KLSH dhe IPA ADRIATIC: 8 Shtete, një det dhe një urë drejt së ardhmes!

2029
Nga Dorel Balliu

IPA Adriatic CBC, programi më i rëndësishëm territorial evropian në rajonin e Adriatikut, që përfshin 8 shtete (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia), nuk është vetëm një program ndërkufitar i Komisionit Evropian, por gjithashtu edhe një rrjedhë dinamike e projekteve dhe realiteteve që ndryshojnë e që bashkojnë territore të shumëllojshme, me një synim të përbashkët: rendjen drejt integrimit evropian! Ky proces i ndryshimeve ekonomike dhe të kuadrit ligjor është i lidhur ngushtë me arritjen e një objektivi tjetër, atë të bashkimit të njerëzve; një bashkim i brendshëm i pakohë dhe që arrihet hap pas hapi. Programi IPA Adriatic Cross Border Cooperation 2007-2013 ka ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi ndërkufitar midis shteteve që aderojnë në Bashkimin Evropian dhe Shteteve kandidate ose potencialisht kandidate që duan të harmonizojnë kufijtë e tyre. Janë të shumtë faktorët që lejojnë krijimin e një drejtimi të përbashkët, të lidhur me afërsinë gjeografike dhe kulturore, sikurse me qëndrueshmërinë politike të rajonit. Pas shumë vitesh konflikte, rajoni i Adriatikut po shkon drejt një integrimi të tipit vertikal në drejtim të institucioneve të BE-së, si dhe drejt integrimit horizontal me anë të krijimit të një hapësire të shkëmbimit të lirë të mallrave dhe të njerëzve. Kjo marrëdhënie ka përqafuar 8 shtete, 102 projekte dhe mbi 790 aktorë, ndër të cilët edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke u reflektuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe turizmit, mbrojtjen dhe ruajtjen e brigjeve të detit, mbrojtjen e mjedisit dhe të burimeve natyrore, vlerësimin e prodhimeve, traditave dhe kulturave lokale, trajnime, si dhe kërkime shkencore. Këto janë disa nga format e petkut që kanë marrë projektet e financuara nga IPA Adriatic, duke ndikuar fuqishëm dhe vendosmërisht në shtete, rajone, qytete, komuna, sipërmarrje, institucione publike a private, si dhe shoqata në territoret e të gjitha palëve të interesuara. Programi IPA përbën një konglomerat dijesh dhe eksperiencash me anë të cilave mund të përballohen sfidat e reja të rajonit të Adriatikut dhe të Mesdheut. “Politika të kohezionit e të para-anëtarësimit”, “lufta ndaj parregullsive, mashtrimit dhe korrupsionit”, “emigracioni” nuk janë vetëm fjalë, por nënkuptojnë edhe impenjime konkrete. Kështu p.sh., sa i përket luftës kundër parregullsive dhe mashtrimit, është i nevojshëm kapërcimi i diversiteteve në sistemet kushtetuese, ligjore e procedurale të secilit vend pjesëmarrës në favor të një harmonizimi të tyre, duke krijuar një strategji veprimesh dhe metodologji parandalimi të parregullsive, mashtrimit dhe korrupsionit në kuadër të menaxhimit të fondeve evropiane. Në takimin përmbyllës të IPA Adriatic që u zhvillua në L’Aquila të Italisë më datë 4 Dhjetor, ndër të tjerë, ishin të pranishëm eksponentë të lartë si Presidenti i Parlamentit Evropian, z. Antonio Tajani dhe zv. Presidenti z. David Sassoli, të cilët theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi për ecjen e vendeve kandidate ballkanike drejt integrimit në Bashkimin Evropian; Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza-s italiane, z. Giorgio Toschi, i cili renditi objektivat e përbashkëta të arritura në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit, si dhe pikat ku kërkohet të mësyhet; anëtari i Gjykatës Evropiane të Llogarive (ECA) z. Gabriele Cipriani dhe anëtari i Gjykatës Italiane të Llogarive (Corte dei Conti) z. Carlo Mancinelli, të cilët nënvizuan punën e kryer nga institucionet supreme të auditimit në llogaridhënien për paranë publike të shpenzuar përkatësisht nga BE dhe projektet evropiane të Shtetit italian; Ezio Perillo, anëtar i Gjykatës së Bashkimit Evropian; ashtu sikurse përfaqësues të tjerë të shteteve pjesëmarrëse dhe përfitues të fondeve IPA. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përcaktuar qartë në Ligjin nr. 154/2014 për Organizimin dhe Funksionimin e tij, neni 10, pika dh), se në fushëveprimin e tij është kompetent edhe për auditimin e përdoruesve të fondeve publike të ofruara nga Bashkimi Evropian ose organizata të tjera ndërkombëtare. Në këtë aspekt, pjesëmarrja e tij në këtë program bashkëpunimi ndërkufitar, ku aktorë shqiptarë të ndryshëm kanë përfituar fonde IPA, ishte domosdoshmëri, si dhe shenjë e vlerësimit si një institucion suprem auditimi i shëndoshë dhe thelbësor sa i përket përdorimit efektiv, eficient dhe ekonomik të parasë publike nga ana e subjekteve shtetërore. Në këtë konferencë, KLSH përfaqësohej nga z. Bajram Lamaj, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit, si dhe nga z. Dorel Balliu, auditues në Departamentin e Auditimit të Performancës. Në vazhdën e punimeve, grupi pjesëmarrës pati një takim miqësor me homologun e ECA-s z. Cipriani, duke folur mbi praktika të ndryshme pune që ndiqen në Gjykatën Evropiane të Audituesve, metodologjitë dhe raportet përkatëse. Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e KLSH-së dhanë edhe një intervistë për një televizion lokal italian, duke vlerësuar projektin IPA Adriatic dhe siguruar të gjitha palët për angazhimin e rolin e KLSH-së në auditimin e fondeve dhe projekteve të huaja. Tetë shtete, një det i vetëm dhe një vizion largpamës për të vazhduar rrugëtimin drejt ndërtimit së bashku të një Evrope më të fortë, më të madhe, më të drejtë, me shpresën se nuk do të jetë thjesht një takim përmbyllës, por do të shërbejë si një pikënisje për të shkruar historinë e ardhshme të rajonit Adriatik.

(Autori është auditues në KLSH)


Sigal