar dështimet e institucioneve shtetërore në përgjithësi dhe politikës  në veçanti, gjithë këto vite. Anëtarësimi në strukturat  europiane është goxha kompleks, dhe ai kërkon angazhimin e të gjithë shoqërisë. E megjithatë, faji kryesor për këtë tranzicion të stërgjatur i mbetet klasës politike, që ka demonstruar  papërgjegjshmëri, papjekuri dhe ka zhgënjyer  elektoratin që i ka votuar e mbështetur  pa kushte në gjithë  këta vite.

– Komisioni i Venecias dha opinionin për Ligjin e Antishpifjes dhe për betimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. A është detyrues të zbatohen në Shqipëri nga institucionet kushtetuese këto opinione të “Venecias”?

– Komisioni i Venecias ka autoritet të padiskutueshëm  sa i përket trajtimit të paqartësive të natyrës juridike, duke ofruar zgjedhje konkrete, përmes interpretimeve logjike dhe jo vetëm, të ligjeve të vendeve të ndryshme. Sidomos për shqiptarët, që mund të binden vetëm nga vendimet e arbitrave të huaj. Këto vendime janë një ogur i mirë për demokracinë  tonë të  brishtë, balancimin dhe kontrollin e pushteteve dhe padyshim, një dush i ftohtë për arrogancën e shumicës  qeverisëse. Të shpresojmë, që në vitet që do të vijnë, politikanët tanë të kenë sa më pak nevojë për ekspertizë të huaj dhe më shumë besim tek njëri-tjetri, sidomos të mësojnë të respektojnë normat dhe rregullat, edhe kur humbasin.

 

-Faleminderit!