Në Histori datat e sakta kanë rëndësinë e tyre, sepse çdo ngjarje në një vend të caktuar duhet parë dhe vlerësuar në kontekstin e ngjarjeve, që kanë ndodhur në atë periudhë në vende të tjera. Kështu, para 10 qershorit 1878 – Lidhja shqiptare e Prizrenit, ka edhe një 6 mars 1878 – Traktati i Shën Stefanit dhe, më pas, një 13 qershor 1878 – Kongresi i Berlinit.
Me Traktatin e paqes të “Shën Stefanit” (6 mars 1878), midis Perandorisë ruse fitimtare dhe asaj Osmane humbëse, u bë e qartë se cili ishte vizioni rus për Ballkanin e ardhshëm: – një Bullgari e Madhe, një Serbi e Madhe dhe një Greqi e Madhe, pra tre shtete ortodokse që do të ndanin mes tyre trashëgiminë osmane të gadishullit ballkanik. Për shqiptarët, që ata i konsideronin si mbetje islame ose bashkësundues me osmanët, ishte parashikuar eliminimi, asimilimi ose shpopullimi i tyre total.
Fuqitë e Mëdha perëndimore, Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia, që nuk ishin të interesuara për një shtrirje të tillë të influencës ruse në Ballkan dhe daljen e saj në ‘detrat e ngrohtë’ të Mesdheut, thirrën Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878) për të korigjuar dhe kufizuar sa të mundnin pretendimet ruse. Për rrjedhojë shpërbërja tërrësore osmane në Ballkan u frenua për afro tre dekada. Gjithsesi shtetet ortodokse si Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia përfituan territore në kurriz të trojeve osmane që banoheshin prej shqiptarëve.
Perëndimorët që i akuzojmë shpesh (për mua padrejtësisht) se copëtuan trojet shqiptare, ishin ata që, për interesat e tyre, i shpëtuan shqiptarët nga shpopullimi dhe asgjësimi i plotë. Elitat tona politiko-ekonomike (pashallarët dhe bejlerët), ishin otomanizuar totalisht, dhe Perandorinë, ku kishin funksione të larta qeverisëse dhe prona e pasuri të dhuruara prej sulltanit për shërbime ndaj tij, e shihnin si Dovlet (si atdheun e tyre) dhe veten e tyre të lidhur pazgjidhshmërisht me fatet e kësaj Perandorie, që Europa kish kohë që e quante “i sëmuri i Bosforit”. Sa për popullin e thjeshtë ai ishte politikisht në gjumë letargjik.
Lidhja e Prizrenit, ishte një reagim ekzistencial i elitave shqiptare për të mos humbur privilegjet dhe pasuritë e përfituara nën osmanët prej fqinjëve të tyre grabitqarë. Ajo u nxit fillimisht nga vetë Porta e Lartë (hodhi gurin dhe fshehu dorën) dhe, më pas, u shtyp po prej saj me armë, nën kërcënimin e Fuqive të Mëdha, që kërkonin zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit. Gjithsesi ajo ju hapi sytë shqiptarëve për të parë se çfarë do t’iu ndodhte disa vite më vonë.
Historia, figurativisht, ka disa stacione që, po nuk i kape në kohën e duhur, të le përgjithmonë pas!




















