TIRANE – Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi në një deklaratë për shtyp i ka qëndruar të njëjtës linjë politike si ajo që kanë mbajtur më parë edhe përfaqësues të tjerë të PD në lidhje me laboratorin e drogës në Elbasan, në qarkun ku Boçi është deputet.
Boci akuzoi qeverinë dhe i kërkoi llogarie për destinacionin e parave të ardhura nga droga dhe përfshirjen e drejtuesve të organizatës në strukturat shtetërore
Sipas deputetit demokrat, qeveria ka për detyrë që të sqarojë qytetarët për një sërë pyetjesh.
“Si ka mundësi që ushtronte prej një viti aktivitetin një fabrikë e tillë, dhe autoritetet kishin mbyllur sytë e veshët? A janë anëtarët e kësaj bande kriminale financues të fushatës së Partisë Socialiste? A janë krerët e kësaj bande të lidhur me zyrtarët e lartë të partisë në pushtet dhe sponsorizues edhe në qëndrimet jashtë të funksionarëve të lartë, si përshembull në Bruksel? A janë drejtuesit kryesorë të këtij grupimi kushërinj të afërt të ish-deputetit socialist, sot zëvendësministër i Ramës? Mungesa e transparencës, mungesa e përgjigjeve i damkos ata si përgjegjës të shndërrimit të Shqipërisë në Kolumbi të drogës nga banditë të lidhur me qeverinë.”- tha Boçi në deklaratën e tij nga selia e PD.
Më poshtë deklarata e plotë e deputetit demokrat
Ndërtimi i fabrikës së kokainës e në zemër të vendit e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi të Europës. Prej një viti trafikantët gjetën të gjithë lehtësitë që u duheshin, autoritetet mbyllën sytë dhe veshët. Po të ishte për Edi Ramën, impianti do të vazhdonte të prodhonte drogë. Falë policive partnere u ndalua prodhimi dhe trafikimi i kokainës. Sot është mëse e qartë se instalimi i laboratorit të kokainës, që Edi Rama e cilëson me mburrje si më të madhin e më modernin në Ballkan, është shenjë tronditëse e kthimit të Shqipërisë në një Kolumbi të drogës. Jo vetëm për faktin se dy shtetas kolumbianë ishin të përfshirë në organizatë, por sidomos për faktin se një impiant i tillë i prodhimit të kokainës, arrin të ndërtohet e të funksionojë në zemër të Shqipërisë, me lehtësinë më të madhe. Duhet të jemi të qartë, se po të ishte për qeverinë tonë, për Edi Ramën dhe Saimir Tahirin, që dolën dje e rrahën gjoksin ku munden, kokaina do të vazhdonte të prodhohej e tregtohej në Europë. Po të ishte për ta, fabrika e drogës nuk do të ndalej asnjë cast, madje me siguri ajo do të rritej e do ta shtonte aktivitetin. Falë policive partnere, u arrit konstatimi dhe ndalimi i autorëve e sekuestrimi i laboratorit. Edi Rama dhe Saimir Tahiri nuk gjetën asnjë moment dje të tregonin të vërtetën, dhe as të falenderonin partnerët europianë, që jo vetëm sollën informacionin por dhe ndihmuan në suksesin e operacionit, kryesisht me faktin se mbajtën kontakte me një pjesë të strukturave tek të cilat ata kanë besim.