Klajda Gjosha: Kemi nje Parlament klandestin dhe nje qeveri ilegjitime qe nuk punon per qytetaret

436
Sigal

Pjesë nga intervista e ish-deputetes se LSI Klajda Gjosha, për News 24

Deputetët vazhdonin një seancë normale brenda sallës dhe me opozitën jashtë sallës mbante fjalime, shtyrje me policinë dhe premtonte se nuk do të lejonte asnjë ditë të qetë për shumicën që zhvillonte punimet brenda, sa kohë mund të zgjasë një situatë e tillë? Është një situatë paradoksale t’ju them të vërtetën, nuk është normale për të gjithë ne sepse opozita reale dhe pjesa më e madhe e të gjithë qytetarëve shqiptare janë jashtë atij Kuvendi, ndjehen të pa përfaqësuar, ndjehen sot pa një qeveri legjitime, pa njerëz që mund të punojnë për qytetarët, apo të zgjidhin problemet dhe çështjet thelbësore për qytetarët. Kemi dhe një Parlament i cili në një mënyrë klandestine funksionon në mënyrë të çuditshme, ku ke deputetë të cilët vijnë në orët e para të mëngjesit për të hyrë fshehurazi në Kuvend apo për të dal nga ai institucion.

Asnjë nga qytetarët nuk ka për synim që të konfrontohet me deputetët brenda Kuvendit apo edhe me vetë institucionin, nuk është qëllimi i opozitës ky, të jeni të bindur se po të ishte një qëllim në vetvete, ka aq qytetarë jashtë atij institucioni sa do të kishin mundur të kalonin përtej kordonit të policisë për 5 minuta, pra nuk do duhej shumë për të thyer kordonin e policisë me forcë, ju e dini shumë mirë se çfarë mund të bëjë masa dhe me gjithë atë është jashtëzakonisht e kontrolluar dhe ajo që shikohet aty është shumë simbolike.

Simbolike për të thënë që me të vërtetë ka një revoltë qytetare, por jo revoltë me policinë e shtetit, është për të ardhur keq që janë krijuar konfrontime me policinë, të cilët shpesh marrin edhe urdhra të gabuar për të provokuar një problematikë me qytetarët të cilët ndodhen në protesta. Kemi paradoksin tjetër ku qeveria debaton me vetveten brenda Kuvendit të Shqipërisë, për mua debati Lleshaj-Xhafaj është një çudi e madhe, është debati i disatë në radhë brenda mazhorancës, është turp i madh sepse debate brenda shtëpisë le të ndodhin, brenda PS-së ata mund të zhvillojnë çdo lloj pakënaqësie që kanë me njëri-tjetrin, por ta shfaqësh atë në qeverisje, do të thotë që ti godet një sërë qytetarët që kanë besuar diku te ty, do të thotë që ti nuk ke një program, do të thotë që ti nuk ke një vazhdimësi në qeverisjen tënde. Ky është problemi më i madh që shfaqet sot edhe brenda atij Kuvendi.

Po të shohim, janë larguar disa ministra dhe ministrat e rinj që i kanë zëvendësuar, aktet e para që kanë marrë kanë qenë pikërisht kundra apo në goditje të drejtpërdrejtë të ish-ministrave dhe që janë po ministra socialistë. Pra debati i brendshëm i PS-së, tashmë po shfaqet hapur edhe në atë Parlament. Përtej kësaj kemi edhe këto mandatet e reja. Unë e thash sot edhe në fjalën time përballë qytetarëve në protestë, ku problemi më i madh me mandatet e reja qëndron pikërisht te fakti që shumë prej tyre fshihen pas integrimit europian të Shqipërisë.

Pra duke përdorur procesin e integrimit si një arsye apo një pretekst për të marrë atë mandat. Ndërkohë që integrimi i vendit nuk vjen nga mandatet e një individi, por vjen nga një aspiratë, nga një histori, nga një traditë, nga një kulturë, mentalitet, nga shteti i së drejtës, nga institucionet, nga serioziteti që ka shteti në vetvete për ta merituar apo jo një proces të tillë, që është një proces vlerash dhe është një proces që na mëson të gjithëve ne për mënyrën se si duhet qeverisur vendi. Kjo nuk duhet pranuar nga askush nga deputetët e rinj. Po qe për të folur këtu për procesin e integrimit europian, besoj që ka një sërë individësh që mund të flasin shumë herë më shumë edhe teknikisht se çfarë duhet bërë dhe se çfarë i mungon sot vendit. Pra e gjitha që shohim është një show shumë i madh, që duhet të marrë fund.

Mënyra e vetme për të marrë fund, është të shpërbëjë atë Parlament që sot është ilegjitim, ti drejtohet qytetarëve dhe votës së tyre të lirë, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kushteve minimumi të standardeve demokratike që duhet të ketë Shqipëria për të shkuar drejt zgjedhjeve, ku gjithsecili nga ne të ketë mundësinë të garojë i lirë me një program, por edhe me dinjitet në fund të fundit, pa kriminelë pas, pa pasur nevojën për të pasur pushtet nga pas. Pa pasur institucione pas të mbrojnë krahët. Pa pasur oligarkë. Është shumë e rëndësishme që ne të shkojmë drejt një demokracie të munguar.